Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë kundër agresionit të Perëndimit në Siri

Embassy of Russia in Albania / Посольство России в Албании

Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë

Më 14 prill, në shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së, SHBA bashkë me Britaninë e Madhe dhe Francën kryen një akt agresioni kundër Republikës Arabe të Sirisë, duke ndërmarrë sulme masive me raketa ndaj territorit të këtij vendi.

Mbi 100 raketa “cruise” ajrore dhe detare u nisën kundër disa objektivave në Siri. Objektet e sulmuara përfshijnë qendrën kërkimore shkencore në kryeqytetin sirian, shtabin e gardës republikane, bazën e mbrojtjes kundërajrore, disa aerodrome dhe magazina ushtarake. U shkaktua një dëm i madh material, përfshirë edhe në infrastrukturën civile. Mediat raportojnë për të lënduarit, numri i të cilëve po verifikohet.

Sipas të dhënave të ambasadës ruse në Damask, në mesin e viktimave nuk ka shtetas rusë.

Siç bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, asnjë nga raketat e nisura nuk hyri në zonën e përgjegjësisë së njësive ruse të mbrojtjes kundërajrore të vendosura në Siri.

Ky aksion i realizuar me qëllim frikësimi është ndërmarrë me pretekst krejtësisht të sajuar për gjoja përdorimin më 7 prill të armëve kimike nga ana e autoriteteve siriane në qytetin e Doumas, në afërsi të Damaskut. Nuk u morën në konsideratë faktet e paraqitura nga qeveria siriane dhe nga pala ruse, të cilat dëshmojnë për një inskenim të qëllimshëm dhe cinik. Sulmet janë bërë në momentin kur inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike duhet të shkonin në Douma për të zbuluar të vërtetën. Kemi të gjitha arsyet të besojmë se qëllimi i sulmit ndaj Sirisë ishte pengimi i punës së inspektorëve të ONAK-ut.

Dënojmë fort agresionin e armatosur kundër Sirisë. Bëhet fjalë për një shkelje shumë të rëndë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe për cenimin e pajustifikuar të sovranitetit të një vendi, i cili është anëtar i plotë i OKB-së dhe ka shumë vite që lufton në mënyrë të papërkulshme kundër terririzmit në territorin e vet.

Rusia kërkon të thirret një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe u bën apel anëtarëve të tij dhe të gjitha vendeve të përgjegjshme të komunitetit ndërkombëtar të dalin me një vlerësim të përshtatshëm të asaj çfarë ka ndodhur dhe të përjashtojnë mundësinë e përsëritjes së veprimeve të çmendura agresive që rrezikojnë paqen dhe sigurinë në këtë rajon, i cili edhe ashtu është thellësisht i destabilizuar si pasojë e aventurave kriminale të SHBA-ve dhe aleatëve të tyre në Irak dhe Libi.

Nuk mund të mos vihet në dukje se agresioni është kryer në një kohë kur forcat siriane vazhdojnë ofensivën e tyre të suksesshme kundër ISIS-it, Frontit al-Nusra dhe grupeve të tjera terroriste. Pra, rezulton se SHBA dhe aleatët e tyre duan t’u japin mundësi radikalëve dhe ekstremistëve të rimarrin frymë, të rimëkëmben, të zgjasin gjakderhjen në tokën siriane dhe në këtë mënyrë të pengojnë zgjidhjen politike të konfliktit.

Po bëhet absolutisht e qartë se ata në Perëndim që fshihen pas retorikës humanitare dhe përpiqen ta justifikojnë prezencën e tyre ushtarake në Siri me domosdoshmërinë e asgjësimit të xhihadistëve, në realitet ndajnë me këta të fundit të njëjtat qëllime dhe po e çojnë situatën drejt copëtimit të vendit. Ky konkluzion konfirmohet edhe nga refuzimi kategorik i SHBA-ve dhe aleatëve të tyre për të asistuar në rindërtimin e rajoneve të Sirisë që forcat qeveritare i kanë çliruar.

E fundit, akti i kryer i agresionit përbën një goditje shumë të fortë për përpjekjet, të cilat kanë për qëllim intensifikimin e procesit politik të Gjenevës në bazë të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku është konfirmuar unanimisht përkushtimi ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës Arabe të Sirisë.

Bëjmë thirrje për dhënien fund të linjës tepër të rrezikshme të liderëve perëndimorë për shkatërrimin e të gjitha marrëveshjeve që kanë të bëjnë me mënyrat e zdhidhjes së situatës në Siri

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress