Dekretohet Ligji “Për Diasporën”, ja si do të organizohet puna përtej kufijve

Marrëdhënia e shtetit shqiptar me diasporën tani e tutje do të jetë e sanksionuar me një ligj të posaçëm.

Pas miratimit në kuvend, Presidenti Ilir Meta dekretoi Ligjin “Për Diasporën”, i cili mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, për pjesëmarrje më aktive në zhvillimet e vendit amë.

Ligji “Për Diasporën” , ndër të tjera, ka për qëllim përcaktimin e rregullave për kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën, krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor dhe arsimor të pjesëtarëve të diasporës.

Mbi bazë të këtij ligji, organet përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën janë: Këshilli i Ministrave, ministri përgjegjës për Diasporën, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Qendra Kulturore për Diasporën.

Cili është roli i secilit organ përgjegjës dhe si do të organizohet puna jashtë kufijve?

Këshilli i Ministrave do të jetë organi që do të përcaktojë politikat e vendit të origjinës për diasporën dhe mënyrat e politikat për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit shqiptar. Nga ana e tij, ministri përgjegjës për Diasporën, në këtë rast Pandeli Majko, do të propozojë nxjerrjen e akteve rregulluese dhe masa të tjera të nevojshme për marrëdhënien me diasporën.

Ndërkaq, ky i fundit do të mbikëqyrë zbatimin e Strategjisë për Diasporën dhe do të bashkëpunojë me ministritë e Kulturës dhe Punëve të Jashtme për ngritjen e qendrave kulturore, etj.

Roli i Agjencisë Kombëtare të Diasporës do të bëjë të mundur angazhimin e strukturave shtetërore për informimin dhe mbështetjen e diasporës. Mbështetja do të jetë e shtrirë qoftë në aspektin e organizimit të një baze të dhënash funksionale për diasporën, po kështu edhe në marrjen e masave koordinuese për realizimin e të drejtës së votës së diasporës me nënshtetësi shqiptare në zgjedhje. Me rëndësi është edhe inkurajimi i investimeve apo koordinimi i programeve për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare.

Qendrat kulturore që do të krijohen për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të diasporës, do të ndikojnë në forcimin e lidhjeve të saj me institucionet shqiptare. Gjithashtu Këshilli Koordinues i Diasporës që do të përbëhet nga 15 anëtarë, përfaqësues të diasporës, do të merret me përfaqësimin dhe koordinimin e marrëdhënieve më diasporën. Pjesë e tij do të jenë gjithashtu kryeministri, presidenti dhe ministrat më të rëndësishëm.

Me këtë ligj konfirmohet vullneti për të konkretizuar një lidhje më të fuqishme institucionale ndërmjet Shqipërisë dhe diasporës. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne