Shqiperia

Delegacioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë vizitë në Shqipëri

Një delegacion i Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë i kryesuar nga kryetari Adnan Ertem, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, për të diskutuar me zyrtarët shqiptarë në lidhje me bashkëpunimin për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër nga ky institucion dhe për çështje të tjera.

Delegacioni nga Turqia së bashku me ambasadorin turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, realizuan një takim me ministren e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, me fokus diskutimet në lidhje me projektin e restaurimit të Xhamisë së Plumbit në Shkodër.

Ministrja Margariti në një deklaratë për AA tha se gjatë takimit me delegacionin turk diskutuan për të gjithë marrëveshjen për fillimin e punimeve në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, që sipas saj, ka qenë një nevojë e gjatë jo vetëm e Ministrisë së Kulturës, por edhe vetë banorëve të zonës.

“Diskutuam për aspektet ligjore për pjesën e këtyre marrëveshjeve që janë pjesë normale e të gjithë draftimit të marrëveshjeve. Jemi mëse falënderues për faktin që një përfaqësi e tillë kaq e specializuar do na gjendet pranë. Për ne janë momente shumë të mira edhe për të mësuar ne më shumë edhe për të shkëmbyer eksperienca dhe për filluar punë dhe pse jo punë të tjera bashkëpunimi”, tha ajo.

Në lidhje me ndihmat dhe mbështetjen e shtetit turk, pas tërmetit të 26 nëntorit, Margariti theksoi se “Na kanë ofruar një ndihmë shumë të madhe si me ekspertët që kanë ardhur menjëherë për identifikim e dëmeve, si për ekspertët që kanë ardhur për të identifikuar zonën e përshtatshme ku 500 shtëpitë e premtuara nga shteti turk do të ndërtohen. Jemi në kontakte të vazhdueshme të përditshme. Kanë qenë 3 javë intensive bashkëpunimi me qeverinë turke dhe më bëhet qejfi që po e vazhdojmë po ashtu edhe në aspektin e monumenteve të kulturës”.

Ambasadori turk, Yörük, për AA u shpreh se negociatat për projektin e restaurimit të Xhamisë së Plumbit në Shkodër kanë zgjatur më shumë se dy vite dhe theksoi se rëndësia e kësaj vepre është shumë e madhe.

“Xhamia e Plumbit mund të themi që është një nga veprat më të çmuara të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturor në Shqipëri, mbase një ndër një mijë veprat më historike të Shqipërisë. Restaurimi i kësaj vepre historike, Xhamisë së Plumbit në Shkodër, uroj dhe shpresoj që të shërbejë tashmë si pikë referimi për Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve që të vazhdojë dhe restaurimin e veprave të tjera si dhe në realizimin e projekteve të tjera në vazhdim”, tha ambasadori Yörük.

Yörük u shpreh se “Me përpjekje të përbashkëta urojmë që për të tilla vepra qoftë për restaurimin, qoftë rindërtimin, që të bashkëpunojmë së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve”.

Ai tha se shpresojnë që pranvera e vitit 2020 do të jetë shumë e dobishme në fillimin e këtij projekti, që sipas tij, për të cilin janë mbyllur negociatat e firmosjes së protokollit për Xhaminë e Plumbit në Shkodër.

Ertem, në deklaratën për AA tha se qëllimi i vizitës në Shqipëri është në lidhje me restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër. “Ky është një projekt për të cilin është folur para dy vitesh dhe tashmë me vizitën që kemi bërë në Shqipëri besoj se është arritur në fazën e fundit të firmosjes së këtyre protokolleve. Shpresojmë që në një kohë shumë të afërt duke e përfunduar këtë akt protokolli, do arrijmë duke filluar punimet sa më shpejt”, tha Ertem.

Ai theksoi se ky monument historik ka një vlerë shumë të çmuar dhe shtoi se “përafërsisht në gjeografinë totale ballkanike figurojnë gati 50 vepra të cilat ose janë duke vazhduar projektet ose janë në përfundim e sipër. Uroj që të jetë një vepër shembull për të gjithë shqiptarët”.

Xhamia e Plumbit e tipit osman njihet ndryshe edhe si xhamia Mehmet Pashë Bushatit, pasi u ndërtua nga ky i fundit në vitet 1773-1774, ndërsa i rezistoi shkatërrimit gjatë regjimit komunist.

Pas shumë vitesh të ndalimit të fesë me ligj gjatë komunizmit, Xhamia e Plumbit në Shkodër u rihap më 16 nëntor të vitit 1990, por përmbytjet në zonë dhe dëmtimet e tjera e kanë kthyer këtë monument kulture jofunksional për besimtarët./AA