Delegacioni i Hamasit udhëtoi në Moskë për të diskutuar unitetin

Një delegacion i grupit palestinez Hamas udhëtoi sot në Moskë për të vazhduar dialogun ndër-palestinez që synon bashkimin e grupeve palestineze.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), zëdhënësi i Hamasit, Abdel Latif al-Qanoa, tha se “delegacioni i kryesuar nga anëtari i byrosë politike të Hamasit, Mousa Abu Marzook, do të takojë zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë për të diskutuar çështjen palestineze”.

Al-Qanoa shtoi se gjatë vizitës do të diskutohen bisedimet e fundit ndër-palestineze në mënyrë që të fitohet mbështetje ndërkombëtare për t’u siguruar që procesi i pajtimit të ketë sukses.

Ndërkohë, Ahmed Majdalani, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës Çlirimtare të Palestinës, e mirëpriti ftesën ruse për të arritur përparim në përpjekjet e pajtimit. Megjithatë, para se të nisej për në Moskë, ai tha se grupet palestineze duhet të bien dakord për t’i dhënë fund ndarjeve të brendshme.

Në muajin gusht, Rusia njoftoi se do të ftojë grupet palestineze të takohen në Moskë për të arritur pajtimin midis grupeve Hamas dhe Fatah.

Në shkurt të vitit të kaluar, Moska zyrtare mbështeti bisedimet ndër-palestineze për 12 grupe, ku ata ranë dakord të përballen me të ashtuquajturin “Plan paqësor të Lindjes së Mesme” të SHBA-së, të njohur si Marrëveshja e Shekullit.

Fatah dhe Hamas gjithashtu zhvilluan bisedime në Turqi në muajin shtator ku u pajtuan që të mbajnë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale.

Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës kanë mbetur politikisht dhe administrativisht të ndara që nga viti 2007, kur Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës nga Fatah, pas luftimeve disa ditore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne