Bota

Delegacioni norvegjez po viziton Krimenë, kërkon bashkëpunim

Edhe pse vendet evropiane vazhdojnë të mbajnë në fuqi sanksionet antiruse të miratuara në vijim të ribashkimit të Krimesë me Rusinë në vitin 2014, gjithnjë e më shumë evropianë synojnë ta vizitojnë gadishullin për të parë me sytë e vetë se çfarë po ndodh realisht atje.

Rasti më i fundit është ai i delegacionit nga Norvegjia që ka ardhur në Krime javën e shkuar. Delegacioni i përbërë nga 11 politikanë, sipërmarrës dhe jo vetëm kërkoi që në përfundim të vizitës së tyre njëjavore, e cila do të zgjasë deri në datën 12 tetor, të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi me këtë rajon të Rusisë. Norvegjezët shprehën vullnetin për të vendosur marrëdhënie miqësore me gadishullin, ndërkohë që pjesë e delegacionit janë edhe dy ligjvënës gjermanë.

“Anëtarë të delegacionit nënvizuan domosdoshmërinë e ndërtimit të një partneriteti dhe lidhjeve miqësore me Krimenë”, u shpreh deputeti i Parlamentit të Krimesë, Zv.Kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë Juri Gempel. Deri në këtë moment përfaqësues të Norvegjisë zhvilluan disa takime me banorët vendës dhe panë nga afër situatën reale në rajon. Axhenda e vizitës parashikon gjithashtu një takim me Kryetarin e Parlamentit të Krimesë Vladimir Konstantinov, si edhe një udhëtim në kampin e famshëm ndërkombëtar për fëmijë “Artek” dhe në objekte të tjera të infrastrukturës sociale.

Siç u njoftua në shtator të këtij viti, në 18 muaj të fundit gadishulli është vizituar nga më shumë se 100 delegacione të huaja, përshirë këtu personalitete të spikatura të politikës ndërkombëtare. Delegacioni i ardhur nga Norvegjia vuri në dukje që në mediat perëndimore ka një mungesë të informacionit për gjendjen aktuale në Krime. “Ne për këtë kemi ardhur, pra për t’u treguar mediave tona që këtu ka qetësi. Problemi është që opinioni i mediave tona është vetëm një pjesë e kësaj historie. Ne po përpiqemi ta ndryshojmë këtë situatë, mëgjithatë kjo nuk bëhet shpejt”, tha kreu i delegacionit Hendrik Weber. Sipas Weber-it, një nga qëllimet e delegacionit është informimi i qytetarëve norvegjezë që Krimeja “është një vend i bukur, ku njerëzit jetojnë në paqe dhe ku nuk ka luftë”.

OPINIONE

INTERVISTA