Demokratët do të marrin kontrollin e plotë të Kongresit në janar, pasi përmbysën ulëset e Senatit në Teksas, Ohajo dhe Karolinat, ndërsa votuesit ndëshkojnë Trump për luftën në Iran dhe rritjen e çmimeve.
Demokratët do të marrin kontrollin e plotë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara në janar pas një fitoreje bindëse në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit të së martës, parashikoi NBC News.
Associated Press (AP) i nxjerr demokratët dhe dy pavarurit që grupohen me ta me 54 ulëse në Senat kundrejt 42 për republikanët, një fitore neto prej shtatë ulësesh, me disa gara që ende nuk janë përcaktuar. AP gjithashtu ka konfirmuar 224 ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve për demokratët dhe 134 për republikanët, një rritje prej 25 ulësesh për demokratët, ndërsa numërimi vazhdon për shumë gara të tjera.
Ata pritet të përdorin kompetencat e tyre të reja për të nisur hetime ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, familjes së tij dhe administratës së tij, si dhe për të tentuar të sigurojnë një kontroll legjislativ mbi të. Megjithatë, Trump do të vazhdojë të mbajë të drejtën e vetos, të cilën ka premtuar ta përdorë nëse rezultatet shkojnë në favor të demokratëve.
Republikanët hyrën në zgjedhje me shumicë të ngushtë në Senat (53-47) dhe në Dhomën e Përfaqësuesve (219-214). NBC parashikoi se demokratët do të fitojnë të paktën 252 ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve, dukshëm mbi 218 të nevojshmet dhe potencialisht shumicën e tyre më të madhe në pothuajse dy dekada.
Në momentin e publikimit, demokrati Scott Colom po udhëheq ndaj senatores republikane Cindy Hyde-Smith në Misisipi me vetëm 28 vota më shumë, 462,779 kundrejt 462,751, ose 48.95 përqind me 48.94 perqind, kur janë raportuar 97 përqind e votave.
Në Alaskë, senatori republikan Dan Sullivan po udhëheq ndaj demokrates Mary Peltola me 48.75 përqind kundrejt 47.51 përqind, me 66 përqind të votave të raportuara, ndërsa republikani Pete Ricketts udhëhiqte në Nebraska me 49.26 përqind, me 76 përqind të votave të raportuara.
Fitore bindëse në territorin republikan
Përmbysjet në Senat erdhën në shtete të cilat Trump i fitoi lehtësisht në vitin 2024.
Roy Cooper mposhti Michael Whatley në Karolinën e Veriut me 58.7 përqind të votave, në fitoren e parë të Senatit për demokratët atje që nga viti 2008. Annie Andrews mposhti senatoren në detyrë Darline Graham në Karolinën e Jugut me 51.1 përqind. James Talarico mposhti Ken Paxton në Teksas, fitorja e parë demokratike për Senatin në këtë shtet që nga viti 1988. Sherrod Brown rrëzoi senatorin republikan Jon Husted në Ohajo me 49.6 përqind.
Adam Hamilton mposhti senatorin Roger Marshall në Kansas me 50.9 përqind, fitorja e parë demokratike për Senatin në këtë shtet që nga viti 1932, kur George McGill u rizgjodh. Josh Turek përmbysi një ulëse të hapur në Iowa me 50.4 përqind. Gjithashtu edhe Meini kaloi në favor të demokratëve.
Demokratët mbrojtën ulëset që kishin. Jon Ossoff fitoi rizgjedhjen në Xhorxhia me 58.9 përqind, ndërsa Chris Pappas fitoi në Nju Hampshir dhe Peggy Flanagan në Minesota.
AP konfirmoi garën e Senatit në Miçigan për demokratin Abdul El-Sayed, i cili kishte deklaruar fitoren herët të mërkurën ndaj republikanit Mike Rogers. Ai udhëhiqte me 51.84 përqind të votave me 84 përqind të raportuara përpara konfirmimit.
Demokratët fituan gjithashtu postet e guvernatorëve në bastionet republikane. Gina Hinojosa mposhti Guvernatorin Greg Abbott në Teksas, dhe Amy Acton mposhti Vivek Ramaswamy në Ohajo, demokratja e parë e zgjedhur guvernatore atje që nga viti 2006. Rob Sand fitoi në Iowa, guvernatori i parë demokrat i zgjedhur atje në 20 vjet. Numërimi i AP tregoi se demokratët fitojnë 25 poste guvernatori kundrejt 19 për republikanët, një fitore neto prej katër me më shumë.
Çfarë tha sondazhi i daljes nga votimi (Exit Poll)
NBC e quajti rezultatin “një refuzim të fuqishëm të agjendës së Trump”, me mesazhin se Kongresi nuk ka bërë mjaftueshëm për ta kontrolluar atë dhe duhet të bëjë më shumë lidhur me përballueshmërinë e jetesës dhe korrupsionin.
Sondazhi i daljes nga votimi i NBC News gjeti mbështetjen për Trump në 38%, më e ulët se e çdo presidenti në detyrë në Ditën e Zgjedhjeve që nga viti 2008, dhe rreth 6 në 10 votues thanë se vota e tyre për Kongresin kishte për qëllim të tregonte mbështetje ose kundërshtim ndaj tij.
Sa i përket ekonomisë, 44% thanë se ishin më keq se dy vjet më parë kundrejt 18% që thanë se ishin më mirë, dhe 79% me deklaruan se inflacioni po shkakton vështirësi për familjet e tyre.
Rreth 65% thanë se tarifat e Trump po dëmtojnë ekonominë dhe 62% thanë se ai është përgjegjës për çmimet e larta.
Për sa i përket korrupsionit, 90% e quajtën atë një faktor vendimtar ose kryesor në votën e tyre, por ata ishin të ndarë se cila parti mund ta luftojë atë: 36% zgjodhën demokratët, 31% republikanët dhe 33% asnjërën.
Rreth 74% e quajtën luftën në Iran një faktor vendimtar ose kryesor në votën e tyre për Kongresin. Një sondazh i CNN-it për votuesit zbuloi se rreth 7 në 10 votues thonë se Kongresi nuk po bën mjaftueshëm për të siguruar balancimin dhe kontrollin e pushtetit mbi presidentin. Karburanti arriti mesatarisht 4.16 dollarë për galon të hënën, krahasuar me 2.98 dollarë përpara luftës.
Lufta e dështuar e Trump ndaj Iranit
Njerëzit e afërt me Trump po ia ngarkojnë fajin luftës ndaj Iranit — të cilën SHBA dhe “Izraeli” e nisën më 28 shkurt — për humbjet e rënda të republikanëve. Aggresioni tani ka zgjatur për më shumë se tetë muaj pa asnjë fund në horizont.
Disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe aleatë republikanë thanë se lufta ishte e gabuar dhe se zgjedhjet do të kishin dukur shumë ndryshe nëse ajo do të kishte përfunduar muaj më parë. Agresioni i ka kushtuar ushtrisë amerikane të paktën 47.1 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi të CENTCOM-it që përjashton dëmet e mëdha në bazat amerikane, dhe Pentagoni liston 21 pjesëtarë të shërbimit ushtarak amerikan të vdekur.
Ndërkohë, drejtimi i gishtit ka nisur brenda administratës, me disa zyrtarë që thonë se Trump mund të marrë parasysh ndryshime në ekipin e tij në një llogari-dhënie mbi luftën.
Këshilltarët i kanë thënë atij se trashëgimia e tij do të jetë e lidhur me luftën që ai nisi së bashku me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke shtuar se ai humbi pushtetin politik mbi një luftë që nuk arriti qëllimin e saj qendror.
Përgjigjja e Trump
Në një intervistë me The New York Times të martën në mbrëmje, Trump tha se është “plotësisht i gatshëm” të pranojë rezultatet.
“Ne do të punojmë me demokratët dhe, ju e dini, mezi presim të punojmë me ta,” tha ai.
Ai deklaroi se nuk pendohet për disa nga mbështetjet e tij kryesore për kandidatët që vazhduan e humbën, përfshirë Paxton dhe Graham.
Ralph Norman, të cilin Graham e mposhti në zgjedhjet primare të Karolinës së Jugut, e quajti humbjen e Graham një “refuzim total” të një “kandidati të mbështetur artificialisht”.
Trump shkroi në Truth Social: “Unë nuk isha në fletëvotim dhe sikur të isha, do të kishim fituar ME FITORE BINDËSE (LANDSLIDE)! Ju faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje.”
Ai bëri fushatë për shumë kandidatë republikanë, duke u kërkuar votuesve në tubime të fejnë sikur ai vetë ishte në fletëvotim. Shtëpia e Bardhë kishte qarkulluar pika diskutimi duke thënë se askush nuk punoi më shumë se Trump dhe duke përgatitur terrenin për t’ia hedhur fajin për çdo humbje kandidatëve./mayadeen















