Denaj: Zbatimi i protokolleve të sigurisë nga sipërmarrësit dhe punonjësit, një domosdoshmëri për sukses në luftën kundër COVID-19

Në ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ndau një mesazh ndryshe, në një situate kur jemi ne betejë me COVID 19 jo vetëm për të ruajtur punësimin, por mbi të gjitha për të ruajtur shëndetin e punonjësve dhe sigurinë në punë.

“Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve do të flisnim për marrëdhënie formale të punës, për impenjimin që secili nga ne jep dhe duhet të japi gjatë gjithë kohës për të mbështetur ridimensionimin e marrëdhënies së punës pas situatës së COVID-19. COVID-19 na ka vendosur të gjithëve duke menduar se çfarë do të bëjmë nesër. Nuk i dimë përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve, dimë se duhet të jemi të gjithë së bashku për të qenë të përgatitur për një të ardhme më të mirë. Dhe për këtë të ardhme, marrëdhënia midis punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe shtetit të ridimensionohet si një marrëdhënie e plotë, formale dhe me të drejta të barabarta”, tha Denaj.

Zbatimi i protokolleve të sigurisë në punë nga sipërmarrësit dhe çdo punonjës është një domosdoshmëri për ta çuar me shëndet e sukses deri në fund luftën e përbashkët për mbrojtjen e jetës, deri në daljen e vaksinës kundër COVID-19.

Denaj tha se “fokusi i qeverisë shqiptare dhe i shumë institucioneve të Ministrisë së Financave dhe ekonomisë është jo vetëm të ndihmojë por njëkohësisht të nxisë gjithë marrëdhëniet brenda një aspekti juridik korrekt dhe këtë e monitorojmë nëpërmjet Inspektoriatit të Punës”.

“Shumë e rëndësishme gjithashtu është ruajtja e shëndetit të punonjësve. Ne kemi vendosur disa parakushte sidomos për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje të tmerrshme që merr jetë njerëzish, që na kufizon në marrëdhëniet, që na ndikon në rritjen e ridimensionimin e ekonomisë. Që kjo të mos ndodhi përsëri është shumë e rëndësishme që këto kosto ne t’i shikojmë si oportunitete”, tha Denaj.

Ajo theksoi se “ruajtja e punonjësve nga aksidentet në punë dhe jo vetëm për COVID-19 por për çdo aktivitet që paraqet një rrezikshmëri sado të vogël, të mesëm apo të lartë është një detyrim ligjor i punëdhënësit, por është edhe një kërkesë e drejt e punonjësit”.

“Ju uroj nga zemra gëzuar 1 Majin dhe të shpresojmë për ditë më të mira, për një punësim të rritur për të dalë nga kjo situatë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministrja./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne