Bota

Dënohet terroristi që sulmoi Konsullatën Turke në Amsterdam

Ercan Polater, anëtar i organizatës separatiste terroriste PKK, i cili sulmoi me koktej molotovi Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Amsterdam të Holandës, u dënua me 16 vjet burgim.

Në një komunikatë me shkrim të lëshuar nga Gjykata e Amsterdamit thuhet se i pandehuri Polater është dënuar me 16 vjet burgim, 6 muajt e të cilit do të jenë me kusht, me arsyetim se më datën 11 gusht 2018 me vetëdije e sulmoi me 3 mjete shpërthyese artizanale godinën e Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë.

Në komunikatë në mes tjerash u tha se arsyetim që dënimi është më i ulët nga dënimi me 20 vjet burgim i kërkuar nga prokurori, është se gjatë sulmit në Konsullatë dhe rrethinë nuk ndodhej askush.

Bëhet e ditur se gjatë marrjes së vendimit është marrë parasysh fakti që i pandehuri në vitin 2017 ishte ndaluar në një zonë të afërt me Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Gjermani me dy koktej të molotovit.

I pandehuri, i cili vitin e kaluar ndërmori një sulm me koktej molotovi ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Amsterdam, ishte ndaluar nga policia. Gjatë sulmit në fjalë në godinë u shkaktuan dëme të vogla materiale, ndërkaq Prokuroria e Holandës për të pandehurin kishte kërkuar dënim me 20 vjet burgim.

Gjatë hetimeve u zbulua se sulmuesi është Ercan Polater, i lindur më 1983, që kërkohej me buletin të kuq nga Gjykata e 8-të e Adanës për Krime të Rënda me arsyetim se është anëtarë i organizatës terroriste PKK/KCK dhe i cili kishte marrë azil në Holandë.

Sipas informatave të marra nga burimet e sigurisë, Ercan Polater, i cili ishte kapur me një operacion të ndërmarrë në vitin 2004 në Holandë, kishte aplikuar për azil në këtë vend.

Edhe pse Polater, aplikimi i të cilit ishte pranuar, ndalohej në vendet tjera të Evropës, ai lirohej për shkak të statusit të refugjatit që i kishte dhënë Holanda.

I ndaluar në Bullgari me kërkesë të Turqisë më 16 korrik 2012, Polater për shkak të statusit të dhënë nga Holanda nuk u ekstradua në Turqi./ trt

OPINIONE