Denoncimi i gazetarit: Si po na mashtrojnë kompanitë celulare

Një nga shqetësimet që ka shoqëruar prej kohësh qytetarët shqiptarë janë tarifat e larta të kompanive celulare në vendin tonë. Kjo pasi sipas tyre, ofertat janë mashtruese pavarësisht çmimeve të shtrenjta. Gazetari Aulon Kalaja në një intervistë për Tirana Today denoncon atë që ai e quan oligopolizim të 3 kompanive celulare që operojnë në Shqipëri.

“Kompanitë celulare në Shqipëri janë hajdutët më të mëdhenj të këtij vendi. Tre kompani ulen bashkë dhe vendosin për tarifat, ndërkohë që duhet të jetë AKEP-i. I cili vendos edhe rregullat e tregut, por këtu është privati i cili i pi gjakun qytetarëve dhe konsumatorëve.

Fillimisht në tregun shqiptarë ka qenë AMC-ja, më vonë u fut dhe Vodafon-i. Në atë kohë çmimet ishin të çmendura, një numër mund të kushtonte dhe 200 mijë lekë. Vitet e fundit ka filluar të merret falas. Por, sigurisht eksperimentet në Shqipëri nuk kanë fund.

Qytetari shqiptar është i pambrojtur, qoftë nga AKEP a nga mediat. Pse nuk i denoncon media, është shumë e thjeshtë. Mjafton të ndiqen emisionet kryesore dhe të shihet cilët janë sponsorët.”

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=YP6IuMHSyxw?feature=oembed]

Gazetari thotë për Tirana Today se edhe pse çmimi është rritur, përsëri shërbimi i ofruar lë shumë për të dëshiruar. Duke i vënë në vështirësi qytetarët të cilët nuk kanë asnjë mundësi zgjedhje, pasi sipas tij të gjitha kompanitë ofrojnë të njëjtat tarifa.

“Kompanitë celulare bëjnë çfarë t’i dojë qejfi. Shërbimi nuk është përmirësuar. Shikoni sot ofertat, nuk ka asnjë dallim në çmime nga kompania në kompani. Edhe kalimi nga një operator në një tjetër më parë ka pasur bonuse, tani ka ikur dhe kjo histori. Nuk ka më oferta të lira, siç mund të ishte më herët. Që ti me 5 mijë lekë mund të shtyje muajin. Tani kemi oferta të standardizuara që rriten në mënyrë progresive, pothuajse një herë në tre muaj.

Ti blen internet dhe të mbarohet në një mënyrë të çuditshme. Dhe përgjigja që të japin kur ankohesh është se i ka fajet modeli i telefonit. Kjo është një idiotësi që e kam dëgjuar në Tiranë.”

Në raportin për vitin 2018 të publikuar nga AKEP, vihet re se numri i thirrjeve dhe mesazhet telefonike kanë pësuar rënie nga viti 2017-të. Rritje të ndjeshme ka pësuar përdorimi i internetit përherë e më tepër nga njerëzit. Për këtë arsye edhe kompanitë telefonike kanë shtuar ofertat e internetit. Por sipas Kalasë, veç faktit që janë të shtrenjta dhe mbarohen shpejt, është edhe problemi i mbulimit të valëve në të gjithë vendin.

“Sigurisht që kompanitë celulare në Shqipëri kanë defiçenca të mëdha. Nuk e mbulojnë të gjithë territorin me valë. Që nga zonat e thella të vendit, apo qoftë edhe rreth e përqark Tiranës. Mjafton të kesh një mal e nuk ke valë, apo kodër e nuk ke internet. Pra, kjo është një çmenduri e madhe.

Për të mos folur dhe për valët kancerogjene që shpërndajnë antenat e këtyre celularëve nëpër pallate. Kompanitë celularë mos të gjejnë një pallat të lartë sepse do të vendosin antenat e tyre. Duke sjellë shumë dëme për banorët që jetojnë aty dhe jo vetëm.”

Edhe pse ankohen përsëri kjo problematikë e qytetarëve asnjëherë nuk ka marr zgjidhje. Përkundrazi, kompanitë celulare përherë e më tepër shfrytëzojnë lirshmërinë për të vepruar në favor të interesave vetjake.

“Kompanitë janë duke abuzuar në një mënyrë të llahtarshme. Dhe nuk kemi proporcion me reagimin e qytetarëve. Në rast se nuk ka reagim, atëherë kompanitë celularë thonë që qytetarët janë dakord me rritjen. Ata kanë ardhur në Shqipëri për të mbushur xhepat e vetë. Dhe jo të mendojnë për qytetarët.

Kam parë në rrjete sociale që mund të ishte një formë proteste fikja e celularëve njëherë në ditë. Ose mos rimbushja e celularit. Por, kjo do të kishte pasoja për ata që i nevojitet celulari. Unë do të gjykoja që protesta para godinave kryesore të këtyre kompanive do të ishte një reagim i fortë në lidhje me vjedhjen që po na bëhet.”/ tiranatoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne