Depozitat rriten edhe në tetor, shqiptarët shtojnë mbi 300 milionë euro kursime gjatë pandemisë

Depozitat kanë vijuar tendencën e rritjes së qëndrueshme edhe në tetor, ndonëse në ritme më të ulëta në krahasim me dy muajt e mëparshëm, kur shtimi ishte më i lartë për shkak të efekteve sezonale (prurjeve të emigrantëve).

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i depozitave në fund të muajit tetor arriti një rekord historik prej 1.08 trilionë lekësh, ose 8.7 miliardë lekë, duke u rritur me 2.5 miliardë lekë (0.28%), në krahasim me muajin e mëparshëm.

Në krahasim me fundin e shkurtit, përpara se të fillonte pandemia, depozitat janë rritur me 39 miliardë lekë, ose rreth 317 milionë euro. Vitin e kaluar, shtesa e kursimeve për të njëjtën periudhë ishte 90 milionë euro, ose gati katër herë me e ulët.

Ky është zgjerimi më i madh i depozitave për periudhën në fjalë që nga viti 2012, sipas serive kohore të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Rritja nga shkurti në tetor ka ardhur në pjesën më të madhe nga kursimet në lekë, që ka ndikuar në mbi 60% të rritjes, ndryshe nga vitet e mëparshme, kur depozitat në lekë kishin një ecuri të ngadaltë për shkak të normave të ulëta të interesit. Ndikimin kryesor në këtë tendencë e ka dhënë shtimi i depozitave pa afat të individëve në lekë, në një tregues indirekt se individët nuk po shpenzojnë dhe po preferojnë që të mbajnë paratë e tyre në banka, ndonëse me norma interesi të papërfillshme, ose edhe pa interes. Edhe nga valuta, rritja ka ardhur nga kursimet pa afat të individëve.

Shtimi i kursimeve në kohë pandemie është një tendencë që po konstatohet në gjithë Europën. Eurostat raportonte pak kohë më parë se kursimet në vendet e Bashkimit Europian po rriteshin ndjeshëm, duke e argumentuar me faktin se qytetarët e këtyre vendeve nuk po shpenzonin, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Edhe në Shqipëri, të dhënat e INSTAT treguan se në tremujorin e dytë 2020, konsumi final i popullatës u reduktua me 7.57%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose në vlerë absolute janë rreth 210 milionë euro të shpenzuara pak për kafe e restorante, veshje, udhëtime argëtime, apo dhe produkte e shërbime të tjera, që ose nuk ishin të domosdoshme, ose për shkak të mbylljes ishin të pamundura që të kryheshin. treguan se në tremujorin e dytë, konsumi u reduktua me rreth 210 milionë euro.

Në total, në tremujorin e dytë 2020, konsumi final i popullatës ishte rreth 2.6 miliardë euro, nga 2.81 miliardë euro, në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është tkurrja më e lartë në të paktën pesë vjet. Që nga viti 2015, konsumi kishte ardhur në rritje të vazhdueshme, sipas statistikave të INSTAT.

Një pjesë e njerëzve punuan online dhe si rrjedhojë nuk kishin çfarë të shpenzonin jashtë (ku pjesa më e madhe e dyqaneve ishin mbyllur), ndërsa rreth 50 mijë të tjerë dolën të papunë në tremujorin e dytë, sipas INSTAT dhe nuk kishin të ardhura për të shpenzuar./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne