Deputetë që u bënë Drejtorë, si u ricikluan figurat e Partisë Socialiste

Zgjedhjet e 25 qershorit 2017, nuk krijuan mundësi rehabilitimi në parlament, për të gjithë figurat e Partisë Socialiste. Shumë të rinj, bizesmenë, miq të Edi Ramës apo me lobime të fuqishme brenda Partisë Socialiste, kërkuan me ngulm futjen në parlament.

Por si në çdo garë, më të fortët, më të pasurit dhë më servilët e kryeministrit, arritën të zënë një foltore në kuvend, ndërsa shumë figura të Partisë Socialiste mbetën “të papunë”. Në fakt, të qënit deputet në parlament, si në opozitë apo edhe pushtet, ka shumë pak benefite. Ministrat e qeverisë shpesh krijojnë distancë me deputetët, edhe pse vijnë nga e njëjta parti politike. Ky fenomen është artikuluar nga shumë deputetë socialistë, të cilët janë ankuar se Ministrat nuk u bëjnë asnjë nder, nuk i dëgjojnë dhe nuk marrin parasysh kërkesat e elektoratit ku janë zgjedhur.

“Paraja është për politikanin si nëna që ushqen me qumështin e saj”. – ka thënë kongresmeni amerikan, Jesse Unruh. Prandaj, katapultimi nga deputet në një Drejtor institucioni, do të ishte një zgjedhje oportune për të bërë para, për të punësuar militantë apo edhe për të bërë ndere të ndryshme. Dikush e nuhati këtë garë të fortë, që përpara se të vinin zgjedhjet parlamentare, dhe nxituan për të kapur ndonjë institucion të rëndësishëm, mundësisht aty ku të qarkullojnë tendera dhe natyrish miliarda lekë.

I tillë është rasti i deputetit socialist të Fierit, Ervin Koçi, i cili pak muaj para se të vinin zgjedhjet e 25 qershorit, dorëzoi mandatin e tij dhe u emërua si Drejtor i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare. Ky institucion kontrollon tregun e sigurimeve dhe bizneset jo bankë në vendin tonë. Miliona euro qarkullojnë në këtë institucion, ndërsa drejtuesi Koçi lëviz me një makinë të shtrenjtë me vlerë 92 milionë lekë si dhe ka një zyrë moderne, ku janë përdorur 61 milionë lekë për arredimin e saj. Pra, Ervin Koçi po shijon luksin e shfrenuar si Drejtues i AMF-së, ndërsa si deputet ai ishte vetëm një “hallexhi”.

Por edhe deputeti i qarkut të Fierit, Arben Çuko, preferoi të mos futej në listat fituese të 25 qershorit 2017. Çuko zgjodhi të qëndronte jashtë parlamentit dhe të emërohej si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Ky institucion tepër i rëndësishëm ka me mijëra të punësuar dhe me një buxhet të madh për tendera. Në të kaluarën, Drejtoria e Burgjeve është përfolur si “fole” korrupsioni dhe punësimi për militantë.

Një tjetër deputet i rëndësishëm i PS-së, po në qarkun e Fierit, ishte edhe Piro Lutaj. Ai nuk u fut në listat zgjedhore të 25 qershorit, por Lutaj nuk shprehu asnjë revoltë përse ai nuk u rizgjodh, pas 3 mandate rresht si deputet. Ai u thirr nga Fatos Nano në 2015, ndërsa u hoq nga Edi Rama në vitin 2017. Megjithatë për Lutajn nuk ka hatërmbetje me Ramën, pasi ai është emëruar Drejtor i Zyrës së Përmbarimit Shtetëror, që është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Përmbarimi merret me ekzekutimin e urdhërave të dalë nga Gjykata, për debitorët në banka, apo institucione jobankë. Por, ndryshe nga përmbarimi privat, në institucionin që drejton Lutaj dosjet mund të zvarriten për interesa të caktuara, dhe urdhëri i ekzekutimit mund të vonohet nëpërmjet rryshfetit.

Ish Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, u hoq jo vetëm si ministre por ajo nuk u vendos as në listën fitues si deputete e legjislaturës parlamentare 2017-2021. E pyetur nga gazetarët, Harito tha se ishte vendimi i Edi Ramës për të mos e rizgjedhur si deputete. Por, sërish me vendim të Edi Ramës, Harito është emëruar si Këshilltare e Lartë e Kryeministrit të Shqipërisë si dhe Koordinatore Kombëtare për Zonën Ekonomike Rajonale të Ballkanit Perëndimor. Ky post përveç pagës tepër të lartë, është një mundësi e shkëlqyer për karrierën personale të ish ministres Harito.

Themeluesi i FRESSH, Ilir Zela, ka qënë deputet përgjatë viteve 1997-2005, ndërsa më pas ka mbajtur pozicione të ndryshme si drejtues institucioni. Aktualisht, prej disa muajsh, Zela është emëruar si drejtor i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), një institucion që kontrollon tregun e telefonisë celulare por edhe mediat online. Kohët e fundit, Zela është pëfolur për favorizim të kompanisë Albtelecom me tarifat e telefonisë celulare, ndërsa kjo është denoncuar nga operatorët e tjerë, Vodafone dhe TELECOM.

Arben Isaraj, deputeti i qarkut të Vlorës, përgjatë viteve 2005-2013, ka qënë një zë i fortë në Partinë Socialiste. Ai hoqi dorë nga rikandidimi në vitin 2013, për shkak të një sëmundje të rëndë. Megjithatë përgjatë vitit 2013-2017 ai ka mbajtur pozicionin e zv. Ministrit të Drejtësisë. Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, Isaraj nuk preferoi që të ishte sërish një zv. Ministër me një rrogë bazë dhe pa asnjë kompetencë. Kështu që, Rama i gjeti një punë duke e vënë si Drejtor të Përgjithshëm të Transportit Rrugor, ose e njohur në zhargonin e përditshëm si Drejtoria e “patentave dhe targave”. Ky institucion, vijon të përflitet për korrupsion, afera si dhe punësime të militantëve.

Anila Agalliu, ishte një deputete e zgjedhur në Berat për vetëm një mandat për të parë dhe të fundit, përgjatë vitit 2013-2017. Ajo nuk mbahet mend për asgjë, ka folur tepër rallë parlament dhe pothuajse gjatë 4 viteve ka “vegjetuar”. Me pak fjalë, mandati si deputete, Agalliut nuk i duhej për asgjë. Por, kryeministri Rama, nuk e ka “lënë rrugëve” ish deputeten, duke e emëruar Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit. Ky është një institucion pa shumë të ardhura nga buxheti i shtetit, por Agalliu mund të shfrytëzoj mësëmiri fondet e UNHCR-së.

Ish deputeti si dhe Ish Ministri i Financave, Arben Malaj, mbeti jashtë parlamentit në vitin 2013, për shkak të Lëvizjes së Mendimit Ndryshe (LMN), të cilët kërkonin dorëheqjen e Edi Ramës si kryetar i Partisë Socialiste. Malaj kandidoi si deputet i pavarur në Vlorë, por për shkak të sistemit elektoral, e kishte të pamundur të fitonte. Pas disa viteve hatërmbetje mes Ramës dhe Malajt, në vitin 2016 rikthehet bashkëpunimi. Disa deputetë socialistë me urdhër të Ramës propozuan Arben Malajn si anëtar i Këshillit Mbikqyrës në Bankën e Shqipërisë. Pozicioni i ri i punës ishte tepër komod, ndëra rroga ishte 2-3 herë më e lartë se ajo e deputetit.

Bukurosh Stafa, një nga socialistët e përfolur në Qarkun e Elbasanit, është në mesin e të ricikluarëve nga Edi Rama. Ai ka qënë deputet përgjatë viteve 2005-2009, ndërsa është përjashtuar nga Partia Socialiste në vitin 2007, pasi votoi për president Bamir Topin. Ndërkohë, vëllai i tij është arrestuar për trafik droge. Stafa, aktualisht pjesë e strukturave të Partisë Socialiste në Elbasan, është zgjedhur në krye të Këshillit të Qarkut Elbasan në mandatin 2015 – 2019.

Edison Konomi është një tjetër ish deputet i Partisë Socialiste i cili është shpërblyer me emërimin si Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Ky institucion kontrollon të gjitha lejet mjedisore në Shqipëri, ku më të përfolurat janë ato për Hec-et. Natyrishit, nuk mungojnë edhe paratë që lëvizin zyrtarisht apo nëndorë.

Por Edi Rama është kujdesur edhe për deputetët e “liruar” të opozitës. I tillë është rasti i ish deputeti Mhill Fufi, i cili i dha votën mazhorancës pak muaj para zgjedhjeve, për ligjin e amnistisë. Mazhorancës i duheshin 84 vota, por kishte vetëm 83 pas largimit të Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit. Ishte vota e Fufit, që në këtë rast shpëtoi mazhorancës dhe që i solli përjashtimin më pas nga Partia Demokratie. Edi Rama nuk e harroi këtë gjest “heroik” të Fufit, dhe e vendosi në krye të Drejtorisë së Transportit Rrugor në Lezhë.

Këta deputetë-drejtora, janë vetëm maja e ajsbergut, të cilët kanë kapur disa nga institucionet kyçe të pushtetit. Ata janë aty ku qarkullojnë miliarda lekë, aty ku punësohen qindra njerëz, aty ku bëhen qoka të panumërta. Kjo është “tepsia” e ndarë mes qeverisë, parlamentit dhe institucioneve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne