Deputetët kanadezë i konsiderojnë veprimet e Kinës ndaj ujgurëve si “gjenocid”

Një nënkomision parlamentar i Kanadasë e cilësoi trajtimin e Kinës ndaj ujgurëve si “gjenocid” dhe bëri thirrje për sanksione kundër zyrtarëve të lartë kinezë.

Nënkomiteti i Dhomës së Ulët për të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut tha se afërsisht një milion ujgurë etnikë në rajonin veriperëndimor të Kinës Xinjiang, shumica e të cilëve janë muslimanë, po mbahen në asgjë më pak se “kampe përqendrimi” dhe duke iu nënshtruar abuzimit.

“Nënkomiteti dënon pa mëdyshje persekutimin e ujgurëve dhe muslimanëve të tjerë turq në Xinjiang nga Qeveria e Kinës”, deklaroi nënkomiteti, i përbërë nga të tre partitë politike kanadeze, përfshirë liberalët në pushtet.

“Bazuar në provat e paraqitura gjatë seancave dëgjimore të nënkomitetit, si në vitin 2018 dhe 2020, nënkomiteti konstaton se veprimet e Partisë Komuniste të Kinës përbëjnë gjenocid siç përcaktohet në Konventën e Gjenocidit”, thuhet më tej.

Nënkomiteti vazhdon të rekomandojë dënimin nga Qeveria e Kanadasë të Qeverisë kineze për veprime që “përbëjnë gjenocid”.

Por nënkomiteti ishte i kujdesshëm duke theksuar se dënimi ishte kundër qeverisë komuniste kineze “dhe jo kundër popullit kinez”.

Gjithashtu komiteti rekomandoi që qeveria e Kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau, të bashkëpunojë me vendet e tjera për të lobuar ndaj Kinës për t’ju lejuar vëzhguesve ndërkombëtarë hyrjen në kampet ujgurë në Xinjiang.

Etiketimi i trajtimit të ujgurëve si gjenocid u duartrokit nga ekipi i Organizatës Drejtësi për të Gjithë Kanadanë (Justice for All Canada), një organizatë për mbrojtjen e muslimanëve.

“Ekipi i Drejtësi për të Gjithë Kanadanë përgëzon nënkomitetin parlamentar për publikimin e një liste kërkesash vepruese sot për Qeverinë e Kanadasë për të dënuar veprimet e Kinës kundër muslimanëve ujgurë”, tha organizata në një njoftim për shtyp.

Organizata mbështeti të gjitha rekomandimet e nënkomitetit, përfshirë sanksionet.

“Vendosni sanksione sipas Ligjit për Drejtësi për Viktimat e Zyrtarëve të Huaj të Korruptuar ndaj të gjithë zyrtarëve të Qeverisë së Kinës, përgjegjës për kryerjen e abuzimeve të rënda të të drejtave të njeriut kundër ujgurëve dhe muslimanëve të tjerë turq”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e organizatës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne