Deputetët socialistë kërkesë Markut: Gjej prokurorët që nxorrën përgjimet e Durrësit dhe Dibrës

Deputetët socialistë i kanë kërkuar Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku të marrë masa për prokurorët që nxjerrin sekretin hetimor.

Kjo kërkesë vjen pas publikimi nga gazeta gjermane BILD të disa përgjimeve ku dëgjohen kryeministri Rama, ministrat socialist Gjiknuri e Tahiri, deputetët Manja, Qefalia, Ndreu e Gaçi dhe kryebashkiaku i Durrësit Dako teksa bisedojnë për blerje votash dhe kërcënime ndaj qytetarëve për të votuar PS-në në zgjedhjet në Durrës dhe Dibër.

67 deputetë socialist dhe pesë të tjerë të opozitës së re, përmes një rezolute i kanë kërkuar Zonjës Marku të nxisë:

“Respektimin e ligjit për sekretin hetimor nga çdo prokuror dhe punonjës i prokurorisë. Kuvendi kërkon hartimin dhe nxjerrjen e rregullave të unifikuara për informimin e publikut dhe medias lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale, në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, duke respektuar parimet e parashikuara në ligj në lidhje me ruajtjen e sekretit hetimor.”

Deputetët socialistë, që prej publikimit të audio-përgjimeve nga BILD, nuk i kanë kërkuar prokurorisë të hetojë personat e përfshirë të cilët flasin për shit-blerje votash dhe kërcënime, të dyja këto vepra penale zgjedhore, por kanë kërkuar hetim të prokurorëve apo punonjësve të prokurorisë që nxorrën audio-përgjimet nga dosja 339 dhe 184, ende nën hetim.

Ulsi Manja, kryetari i Komisioneve të Ligjit dhe i përfshirë në përgjimet e Dibrës, mori në mbrojtje kryebashkiakun Dako, menjëherë pasi përgjimet e Durrësit u bënë publike. Në një deklaratë për median, Manja tha se nuk është i shqetësuar për çfarë dhe kush flet në ato biseda, por është i shqetësuar për nxjerrjen e sekretit hetimor nga prokurorët, e cila është vepër penale:

“Nuk jam i shqetësuar për fatin e personave emrat e të cilëve përmenden në atë dosje, por jam i shqetësuar për dy gjëra: e para, agjencitë e zbatimit të ligjit (prokuroria dhe Policia Gjyqësore) duhet të vlerësojnë seriozisht çështjet e daljes në publik të sekretit hetimor dhe të kthehen në hullitë e zbatimit të ligjit, jo vetëm për të hetuar personat e përfshirë në dosjen 339, por edhe brenda vetes të gjithë ata prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore të cilët e kanë braktisur misionin e tyre kushtetues dhe kanë çuar dosjet në zyrat e PD-së. Kjo është thyerje e rëndë e sekretit hetimor. Kjo është vepër penale e dënueshme.”

Më 9 korrik, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela u pyet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për daljen e sekretit hetimor në rastin e dosjes 339. Ajo deklaroi se prokuroria po heton për të gjetur se kush i ka nxjerrë audio-përgjimet nga prokuroria dhe se së shpejti pritet që të gjehen fajtorët./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne