Deputeti i Merkel thirrje qeverisë ‘Rama’: Çështja ‘Xhafaj’, provë e re për çeljen e negociatave

Reporteri i grupit të CDU për Shqipërinë në Parlamentin gjerman deklaron se qeveria shqiptare duhet të sqarojë akuzat e ngritura ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në një intervistë për “Panorama”, deputeti i partisë së kancelares Merkel, Thorsten Frei pohon se për këtë çështje duhet një hetim i pavarur, si dhe pranon se Gjermania do të mbledhë të gjithë informacionin për të formuluar qëndrimin për çështjen e negociatave.

Duke folur për një nga pikat më të debatuara të aktualitetit politik, lidhur me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Frei tha se po e ndejk rastin me shumë vëmendje.

“Po e ndjek rastin por nuk mund ta gjykoj ligjërisht. Duke marrë parasysh zbatimin e ligjit, është e rëndësishme se si e bëjnë këtë politikanët dhe gjykatësit. Kjo do të na tregojë ne se sa serioze është qeveria shqiptare në zbatimin e ligjit”, tha Frei.

I pyetur se si do të reagonte qeveria gjermane nëse do të gjendej në të njëjtën situatë ku ndodhej ajo shqiptare përballë akuzave të opozitës se ministri i Brendshëm ka ndryshuar ligjet e reformës në drejtësi për të mbrojtur vëllain e implikuar në trafik droge, deputeti i CDU tha: “Këto janë akuza shumë serioze, mbi të gjitha duhet të jenë në interes të qeverisë shqiptare që t’i sqarojë këto pohime mjaft shpejt”.

Frei komentoi edhe rrëfimin e “dëshmitarit X’.

“Vendimtare për mendimin tim është sjellja e vetë ministrit. Duhet të jetë e qartë se ai nuk e ka shkelur ligjin për të mbrojtur vëllanë dhe kjo kërkon një hetim të pavarur. Sa i përket vendimit për çeljen e negociatave, ne do të mbledhim të gjithë informacionin në dispozicion do të përpilojmë një tablo të përgjithshme dhe do të formulojmë rekomandimin tonë në përputhje me rrethanat”, tha deputeti gjerman.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne