Shqiperia

Deputeti i PD-së paralajmëron zgjedhje me qeveri tjetër, ja si do realizohet

Në zgjedhjet e ardhshme duhet të shkojmë me një qeveri të re. Kjo ishte deklarata e papritur e deputetit të PD-së Genc Pollo në studion e News 24, ku theksoi se mënyra më e mirë për realizimin e kësaj është ajo e protestave.

“Është e nevojshme që të shkohet në zgjedhje me një qeveri të besueshme. Do ishte në të mirë të vendit të shkonim me qeveri tjetër në zgjedhje”, tha Pollo.

Ai foli gjithashtu mbi  protestën e zhvilluar nga qytetarët e Kukësit për taksën në Rrugën e Kombit, duke thënë se vetëm në këtë mënyrë qeveria mori vesh dhe Kryeministri Rama u detyrua të kërkojë falje.

“Ai bëri një zmbrapsje në qëndrimin e tij. Në atë protestë ishin këshilltarë të PS dhe PD-së. Qe nismë lokale. Ne duhet të kishim bërë shumë më tepër. Në Kuvend ne kemi ngritur zërin. PD është në përpjekje për të mobilizuar siç bllokoi rrugët pas arrestimit të protestuesve. Shpresoj që shoqëria ta gjejë fitilin e vet për t’u ndezur”, tha Pollo.

Për sa i takon Kuvendit Kombëtar të PD-së që do të mbahet në fund të prillit, Pollo theksoi se do të nisin konsultimet drejt kongresit për zgjedhjet.

“Shpresoj të ketë diskutime të vlefshme, siç është edhe kandidati. Kongresi është në fund të muajit, në datë 28-29 prill. Çdo ide kontruktive është e mirëpritur të lançohet”, u shpreh deputeti.

OPINIONE