Deri nesër Toka do të ketë shpenzuar limitin vjetor të resurseve për 2017

Njerëzimi do të përdorë deri në javën e ardhshme limitin e burimeve planetare si uji, toka dhe ajri i pastër për të gjithë vitin 2017, tha një raport të martën.

Dita e Mbingarkesës të Tokës do të mbërrijë më 2 gusht këtë vit, sipas grupeve mjedisore WWF dhe Global Footprint Network. Kjo është një ditë më herët se në vitin 2016.

Kjo do të thotë që njerëzimi do të jetojë me “kredi” për pjesën tjetër të vitit.

“Deri më 2 gusht 2017 do të kemi përdorur më shumë nga natyra sesa planeti ynë mund të rinovojë gjatë gjithë vitit”, thanë grupet në një deklaratë.

“Kjo do të thotë që në shtatë muaj ne kemi emetuar më shumë karbon sesa oqeanet dhe pyjet mund të absorbojnë brenda një viti, kemi kapur më shumë peshk, kemi prerë më shumë pemë, kemi korrur më shumë dhe kemi konsumuar më shumë ujë sesa Toka ka qenë në gjendje të prodhojë në të njëjtën periudhë.”

Ekuivalenti i 1.7 planeteve do të ishte i nevojshëm për të prodhuar mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e njerëzimit në normat aktuale të konsumit.

Llogaritur që nga viti 1986, limiti është arritur më herët çdo vit.

Në vitin 1993 ai ra më 21 tetor, në vitin 2003 ra më 22 shtator, dhe në vitin 2015 më 13 gusht.

Emetimet e gazrave nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit përbëjnë 60 për qind të gjurmëve ekologjike të njerëzimit në planet, thanë grupet.

Por kishte edhe disa lajme të mira. Ndërsa po vjen më herët çdo vit, përparimi i Ditës së Mbingarkesës së Tokës është ngadalësuar, tha deklarata.

Individët mund të kontribuojnë në ndalimin, dhe eventualisht në përmbysjen e këtij trendi, duke ngrënë më pak mish, duke djegur më pak karburant dhe duke reduktuar mbeturinat ushqimore, tha raporti. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne