“Derisa talebanët vazhdojnë sulmet, nuk do të ketë bisedime paqësore”

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka deklaruar se nuk do të zhvillojë bisedime paqësore me talebanët për shkak të sulmeve në Afganistan.

Në një deklaratë nga Zyra e zëdhënësit për media në Shtëpinë e Bardhë, thuhet se dënohen sulmet e ndërmarra në rajonin Pervan dhe në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, ku humbën jetën 48 persona.

“SHBA-të dënojnë me forcë sulmet frikacake të talebanëve kundër popullit afgan. Presidenti (Donald Trump) e ka bërë të qartë se ai nuk do të zhvillojë bisedime paqësore me ta për sa kohë që talebanët vazhdojnë këto lloj sulmesh”, thuhet në deklaratatë.

Gjithashtu edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë tjetër ka dënuar sulmet në fjalë.

Në sulmet e ndërmarra dje në rajonin Pervan dhe në kryeqytetin Kabul të Afganistanit humbën jetën 48 persona.

Kujtojmë se 26 persona u vranë dhe 42 të tjerë u plagosën në një sulm vetëvrasës dje në mëngjes, në një tubim zgjedhor ku merrte pjesë edhe presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, në rajonin Pervan të vendit. Më tej u njoftua se presidenti Ghani shpëtoi pa pësuar ndonjë plagë dhe se shumica e viktimave ishin civilë.

Ndërkohë pas sulmit të parë një sulm i dytë vetëvrasës ndodhi pranë Ambasadës së SHBA-ve në Kabul ku humbën jetën 22 persona dhe u plagosën 38 të tjerë. Edhe në sulmin e dytë shumica e viktimave ishin civilë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne