Shqiperia

Dëshmia befasuese e Shullazit: Biznesmeni Beqja më puthi 7 herë

Emiljano Shullazi ka dëshmuar ditën e djeshme para Gjykatës së Krimeve të Rënda duke treguar versionin e tij për njohjen me biznesmenin Ylvi Beqja dhe tjetërsimin e ish-hotel “Vollgës”.

Marrja në pyetje e Shullazit në seancë, u bë pa pëlqimin e avokatëve të tij mbrojtës, por me pëlqimin e vetë të pandehurit, i cili donte të dëshmonte. Shullazi ka sjellë një panoramë tjetër nga ajo që ka deklaruar Ylvi Beqja, i cili është edhe dëshmitar i mbrojtur.

Sipas Shullazit, ka qenë Beqja ai, që ka kërkuar ndihmën e tij për ishhotel “Vollgën” në vitin 2011, pasi kishte probleme dhe ndihej i kërcënuar nga pala tjetër që pretendonte pronësinë. Gjithashtu, Shullazi ka thënë në sallën e gjyqit se nuk e ka kërcënuar kurrë Beqen.

Ai madje ka përmendur edhe emrin e gjyqtares Fatmira Hajdari, e veja e Azem Hajdarit. Sipas Shullazit, Beqja i kishte thënë se Hajdari po i prishte punë në Apel me pronësinë e ish-hotel “Vollgës” dhe se ai i ka dërguar sms përmes numrit të Gilmando Danit për këtë çështje, duke marrë edhe përgjigjen e saj mbrapsht, por pa e ditur se çfarë ndodhi më pas me gjyqin. Më tej, i pandehuri ka thënë se ka marrë për Ylvi Beqen 100 mijë euro borxh te biznesmeni Shyqyri Duraku, të cilat më pas u përfshinë në formën e pronës në aktin e dhurimit të ish-hotel “Vollgës”.

Në këtë seancë pati edhe debate mes tij dhe prokurores Elisabeta Imeraj. Lidhur me kërcënimin e biznesmenit Jani Zakja, Shullazi ka thënë se u vu në dijeni të një konflikti mes biznesmenit Fatmir Sinani dhe Zakes për një parking. Sipas tij, Fatmiri i kishte thënë se kishte lënë disa para në loton e Zakes dhe i kishte lënë peng parkingun. Por, kur Shullazi u takua me Zaken, ky i fundit i tha se e kishte zgjidhur te noteri problemin me Sinanin.

NJOHJA ME BEQEN

“E kam takuar në vitin 2011, në qershor. Ylvi Beqja ka jetuar në lagjen time dhe e njihja vetëm pak. Ka qenë një mik nga Gjermania, që më tha përmes telefonit ta takoja, se kishte disa probleme me disa persona. Beqja m’u prezantua si biznesmen dhe person me imunitet që e kishte qendrën në Gjenevë. Më kërkoi ndihmë të ndërhyja për një pronë. Më tha, se kur të bënte një pallat aty, do të më jepte tri hyrje. Mua m’u dukën pak dhe nuk pranova. Më pas, në vitin 2014, më merr përsëri ky miku nga Gjermania dhe më thotë se do takoja sërish Beqjen se kishte një problem. U takuam në një makinë para shtëpisë sime dhe më kërkoi bashkëpunim për të marrë ish-hotel “Vollgën”. Më tregoi se ishte në gjyqe dhe se nuk kishte të drejtë ta merrte pronën.

Më pas, kam takuar edhe avokatin e tij që kishte atëherë (Neshat Fana). Ndihma kishte të bënte me një kontratë që kishte bërë nipi i tij për ish-hotelin. Ai kishte kërcënime nga pala tjetër, më të cilën ishte në gjyq dhe donte të bëja rolin e ndërmjetësit. Më tha se ishte i dorëzuar me gjykatat dhe se kishte shpenzuar shumë në gjyqe, nëse e ndihmoja, do të fitoja 1 milionë e 400 mijë euro. Tani, gjyqin e Shkallës së Parë, sipas Ylviut, e kishte fituar shoqëria arabe, që kishte pasur më përpara hotelin. Në Apel fitoi pala tjetër, që kishte konflikt me Ylviun, Zamir Hasa. Ndërsa Ylviu e mori pronësinë vetëm me një firmë te Hipoteka e Durrësit.

Sa i përket kontratave, kemi bërë një marrëveshje në fillim te një noter në Tiranë. Më tha, do fitosh kaq dhe unë firmosa, por nuk lexova gjë. Po më vonë, kur e mësova, kontrata nuk më pëlqeu, sepse përfitoja më pak se sa e kishim lënë në fillim. Unë për fitimin hyra në këtë punë. Pastaj nisën problemet me gjyqet. Ylviu po më zvarriste. Më thoshte duhet të tjetërsojmë pronën, çmimi po zbriste. Asnjë blerës nuk afrohej për shkak të gjyqeve dhe unë s’po e merrja pjesën time. Ai më gënjente duke më thënë se kam gjetur blerës, jo do ia shes Pacollit e jo një tjetri”.

MESAZHET ME FATMIRA HAJDARIN DHE KËRCËNIMET

“Me gjyqet merrej Ylviu, unë s’kam ndjekur gjë. Më ka dhënë një herë numrin e Fatmira Hajdarit dhe më tha se ajo po na prishte punë me procesin, po na rrezikonte pronën dhe pastaj na doli që ishte dikush tjetër. I kam çuar sms Fatmirës me numrin e Gilmando Danit dhe më ka kthyer përgjigje.

Tekstin nuk e mbaj mend dhe nuk e di se çfarë ndodhi me Fatmirën më pas, a dha dorëheqjen apo jo. Gjatë kohës që ka qenë me mua, Ylvi Beqja nuk është kërcënuar asnjëherë. Ai fliste shumë, thoshte 100 gjëra në ditë dhe vetëm gënjente. Sipas tij, i kishte dhënë lekët shoqërisë për ish-hotelin, ndërsa nga ana tjetër më thoshte të prishnim kontratën. Por, ndërkohë, çmimi i pronës po binte ditaditës. Unë nuk kisha pse e kërcënoja Ylviun.Marrëdhëniet i kisha shumë të mira me të. Ai më rrinte gjatë gjithë kohës mbrapa dhe më vinte edhe në shtëpi. Kur humbi gjyqin në Apel, donte të vriste veten. Sa i përket kontratës së dytë te noterja në Durrës ai gënjen. Unë nuk kisha arsye ta kërcënoja. Ne shkuam atje në Durrës se ky nuk mund ta shiste pronën, vetëm mund ta shkëmbente ose ta dhuronte. Ka qenë duke më pritur te noterja dhe shkova vetëm me Gilmando Danin.

Endrit Qyqja s’ka qenë fare. Bëmë kontratën ku unë do të merrja 700 metra katrorë me çmim 2000 euro për metër katrorë, plus edhe 50 metër katrorë për 100 mijë euroshin që i kisha dhënë borxh dhe ishim në rregull. Firmosëm kontratën dhe më ka puthur 7 herë në faqe. Nuk e kam kërcënuar. Marrëdhënia jonë ka qenë shumë e mirë deri në momentin që jam arrestuar”.

OPINIONE