Dëshmoi në SPAK, ish-ministri Tahiri flet për mediat: U pyeta për ’21 janarin’, ngjarje që duhet zbardhur

Ish- ministri Saimir Tahiri u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme. Pas 1 orë e 20 minuta para prokurorëve të SPAK, ish ministri u shpreh për mediat se ishte thirrur për t’u pyetur në lidhje me “21 janarin” dhe një kallëzim të bërë në vitin 2015 prej tij.

U pyeta për rolin që kam pasur në datën 21 janar dhe kallëzimin që kam bërë në vitin 2015. I qëndroj pikë për pikë asaj që kam thënë. Roli im ka qenë protestues. Të gjithë kemi qenë protestues. Është një ngjarje që duhet zbardhur. Shpresoj shumë të zbardhet ’ tha ai për gazetarët pasi doli nga SPAK. Në atë kohë Tahiri ka mbajtur detyrën e deputetit të PS-së, ndërsa pas ardhjes së PS-së në qeveri u emërua në postin e ministrit të Brendshëm.

Një ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme u paraqit deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, i cili dha dëshminë si person që ka dijeni për ngjarje pasi ka qenë një nga organizatorët e protestës së 21 janarit 2011 para kryeministrisë ku mbetën të vrarë 4 protestues.

Në kuadër të këtij hetimi janë marrë në pyetje dhe ish drejtori i Përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe një ditë më pas dëshmoi edhe zëvendësi i tij Agron Kuliçaj.  Të dy janë akuzuar për skandalin e zbatimit të urdhrave të arrestit të prokurorisë 18 ditë me vonesë, për Ndrea Prendin dhe 5 gardistët e tjerë, që dëmtoi rëndë hetimin.

SPAK nisi hetimet për protestën e përgjakshme të 21 janarit 2021 në bulevard pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit, zyrtarë nën juridiksionin e SPAK. Strasburgu e quajti krim shtetëror që duhej zbardhur: kush dhe si u dha urdhri për vrasjet shtetërore të 21 janarit  dhe roli i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, përkatësisht kryeministri dhe ministri i Brendshëm i kohës.

Pak ditë më parë SPAK ka dërguar në laborator për ekspertim audio kasetën e dorëzuar pak javë më parë, e cila sipas familjareve të Aleks Nikës, një nga katër të vrarët në bulevard, tregon se vrasjet janë krim shtetëror dhe janë kryer me urdhër. Në materialin audio dëgjohet Ndrea Prendi, komandanti i atëhershëm i gardës, që jep urdhër të hapet zjarr luftarak mbi protestuesit, pra jo më plumba manovër.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress