Dështimi i marrëveshjes me FMN-në rrezikon edhe 50 milionë euro të BE-së

Për shkak të mungesës së programeve të Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që vjen si pasojë e dështimit të marrëveshjes së re, Kosova rrezikon që të humbë edhe 50 milionë euro nga Bashkimi Evropian.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë Radios Evropa e Lirë se performanca në kuadër të programit të FMN-së është me rëndësi qenësore në vlerësimin e BE-së për stabilitetin makro-fiskal në Kosovë.

Prandaj, sipas tyre, miratimi dhe zbatimi i programeve të BE-së do të duhet të vlerësohet në këtë kontekst.

BE-ja, aktualisht është duke përgatitur dy programe nga Sektori Mbështetës për Buxhetit, për të përkrahur Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike në Kosovë, me një vlerë prej 50 milionë euro. Për të përfituar mbështetje nga Sektori për Buxheti i BE-së, një kriter i domosdoshëm është stabiliteti makro-fiskal”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së Kosovë.

Marrëveshjet me FMN-në i kanë ndihmuar Kosovës në vazhdimësi që të marrë kredi me kushte shumë të volitshme, si nga Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, vlera e të cilave ka arritur në 400 milionë euro.

Ndërkohë, projektet që nuk do të arrijnë të adresohen, në rast të dështimit të marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar, në përgjithësi kanë të bëjnë me përmirësimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në kohën kur marrëveshja ishte nënshkruar, autoritetet e Kosovës patën deklaruar se këto mjete do të kenë fokus projektet në fushën e bujqësisë, në ujitjen e tokave, të infrastrukturës hekurudhore dhe projekte të tjera në arsim dhe shëndetësi.

Marrëveshja ekonomike, në vlerë prej 185 milionë euro mes Kosovës dhe FMN-së, e arritur në vitin 2015 me një kohëzgjatje prej 22 muaj, skadon në gusht të këtij viti.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se nga kjo marrëveshje janë edhe 16 milionë euro që nuk mund të merren kredi, pa pasur rishikim të katërt të marrëveshjes, nga misioni i FMN-së.

Por, që ky mision për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe situatës politike të krijuar në vend nuk kishte zhvilluar takimet.

Në Kosovë, më 11 qershor ishin mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por që deri më tani nuk është arritur të formohen institucionet e reja të vendit. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 3 gusht.

Ndërkohë, për ekspertë të çështjeve ekonomike, humbja e këtyre mjeteve dhe fondeve nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, do të ketë pasoja shumë dimenzionale.

Eksperti i ekonomisë Naim Gashi thotë se përveç alokimeve të drejtpërdrejta të këtyre mjeteve në shumë fusha, buxheti i Kosovës do të ketë ngecje.

Çdo ditë që vonohet në konstituimin e institucioneve ,do të ketë një kosto financiare për ekonominë për qytetarët e Kosovës dhe për buxhetin e shtetit. Konstituimi sa më i shpejt i institucioneve të Kosovës është nevojë jetike për vendin. Unë dyshoj që Kosova do ta përsërit ngërçin që ka pasur në vitin 2014, ku si pasojë e këtij ngërçi, kishim një rritje ekonomike vetëm prej 1.2 për qind dhe një frenim të investimeve, të realizimit të projekteve kapitale”, thekson Gashi.

Gashi shton se projektet që dështojnë nga mosrealizmi i këtyre fondeve, përveç tjerash kanë të bëjnë në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe projekte të tjera.

Sa i përket asaj se cilat projekte do të pësojnë më së shumti është arka e shtetit, likuiditeti financiar dhe realizimi i projekteve në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik forcimit të sektorit privat ruajtjes së mjedisit dhe është sektori energjisë së ripërtritshme nga alokimi i mjeteve sidomos i mjeteve të Komisionit Evropian”, thekson Gashi.

Marrëveshje ekonomike në vlerë prej 185 milionë euro ndërmjet Kosovës dhe FMN-së ishte rrezikuar të ndërpritej edhe në vitin 2016, kur projekt-buxheti i Kosovës ishte në rrezik të mosmiratimit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, anëtar i së cilës Kosova është që nga viti 2009, në vitin 2011 pati ndërprerë marrëveshjen Stand By Arrangment me Qeverinë e Kosovës, për shkak se kjo e fundit kishte devijuar nga programi, respektivisht shkaku i rritjes së pagave në sektorin publik, pa pëlqimin e këtij misioni.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne