Dështon projekti i adresave, shtyhet edhe 6 muaj të tjerë

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj shpjegoi, në një intervistë për Balkan Insight, domosdoshmërinë e krijimit të një sistemi të centralizuar të adresave të qytetarëve, të lidhur me sistemet e të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elekrike (OSSHE) dhe të Ujësjellës Kanalizimeve (UKT).

Nisma për hartimin e këtij sistemi të dhënash është prezantuar nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në nëntor 2015, por projekligji u votua në Parlament vetëm në shtator 2016.

Plani fillestar parashikonte që regjistrimi i adresave të përfundonte brenda vitit 2016, në kohë për të kryer dhe korrigjimet e nevojshme përpara zgjedhjeve. Kështu në zgjedhjet e 2017-ës jo vetëm që do të kishte të dhëna të sakta, por do t’i jepej mundësia dhe emigrantëve për të marrë pjesë në votime.

Në një intervistë për gazetën Panorama në korrik 2016, Zoti Doracaj u shpreh:

Deri në fund të muajit qershor, qytetarët e Republikës së Shqipërinë janë 4.415.000. Sa u takon zgjedhësve pa adresë, mund të them se që prej 2010-s në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile nuk ka ardhur asnjë vendim i Këshillave bashkiakë apo komunalë […] si i tillë regjistri i adresave ka që në 2010-n që nuk është azhornuar me ndryshimet. Kështu që duke rritur këtë ndërveprim [mes institucioneve] dhe duke bërë një sistem adresash nëpërmjet trokitjes derë më derë të çdo apartamenti, ne do të bëjmë që numri i zgjedhësve me kodin 999, 888 dhe 000 të shkojnë në zero. Aktualisht kemi rreth 300 mijë shtetas me adresë të paidentifikuar. Objektivi ynë është që deri në 31 dhjetor, të gjithë shtetasit të kenë një adresë funksionale.

Afati i parashikuar nga Zoti Doracaj është shkelur tashmë, pasi trokitja derë më derë e përfaqësuesve të institucioneve ka nisur në janar 2017. Në shumë raste formularët e deklarimit hidhen poshtë derës me pak apo aspak informacion për mënyrën e plotësimit apo nëse informacioni personal do të trajtohet në mënyrë konfidenciale nga qeveria.

Në intervistën e tij të fundit për Balkan Insight, Zoti Doracaj deklaroi se afati i fundit i projektit do të jetë 28 korriku, duke dështuar kështu në përmbushjen e një prej qëllimeve kryesore të gjithë nismës: identifikimin e 300 mijë adresave të humbura dhe reduktimin e mundësive për ndërhyrje apo gabime gjatë votimeve.

Duke e shtyrë afatin pas zgjedhjeve, mundësia për të rritur besueshmërinë e procesit të votimit, si dhe rasti për t’i dhënë emigrantëve mundësinë e votimit ka humbur.

Zoti Bledar Doracaj, më tej, shpjegon:

Në rastet kur qytetarët nuk i përgjigjen kërkesës për të deklaruar adresën e banesës apo biznesit, policia bashkiake do të vijë në ndihmë.

Është e paqartë se çfarë “ndihme” e policisë bashkiake do të ofrohet në raste të tilla, pasi nuk ka kuadër ligjor ku parashikohet që policia bashkiake mund të detyrojë qytetarët të dorëzojnë kontratat e tyre të qirasë, faturat e ujit apo të energjisë elektrike. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte një shkelje e rëndë e privatësisë së qytetarëve./exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne