nga Olsi Jazexhi
Deklarata që katër komunitetet fetare të Shqipërisë, Komuniteti Mysliman, Kisha Orthodhokse Autoqefale, Kisha Katolike dhe Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve, dhe Kisha e Ambasadës Amerikane “Vëllazëria Ungjillore” kanë bërë dje për ti paraprirë protestës që opozita shqiptare do të bëj sot në Tiranë, është një nga përpjekjet që qeveria Rama dhe mbështetësit e saj euro-amerikanë bëjnë për të mbajtur larg protestave demokratike qytetarët e Shqipërisë. Deklarata e komuniteteve fetare, e cila duket sikur të jetë shkruar në zyrat e ambasadës amerikane në Tiranë apo në zyrat e organizatës Mjaft të Erion Velisë, i ngjan shumë thirrjeve anti-demokratike që ambasadat perëndimore kanë bërë në ditët e fundit ndaj qytetarëve shqiptarë dhe të huaj që të qëndrojnë larg protestës së opozitës. Zgjedhjet e 18 qershorit 2017 të cilat po bojkotohen me të drejtë nga opozita shqiptare, dhe në të cilat do të kandidojnë vetëm ish-komunistët (PS + LSI) janë zgjedhjet më të turpshme që Shqipëria ka mbajtur që prej kohës së komunizmit. Që prej sjelljes në pushtet të Edi Ramës, ambasada amerikane, Sorosi dhe mafia perëndimore që sundon Shqipërinë janë përkujdesur që Shqipërinë ta kthejnë në një vend gjysëm koloni të Perëndimit.
Qeveritarët sorosianë të Shqipërisë, që nga Edi Rama, Erion Veliaj, Milva Ekonomi, Endri Fuga, Ditmir Bushati etj përveç pasurimit të vetes janë përkujdesur që në këto vitet e fundit, sponsorëve të tyre perëndimorë tu shesin të gjithë asetet e Shqipërisë. Ndërsa Shqipëria zhytet në borxhe dhe borxhi i jashtëm bruto ka shkuar mbi 8 miliardë euro, Edi Rama dhe banda e tij jo vetëm që nuk kanë bërë gjë që të ulin rrënimin e Shqipërisë dhe përmirësojnë jetën e shqiptarëve por në të kundërt, me marrëveshjet kriminale që kanë bërë me Bankën Botërore dhe FMN-në vetëm se kanë rritur borxhin që qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë ndaj mafies perëndimore e cila ka kapur pushtetin e Shqipërisë.
Bankierët që sollën në pushtet qeverinë e Rilindjes në vitin 2013 në këto 4 vitet e fundit kanë marrë pas shpenzimet që ata bënë kur sollën Ramën si kryeministër të Shqipërisë. Si pasojë që prej ardhjes në pushtet qeveria Rama jo vetëm që ka shpërblyer bankierët perëndimorë më pasuritë e Shqipërisë, siç ishte rasti i Bankers Petroleum, por ka ngritur taksat, gjobat, ndërshkimet, burgosjet dhe haraçet në çdo aspekt të jetës së shqiptarëve. Është rritur pagesa për energjinë elektrike, ujin, legalizimet, taksat e pronave, makinave, shkollimit, shëndetësisë etj. Jeta nëpër qytete sikur Tirana është kthyer në një skëterrë të vërtetë. Shqiptarët që zbresin në Tiranë nga qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, mundësi punësimi kanë patur ose nëpër call-centers, fasone, ose në ndërtim ku ata trajtohen si kafshë dhe paguhen me pagesë minimale. Elitat kapitaliste që janë ndërtuar në Tiranë në kohën e qeverisë Rama i shfrytëzojnë punëtorët në maksimum. Gratë shpesh shfrytëzohen jo vetëm për punën e tyre nëpër kompani të ndryshme, por në shumë raste edhe seksualisht nga bosët mizorë. Çmimet e ndërtimeve që kanë shkuar në stratosferë nga dyshja Rama – Veliaj e kanë bërë mundësinë për të ardhurit në Tiranë që një ditë të posedojnë një banesë për familjen e tyre“një ëndër amerikane”. Të përballur me terrorizmin e varfërisë, shfrytëzimit kapitalist dhe pamundësisë për të patur një strehë mbi kokë, brezi i ri shqiptar nuk martohet më. Është prishur familja dhe si pasojë ngrohtësinë e saj e ka zëvendësuar degjenerimi seksual.
Erion Veliaj sëbashku me Ramën, duke rritur çmimet referencë për ndërtimet, taksat mbi ndërtuesit etj, kanë dënuar me skllavëri të përjetshme qindra mijëra shqiptarë të cilët me rrogat e tyre prej 240 USD në muaj e kanë të pamundur që të blejnë edhe për 50 vjet një shtëpi për veten e tyre në kryeqytet, i cili është qendra kryesore e punës në vend. Duke mos patur mundësi ekonomike, disa sish janë detyruar të zhysin veten në fajde me bankat të cilave duhet tu paguajnë haraçe për shtëpinë e tyre sa frengu pulën, ndërsa shumica tjetër absolute jeton me qera apo mbipopullojnë banesa të të afërmve. Qeveria Rama – Veliaj, siç kanë treguar edhe drejtuesit e FMN-së, pas zgjedhjeve të 18 qershorit 2017 do të nisin të taksojnë qytetarët e Shqipërisë edhe për shtëpitë e tyre. Në Tiranë, taksa për banesë do të shkoj nga 300 deri 100 USD në vit. Pra një pensionist i cili ka punuar rreth 25 vjet dhe jeton me një pension rreth 100 USD në muaj do të duhet që të mbesi një muaj në vit pa bukë për të paguar taksën Veliaj-Rama. Ata qytetarë që nuk do të paguajnë dot taksën e shtëpisë, siç ka treguar Ben Blushi disa muaj më parë, do u konfiskohen shtëpitë dhe do të përfundojnë në rrugë.
Që kur erdhi në pushtet, qeveria Rama-Veliaj burgosi me qindra qytetarë që nuk paguanin energjinë, dhe siç kemi dëshmuar edhe më parë, burgosjet e kësaj qeverie shkojnë që nga mos-pagimi i energjisë e deri te mos patja e patentës kur nget makinën. Si pasojë dhjetra qytetarë ose kanë vrarë veten, ose i shohim herë pas here sesi kërcënojnë publikisht opinionin publik me akte vetëvrasje, pasi nuk kanë më mundësi për të përballuar jetën.
Zullumi i qeverisë Rama-Veliaj ka penetruar edhe në fshat. Qeveria Rama i ka bllokuar fshatarët shqiptarë që të shesin qepët, domatet dhe frutat e zarzavatet e tyre në treg. Taksidarët e policisë tatimore gjobisin e burgosin fshatarët që duan të shesin prodhimet e tyre në qytet nëse më parë nuk i paguajnë haraçin qeverisë – dhe kjo FMN-së dhe bankierëve perëndimorë. Ndërsa zabitët e policisë bashkiake gjobisin katundarët kur ata mundohen të shesin ndonjë qepë apo qumësht në rrugët e Tiranës dhe u konfiskojnë mallrat fshatarëve. Qeveria Rama ka nxjerr ligj sipas të cilit nëse fshatarit i pjell lopa viç apo delja shqerrë, dhe ai nuk e regjistron atë në komunë dhe të paguaj taksë për bagëtinë, qeveria shkon dhe i konfiskon bagëtinë. Të bllokuar nga taksidarët e policisë tatimore të cilët ngrenë pusi në çdo rrugë dhe arterje të Shqipërisë, të goditur edhe nga kriza greke, sot me mijëra fshatarë i janë turrur kultivimit të drogës. Nëpër lajme shohim përditë me dhjetra qytetarë që arrestohen, burgosen, pasuritë që u konfiskohen etj vetëm pse kanë rritur disa fidanë hashash. Lajmet të japin përshtypjen sikur i gjithë populli shqiptar është trafikant dhe kriminel. Megjithatë punët nuk janë kështu. Fshatari që rrit drogën e bën këtë pse qeveria nuk e lejon të merret me bujqësi. Nuk e lë të shesi frutat e perimet e bagëtinë në qytet, pasi për çdo gjë qeveria kërkon haraçin. Fshatari i cili nuk ka para të blej kripë dhe sheqer dhe të paguaj energjinë për çilimijtë e tij, nuk ka rrugë tjetër por të rrisi drogë.
Borgjezia kompradore e favorizuar nga pushteti në anën tjetër sjell me shumicë nga jashtë prodhime industriale të BE-së të cilat e bëjnë punën e fshatarit të kotë. Në këto kushte kur qeveria sorosiane shqiptare është në shërbim total të qarqeve të huaja dhe sillet me shtetasin shqiptar sikur ta ketë armik, fshatari i varfër dhe i mjeruar ka katër rrugë: ose të jetojë në varfëri dhe të rrisë ushqim sa për vete, ose të braktisë qytetin dhe të punoj si skllav në qytet, ose të vrasë veten dhe ti thotë lamtumirë mjerimit ekonomik, ose të rrisë drogë në fshehtësi me të cilën të mundi të ushqej familjen, të blej makineri dhe të modernizojë bujqësinë e tij.
Kjo është situata me të cilën përballet Shqipëria sot.
Por kjo situatë mjerane nuk është trajtuar aspak në deklaratën që katër komunitetet fetare plus protestantët amerikanë bënë për situatën politike në Shqipëri. Në vend që të denonconin dhunën e qeverisë kundër qytetarëve, vjedhjen e votave dhe mjerimin ku ka rënë vendi, komunitetet fetare luteshin dhe apelonin që të mos ketë destabilitet në vend. Në deklaratën hipokrite, komunitetet fetare i harruan ata miliona shqiptarë që rrojnë në varfëri, ata qindra mijëra qytetarë që nuk kanë shtëpi por rrojnë me qera apo ata qindra qytetarë që vrasin veten pasi nuk kanë mënyrë jetese në vend. Deklarata jo vetëm që nuk i nderoi komunitetet fetare, por i bëri deja vu diktumit të Leninit i cili thoshte që feja përdoret si opium nga kapitalizmi për të droguar skllevërit e kapitalizmit dhe vënë ata në gjumë.
Deklarata e komuniteteve fetare ndërsa i shkon për shtat qeverisë Rama dhe ambasadave perëndimore që duan të zgjasin jetën e qeverisë sorosiane të Rilindjes, shkon kundër mësimeve të Jezu Krishtit dhe Muhamedit a.s. Sikur Krishti dhe Muhamedi a.s. të ishin gjallë dhe mes nesh, ata do të kishin kundërshtuar me forcë situatën e mjeruar në të cilën jetojnë shqiptarët sot. Krishti ashtu sikur i dëboi fajdexhijtë nga Tempulli i Jeruzalemit, ashtu do kishte dëbuar edhe Edi Ramën dhe bandën e FMN-së dhe bankierëve të tjerë që qëndrojnë pas tij nga Shqipëria. Jezu Krishti do e kishte mallkuar ish-misionarin protestant Erion Veliaj i cili sot është kthyer në krye judën e mafies së ndërtimeve të Tiranës, dhe që falë ngritjes së çmimeve që ai i ka bërë industrisë së ndërtimit, sot shqiptarët e ëndërrojnë një banesë ashtu sikur edhe Velija ëndërrontë të shihte Jezu Krishtin kur dridhej në ekstasi dhe brohoriste Haleluja në të ri të tij.
Edhe Muhamedi a.s. do kishte bërë të njëjtën gjë. Allahu dënon në Kuran vjedhjen dhe varfërimin me të cilin shqiptarët përballen në ditët tona.
Destabilizimi politik që mund ti vijë Shqipërisë në ditët në vijim nga protesta e opozitës nuk është ndonjë e keqe e madhe dhe nuk është diçka që shqiptarët nuk kanë parë më parë. Erion Velija është trajnuar nga Sorosi nëpërmjet organizatës Mjaft, Kmara dhe Otpor në Serbi, Ukrainë dhe Gjeorgji mbi mënyrat e destabilizimeve të qeverive. Qeveria sorosiane Rama – Veliaj në pushtet në vitin 2013 erdhën pasi Rama – Veliaj destabilizuan Shqipërinë vite më parë dhe i morën Partinë Socialiste socialistëve të Nanos dhe e kthyen atë në një bastion të sorosizmit.
Edhe pse destabilizimi i Shqipërisë kësaj here nuk do të vijë më nga Lëvizja Mjaft e Erjon Velisë dhe Edi Ramës, ky destabilizim nuk është as i pari dhe as i fundit në historinë e Shqipërisë.
Destabilizimet politike të cilat sjellin përmbysjen e qeverive zullumqare dhe ardhjen e qeverive më të mira janë pjesë e ciklit të ndryshimit të pushtetit në historinë njerëzore. Shqiptarët përfituan nga destabilizimi politik kur rrëzuan diktaturën e komunizmit në vitin 1991. U çliruan nga dhuna shtetërore e kohës dhe ndërtuan një shoqëri të lirë. Rënia e komunizmit erdhi nëpërmjet protestave demokratike dhe përleshjes së qytetarëve me regjimin e kohës. Në atë kohë ashtu sikur edhe sot, qytetarët ishin të pakënaqur me pushtetin. Dhe nga destabilizimi i atij pushteti erdhi liria e shqiptarëve. Edhe sot, nëse qytetarët shqiptarë rrëzojnë regjimin sorosian Rama-Veliaj dhe e zëvendësojnë atë me një më të mirë (jo me regjimin e Lul Bashës, pasi edhe ai nuk ndryshon shumë nga të tjerët), ata do të mund të përmirësojnë jetën e tyre dhe rifitojnë liritë të cilat i kanë humbur në vitet e fundit.
Komunitetet fetare e dinë mirë që qeveria Rama – Veliaj nuk do të zgjasë përjetë, pasi Allahu që ka krijuar jetën dhe vdekjen, një ditë do të dëboj edhe sundimin sorosian nga Shqipëria. Ashtu sikur Muhamedi a.s. që rrëzoi regjimin e kurejshëve në Mekë apo të krishterët që transformuan tiraninë romake, edhe qeveria Rama – Velija do të shkojë një ditë. Në një kohë kur në Shqipëri zgjedhjet vidhen nga bandat e qeverisë në pushtet, kur opozita bojkoton zgjedhjet pasi e di që e ka të pamundur të garojë e lirë, e kur partitë e vogla nuk kanë shanse të kalojnë limitet anti-demokratike që ligjet shqiptare përcaktojnë për të hyrë në parlament, qytetarët herët a vonë do i kthehen protestave, sipas stilit ukrainas, gjeorgjian dhe shqiptar. Kuptohet që padronët euro-amerikanë të qeverisë Rama-Veliaj nuk duan protesta dhe duan që mundësisht qeveria e Rilindjes të zgjasë deri në ditën e Kiametit duke taksuar shqiptarët. Por ja që rregulli i historisë nuk është kështu. Qeveritë filo-amerikane të Shakashvillit në Gjeorgji apo diktatura të tjera të ngjashme janë rrëzuar nga protestuesit demokratikë, të cilët kanë larguar elitat e korruptuara nga pushteti.
Destabiliteti politik është i mirë. Ai sjell anarki, shkatërron dhunën që pushteti ndërton mbi individin dhe i jep qytetarëve hapësirë që të marrin frymë lirisht. Mos bindja qytetare ndaj qeverive diktatoriale dhe kriminale është plotësim i mesazhit të Islamit i cili synon çlirimin e njeriut nga dhuna e njeriut.
Jo më kot, edhe vetë Mao Che Duni destabilizimin e lavdëronte me diktumin:
Çdo gjë në këtë nënqiell është në kaos: situata është e shkëlqyer!