Detaje nga arratisja e Daut Lazes nga burgu i Shënkollit: Doli për ajrim, mori një llamarinë dhe me të kapërceu murin

Detaje të reja janë bërë të njohura nga arratisja e Daut Lazes nga burgu i Shënkollit mbrëmjen e së hënës (3 Shkurt).

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, nuk rezulton që 49-vjeçari të jetë ndihmuar nga persona të tjerë brenda burgut që janë staf, por ai ka shfrytëzuar momentet që ka qenë në sektorin e trajtimit mjekësor.

Ndërkohë, nëna e Daut Lazes ka treguar për mediat se nuk ka asnjë informacion për të birin.

“Jam nëna. S’ka telefonuar. Nuk kemi asnjë haber fare, po të kisha do të thosha”, është shprehur ajo për mediat.

Kujtojmë se gardianët kanë konstatuar mungesën e tij vetëm në momentin kur është bërë ndërrimi i turneve, ndërkohë Policia e Shtetit është vënë në ndjekje të tij.

Përveç kontrolleve të imtësishme nëpër vendet ku dyshohet që mund të strehohet, policia kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve duke hedhur shpërblimin prej 10 mijë euro kush jep informacion për vendndodhjen e tij, por deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme u bë me dije se nuk kishte asnjë gjurmë të shtetasit Daut Laze, 49 vjeç, i cili përpos të tjerave, është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Drejtoria e Burgjeve ka theksuar se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe se është arrestuar që prej vitit 2021. 49-vjeçari nga Çorovoda, por me banim në Tiranë, mësohet se ndodhej i shtruar në dhomën e mjekimeve në spitalin e burgut të Shënkollit.

Daut Laze është arrestuar më 16 nëntor të vitin 2021 për dhunë në familje. Në 4 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës vendosi për të “Mjekim të detyruar në një institucion spitalor”, dënim të cilin po e vuante në burgun e Shënkollit, aty ku u zhvendosën të gjithë të dënuarit me probleme të shëndetit mendor pas mbylljes së Zaharisë për kushte çnjerëzore./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne