Shqiperia

Detajet e krimit horror në Shkodër, policia e gjen të masakruar 59-vjeçaren

Si një skenë horror mund të përshkruhet vrasja e 59-vjeçares, Suzana Shemuni në Shkodër. Sipas policisë, 69-vjeçari me të cilin ajo bashkëjetonte prej 3 vitesh, kishte kryer një masakër tek partnerja e tij. Ai e ka goditur me çekiç në kokë viktimën duke i shembur pjesën më të madhe me një mjet të fortë që përdoret nga hekur thyesit. Suzana Shemuni ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

E sinjalizuar në mënyrë operative, efektivë të policisë së Shkodrës menjëherë kanë shkuar në vendngjarje duke konstatuar masakrën e bërë. Pas krimit të rëndë autori Bashkim Teli e la trupin e pajetë të bashkëjetueses në banesë dhe nxitoi të arratiset.

Por pak minuta pasi doli nga pallati, 69-vjeçari u arrestua nga policia diku pranë banesës. Ai nuk ka bërë rezistencë ndërsa policia i ka vënë prangat dhe e ka dërguar në komisariat.

Mësohet se në dëshminë e tij në polici Teli ka treguar qetësi teksa ka rrëfyer se e goditi bashkëjetuesen me mjetin e fortë pas një debati të çastit. Teli dhe Shemuni kishin pasur martesa të mëparshme dhe prej 3 vitesh provuan një bashkëjetesë, e cila u kthye në një tragjedi për 59-vjeçaren.

OPINIONE