Deutsche Welle: Refugjatët do dërgohen me anije në portin e Durrësit; malet e veriut do shërbejnë si barrierë natyrale

Hezitimi i Qeverisë shqiptare për të thënë një ‘jo’ të prerë për propozimin për ta kthyer vendin në një kamp gjigant refugjatësh, po ndikon që mediat e huaja ta paraqesin gjithnjë e më shpesh vendin tonë si “shpëtimin e Bashkimit Europian” dhe në veçanti të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Media gjermane ‘Deutsche Welle’ shkruan se një marrëveshje me Shqipërinë mund të shpëtojë pushtetin e Merkelit në Berlin, të cilës i është lënë afat nga partnerët e koalicionit jo më shumë se 10 ditë për të gjetur një zgjidhje për refugjatët, në të kundërt Gjermania do i kthejë azilkërkuesit në kufi.

Por ajo që është më shqetësuese në këtë raportim është se Shqipëria po reklamohet si vend që i ka kapacitet për këtë situatë, ndërkohë që situata në terren nuk tregon të njëjtën gjë, për të mos folur për faktin se qytetarët shqiptarë as nuk po pyeten për këtë proces.

Sipas DW, refugjatët e Lindjes së Mesme dhe ata të Afrikës do të dërgohen me anije në portin e Durrësit, ndërkohë që malet e veriut të vendit mund të shërbejnë si barrierë natyrale kundër kalimit të kufirit.

“Shqipëria ndodhet përgjatë rrugës ballkanike të refugjatëve, si dhe në Mesdhe, ku shumica e azilkërkuesve mbërrijnë. Porti i Durrësit i ka kapacitetet që të regjistrojë dhe të strehojë një numër të madh njerëzish që kanë arritur të kalojnë detin dhe të cilët do të shoqërohen në Shqipëri me anije nga agjencia kufitare ‘Frontex’. Në Shqipëri, individët që nuk do u pranohet azili mund të riatdhesohen, ndërsa të tjerët do të shpërndahen në vendet e BE-së. Për më tepër, Shqipëria e veriut është shumë malore, dhe kështu shërben një kufi natyror me territorin e BE”, shkruan DW.

‘Deutsche Welle’ shtron gjithashtu pyetjen nëse Shqipëria është gati për këtë nismë, dhe sipas kësaj media gjermane, kushtet ekzistojnë.

“Shqipëria ka përvojë të mjaftueshme në strehimin dhe kujdesin për refugjatët. Pranoi deri në 1 milion kosovarë gjatë viteve 1998 dhe 1999 gjatë luftërave ballkanike. Dhe pas fluksit të refugjatëve në Evropë në vitin 2015, Shqipëria në mënyrë të konsiderueshme rriti kapacitetin e saj për të pritur refugjatët. Deri më tani, këto qendra pritëse mbeten kryesisht të papërdorura. Mediat shqiptare kanë raportuar se vetëm disa mijëra azilkërkues aktualisht janë të vendosur në këto vende”, shkruhet në artikull.

‘DW’ ka intervistuar gjithashtu Neven Crvenkovic, zëdhënësin e UNHCR për Evropën Juglindore, i cili ka deklaruar se “fatmirësisht për BE-në, Shqipëria i plotëson shumë prej standardeve humanitare të unionit”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne