Kryeprokurori i Iranit tha se 29 gra të ndaluara gjatë protestës të hixhabit mund të jenë nxitur dhe financuar nga njerëz jashtë republikës Islamike.
Kryeprokurori i Iranit Mohammad Jafar Montazeri e quajti protestën e 29 grave në Teheran kundër normave morale, veprim fëminor dhe i ngarkuar emocionalisht. Ai theksoi se gratë protestuese ka të ngjarë të jenë nxitur nga të huajt.
Mbajtja e shamive ose hixhabit në publik është e detyrueshme për gratë në Republikën Islamike të Iranit. Gratë që morën pjesë në protestë janë akuzuar për fyerje ndaj rendit publik. Sipas Al-Araby, gratë që zbulojnë flokët në publik mund të burgosen deri në dy muaj ose të gjobiten me 25 dollarë.
Deklarata e Montazerit nuk është pa bazë, pasi në maj të vitit 2017, Masih Alinejad, një gazetare dhe aktiviste me bazë në SHBA, filloi një fushatë të quajtur “Të mërkurat e bardha”, ku inkurajonte gratë që të mbanin shami të bardha ose t’i hiqnin shamitë në publik si protestë ndaj normave qytetare.
Sipas the Guardian, zyrtarët iranianë e akuzuan Alinejadin se punon për median amerikane Zëri i Amerikës dhe paguhet nga qeveri të huaja për të financuar fushatën e saj.
Protesta gjatë së cilës gratë u ngjitën mbi kasetat e telekomit në rrugë duke valëzuar shamitë e tyre të lidhura majë shkopinjve, pasqyrojnë një ngjarje të ngjashme që ndodhi në muajin dhjetor 2017, ku një grua 31 vjeçare e identifikuar si Vida Movahed, e cila thuhet se u frymëzua nga fushata e “të mërkurave të bardha” të Alinejadit, hoqi hixhabin dhe e lidhi atë me një shkop në mes të rrugës në Teheran.
Sipas Times of Israel, policia e Teheranit e arrestoi Movahedin dhe raportohet se ajo u ndalua nga protestat e mëtejshme pasi u denua me një muaj burg.
SHBA i dënoi arrestimet e raportuara në një deklaratë për shtyp të premten.
“Ne dënojmë arrestimet e raportuara të të paktën 29 individëve për ushtrimin e të drejtave të tyre njerëzore dhe lirive themelore duke u ngritur kundër hixhabit të detyrueshëm”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert./sputnik/Gazeta Impakt