Dhjetra të vrarë në sulmin me gaz në Siri, ushtria mohon përfshirjen

Një sulm me gaz ka ndodhur në Idlib të Sirisë, zonë e mbajtur nga rebelët, duke vrarë të paktën 58 persona. Ndërkohë media të ndryshme raportojnë se një raketë ka goditur një spital që po trajton viktimat. Ushtria siriane ka mohuar të ishte prapa sulmit.

Sulmi i dyshuar thuhet se ka vrarë të paktën 58 njerëz, duke përfshirë 11 fëmijë nën tetë vjeç, sipas punonjësve të mjekësisë dhe Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, cituar nga Reuters.

Kreu i autoritetit shëndetësor të Idlibit, Mounzer Khalil, tha gjithashtu se sulmi ka vrarë më shumë se 50 vetë dhe ka plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Videot e postuara në internet nga aktivistët pretendojnë të tregojnë momentin kur plasën bombat, me retë e tymit që ngjiten në ajër.

Banorët thanë se sulmi ka filluar herët në mëngjes, kur u dëgjuan avionë në qiell të ndjekur nga një seri shpërthimesh të forta, pas së cilëve njerëzit shumë shpejt filluan të shfaqnin simptoma, raportoi Al Jazeera.

Sipas burimeve mjekësore që përshkruan simptomat, shumë prej viktimave u panë teksa mbyteshin dhe u binin të fikët, ndërsa disave u dilte shkumë nga goja, simptoma që kanë lidhje me një sulm me gaz, siç citohet nga raportet e mediave.

Më vonë një raketë u përplas në një spital që trajtonte viktimat e sulmit të dyshuar me gaz, sipas një korrespondenti të AFP.

Koalicioni Kombëtar Sirian, një aleancë e grupeve opozitare, ka akuzuar qeverinë e presidentit Bashar al-Asad për kryerjen e sulmit me gaz dhe kërkoi një hetim të OKB-së.

Koalicioni Kombëtar kërkon që Këshilli i Sigurimit të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme … të hapë një hetim të menjëhershëm dhe të marrë masat e nevojshme për të siguruar që zyrtarët, ekzekutuesit dhe mbështetësit do të mbajnë përgjegjësi”, tha trupi në një deklaratë, siç citohet nga Franca 24.

Komisioni i OKB-së për Hetime në Siri tha se është duke bërë kërkime për sulmin e pretenduar me gaz, si dhe për sulmin e spitalit, duke theksuar se përdorimi i armëve kimike dhe çdo shënjestrim i qëllimshëm i objekteve mjekësore “do të hyjë në krimet e luftës dhe në shkeljet e rënda të ligjit të të drejtave të njeriut.”

“Është e domosdoshme që autorët e këtyre sulmeve të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi”, tha komisioni, siç citohet nga Reuters.

Ushtria siriane i ka mohuar akuzat që thonë se ishte ajo pas sulmit, pavarësisht pohimeve nga Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut dhe grupet e tjera pro-opozitare.

“Ne e mohojmë plotësisht përdorimin e ndonjë materiali kimik ose toksik sot në qytetin e Khan Sheikhounit, dhe ushtria nuk i ka përdorur ato e as nuk do i përdorë në asnjë vend apo kohë, as në të kaluarën as në të ardhmen”, tha ushtria në një deklaratë, siç citohet nga Reuters.

Më herët, një burim ushtarak sirian tha për Reuters se Damasku nuk kishte përdorur armë kimike, dhe i hodhi poshtë akuzat si propagandë rebele.

Ushtria “nuk i ka përdorur ato, as në të kaluarën dhe as në të ardhmen, sepse ajo as nuk i posedon ato materiale”, ka thënë burimi.

“Bazuar në raporte mund të ketë ndodhur që ushtria siriane të ketë sulmuar një vend që është përdorur si një fabrikë armësh kimike apo që është pajisur me kimikate nga rebelët,” tha Jamal Wakeem, profesor i historisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin libanez në Bejrut.

Wakeem tha se ai nuk beson që ushtria siriane do të ishte kaq “e dëshpëruar” sa për të përdorur armë kimike, duke pasur parasysh faktin se ajo ka “arritur sukses të madh në fronte të ndryshme.”

Ai vazhdoi të deklarojë se edhe pse rebelët kanë akuzuar më parë qeverinë siriane dhe ushtarakët rusë për përdorim të armëve kimike, lajmi “doli të jetë i rremë”, duke vënë në dukje se përkundrazi, kishte prova që rebelët të kishin përdorur armë kimike në Siri dhe Irak.

Ushtria ruse tha në një deklaratë se nuk ka kryer asnjë sulm ajror në Idlib.

Provinca e Idlibit kontrollohet kryesisht nga një aleancë e rebelëve, duke përfshirë Jabeh Fateh al-Sham, një ish-degë e Al-Kaedës e njohur më parë si Fronti Al-Nusra. / Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne