“Dhuna izraelite në Al-Aksa e papranueshme, muslimanët me të drejtë protestojnë”

Deputeti i shumicës parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe profesor universitar i filozofisë, Ferid Muhiq, dënoi ashpër dhunën izraelite ndaj palestinezëve dhe ngjarjet e fundit në Al-Aksa. Muhiq për Anadolu Agency (AA) thotë se këto përpjekje të shtetit izraelit duhet të parandalohen, që mos të eskalojë situata, pasi që Al-Aksa është vend i shenjtë që i përket Islamit.

Deputeti Ferid Muhiq, për AA tha se pushtimi ushtarak i kompleksit Al-Aksa që nga 14 korriku, patjetër duhet të dënohet fuqishëm nga gjithë komuniteti ndërkombëtar, kryesisht nga OKB-ja, ndërsa Izraeli, sipas tij, është i detyruar të jap garanci se një gjë e tillë më nuk do të përsëritet.

“Së pari duhet të kujtojmë se çdo ndërhyrje e Izraelit në Al-Aksa është një akt i dhunës. I tërë kompleksi i xhamisë Al-Aksa gëzon traditë të gjatë në një zonë në të cilën muslimanët e menaxhojnë në mënyrë sovrane, që do të thotë se protestat e besimtarëve muslimanë dhe përfaqësuesit e tyre në kontekst janë plotësisht të justifikuara”, shprehet Muhiq.

Sipas deputetit aktual në Kuvendin e Maqedonisë, rreziku i një konflikti fetar dhe imperativat e bashkëpunimit me fqinjët arab mund të ndikojnë shumë më fuqishëm nga të gjitha dënimet ndërkombëtare dhe eventualisht sanksionet.

“Gjatë këtyre 70 viteve që nga themelimi i Izraelit dhe eksodit të palestinezëve, shumë herë edhe e drejta ndërkombëtare dhe publiku ndërkombëtar, por edhe OKB-ja i ka mbullyr të dy sytë para akteve flagrante të dhunës nga autoritetet izraelite. Megjithatë, unë pres se vendosmëria e muslimanëve që të kthejnë të drejtën e tyre mbi xhaminë Al-Aksa, do të ndikojë tek autoritetet izraelite që atë të drejtë ta respektojnë”, thotë Muhiq.

Kujtojmë se tensionet e fundit eskaluan pasi autoritetet izraelite mbyllën kompleksin Al Aksa dhe vendosën detektorë të metalit pasi paraprakisht policia më 14 korrik vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa deklaroi se gjatë incidentit janë plagosur dy policë izraelitë, të cilët kanë vdekur në spital.

Palestinezët e kanë kundërshtuar këtë praktikë, duke protestuar dhe falur namazin pranë kompleksit Al Aksa, ndërkohë që u përballën me ndërhyrje të forcave izraelite, të cilët shkaktuan edhe viktima.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne