Shqiperia

Dhunoi një grua në QSUT, procedohet nipi i deputetit të PS-së

Tri ditë pas publikimit në media dhe rrjetet sociale të një video ku një i ri dhunonte në në oborrin e spitalit “Nënë Tereza” një grua, vjen reagimi i policisë së Tiranës. Në deklaratën shpërndarë mediave, policia thotë se ngjarja në fjalë ka ndodhur në datë 31.07.2019, rreth orës 07:30 minuta.

Shërbimet policore kanë shoqëruar në Komisariat shtetasin Ramazan Rraja 26 vjeç, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, dhe e kanë proceduar penalisht.

Sakaq, policia bën me dije se ka pezulluar nga detyra edhe efektiven e policisë që u pa në video që nuk ndërhynte kur ky person dhunonte gruan. “Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, pas pezullimit nga detyra të punonjëses së Policisë që ishte pranë vendit të ngjarjes, ka nisur verifikimet për veprimet apo mos veprimet e saj.” – thuhet në deklaratën e policisë.

Njoftimi i plotë:

Lidhur me videon e publikuar në mediat sociale, ku një i ri shfaqet me pamje duke dhunuar një femër në oborrin e spitalit “Nënë Tereza”, Tiranë, në interes të opinionit publik informojmë se:

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në datë 31.07.2019, rreth orës 07:30 minuta.

Shërbimet policore kanë shoqëruar në Komisariat shtetasin R.Rr. 26 vjeç dhe e kanë proceduar penalisht. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, pas pezullimit nga detyra të punonjëses së Policisë që ishte pranë vendit të ngjarjes, ka nisur verifikimet për veprimet apo mos veprimet e saj./Balkanweb

OPINIONE