Rajoni

Dick Marty vjen me ide të reja për drejtësinë

Dick Marty nesër do ta prezantojë librin e tij të ri “Një ide e caktuar e drejtësisë” në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.

Në asamble atij do t’i organizohet edhe një debat në “Pallatin e Evropës”, nga ora 13.00-14.00.

Pjesë e këtij debati do të jetë edhe Linos-Alexandre Sicilianos, Nënkryetar i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut.

Ky promovim i Dick Martyt është i hapur për shtypin, deputetët, përfaqësuesit e përhershëm, gjyqtarët, stafin dhe mysafirët që marrin pjesë në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ditë më parë, gjatë promovimit të një libri të tij, ish-ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, në televizionin serb “TV HAPPY”, kishte konfirmuar se Dick Marty e ka hartuar raportin e tij për Kosovën me “dëshmitë dhe provat” që ia ka dhënë prokuroria e Serbisë.

Ish-ambasadori serb në Zvicër kishte konfirmuar edhe vetë bashkëpunimin që ka pasur me ish-raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty, si dhe furnizimin me material nga prokuroria serbe për krimet e luftës, në bazë të të cilave e ka hartuar edhe raportin e tij në vitin 2010 për Këshillin e Evropës.

Duke e prezantuar përmbajtjen e librit të tij në një prej emisioneve të “TV HAPPY”, ish- ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, e ka vlerësuar si shumë intrigante për lexuesit rrëfimin e tij për Martyn, trafikimin e organeve dhe “Shtëpinë e verdhë“.

“Ideja ime, pasi që jam vendosur në Zvicër, faktikisht ka qenë të takojë Dick Martyn, i cili asokohe sapo ishte emëruar raportues i Këshillit të Evropës. Nga ana e prokurorisë sonë për krime të luftës, kam qenë i informuar se dëshmitë tona mbi atë se çfarë ka ndodhur në veri të Shqipërisë kanë qenë shumë të forta, bindëse dhe kam vlerësuar se kjo është një arsye e mjaftueshme që veprimi im i parë në Zvicër të jetë njoftimi me Dick Martyn dhe atë e kam njohur para se të dorëzoja letrat kredenciale dhe kam vazhduar të bashkëpunojë me të”, ka thënë ish-ambasadori serb në Zvicër, Milan St. Protiq.

 

OPINIONE