Diktaturë e re apo Republikë e re?

Nga Flavio Qarri
Në 50 metrat e distancës mes selisë së Kuvendit dhe Kryeministrisë po konsumohet drama politike kyçe. Alamo e shqiptarëve. 2 socialistë me pushtet shumë të madh po i imponohen Shqipërisë me brutalitetin arrogant të fuqisë absolute. In primis hiqeni nga mendja, nuk ka asnjë konflikt Rama Meta. Thjesht po zbatojnë planin që i patën prezantuar Fatos Nanos këtu e 15 vite të shkuara. Për ata pa memorie bëhet fjalë për një takim të zhvilluar në një restorant (si gjithmonë) prapa Piramidës. Nga ana tjetër nuk qëndron Lulzim Basha. As Kreshnik Spahiu e askush tjetër. As Partia Demokratike e as opozita. Qëndron një Shqipëri që edhe pse jo shumë e informuar dhe mësuar në çështje demokracie e di se nëse ka zgjedhje më 18 qershor, thjesht do të çertifikohet diktatura socialisto integraliste. Fatkeqësisht sot në Shqipëri kemi shumë nostaligjik të “sistemit”. Fatkeqësisht sot në Shqipëri brezi i ri i painteresuar politikisht është pre e lehtë për jalizimin dhe sufllaqizimin socialist. Pushto për të korruptuar dhe korrupto për të pushtuar. Përgjatë kohës kur duhej të ndërtonim një shtresë të mesme të shëndetshme dhe institucione të tilla, shtresa e mesme shqiptare u largua në emigrim. Trazirat tranzitore e kanë lënë në minorancë atë grupim shoqëror që jo domosdoshmërisht voton PD por detyrimisht ushqehet me demokraci të mirëfilltë. Që të jemi të qartë. Nuk besoj se jemi aq naive sa të mendojmë se 200’000 shqiptarët që kanë emigruar këto 4 vite janë mbështetës të qeverisë. Për ne që kemi mbetur, llogoret në këtë moment janë të qarta. Momenti është fatal. O e shpëtojmë dhe e instalojmë demokracinë tani, ose i hapim rrugën regjimit. E di tingëllon si slogan i ububushëm. Por diktaturat kështu fillojnë. ëmbël. Lehtë. Sigurisht që fushatë nuk do të kemi. Nuk është thjesht çështja te paratë e kolumbizimit të ekonomisë. Oh jo, që gara të jetë e lirë duhet që mediat të jenë të lira, duhet që rrugët e konkurimit të jenë të ngjashme dhe ato që përplasen të jenë argumentat dhe jo mercedesët e zinj. Unë nuk pse e mbështes politikanin Lulzim Basha. As nuk e kam votuar ndonjëherë, as nuk kam pasur përse. Unë ama mbështes idenë e tij. Oh po tani do ngrihemi dhe do ia përmëndim një më një çfarë ka bërë dhe do humbasim në tymnajen e baltës dhe pluhurit të fjalëve. Por fakti është i thjeshtë. Oferta e opozitës shkërmoqi skemën më të sofistikuar të përvetësimit të pushtetit që një neokomunist mund të kish menduar ndonjëherë. E di, të majtët janë gjithmonë të zotë për të të shitur prangat për varëse. Por diktaturat instalohen kur qytetarët nuk ngrihen për të mos e lejuar. E unë nuk ia fal vetes makthin e përqeshjes nga nipat e mi të ardhshëm. Nuk ia lejoj dot vetes që në kulmin e rinisë time ndenja duarkryq edhe pashë se si u bëmë gazi i botës duke rënë dy herë në kthetrat e diktaturës. Ndaj pas kësaj vere të nxehtë, ne ose do të kemi Diktaturë të re ose Republikë të re. Le të mos jetë e “Çadrës” republika, le të jetë madje edhe Rama, por le të arrijmë aty nëpërmjet demokracisë së lirë dhe jo skllavërisë dixhitale.

Opinionet dhe analizat e publikuara nga Gazeta Impakt, nuk përbëjnë domosdoshmërisht qëndrimet e Gazetës Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne