Dimensioni tejpolitik i presidentit Erdogan

Sali Shasivari

Nuk mbaj mend që ndonjë udhëheqës shtetëror është sulmuar dhe demonizuar deri në atë masë sa është sulmuar dhe demonizuar lideri i Turqisë moderne, z. Rexhep Tajip Erdogan. Madje, sulme të këtilla nuk besoj të ketë pësuar as edhe Kim Jong Un-i, e aq më pak diktatorët ushtarak gjakpirës si dhe autokratët petro-monark tiran të Lindjes së Mesme. Bile-bile, ajo që është tejet indikative, është fakti se, këto sulme, duke filluar nga ato mediatike, propagandistike, politike dhe diplomatike, e deri tek sulmet e llojit ad hominem, të cilat arrijnë nivelin e tentimit për linçim fizik, po ushtrohen ndaj një lideri i cili është zgjedhur në mënyrë të mirëfilltë demokratike, përmes votës së lirë të popullit (me ç’rast, në zgjedhjet presidenciale turke të vitit 2014, 51,79%, prej gjithsej 74.13% nga trupi i përgjithshëm votues, votuan për z. Rexhep Tajip Erdogan). Sulmet e këtilla sa vijnë dhe shtohen, sidomos pas tentimit të fundit për grusht-shtet (15 – 16 Korrik 2016), si dhe para zgjedhjeve të ardhshme – të parakohshme – presidenciale dhe parlamentare, zgjedhje këto të caktuara për 24 qershor 2018.

Në anën tjetër, nuk besoj se ndonjë lider tjetër botëror gëzon nderin, respektin dhe përkrahjen që e gëzon z. Rexhep Tajip Erdogan. Me këtë nuk kam për qëllim vetëm përkrahjen që e gëzon ai në shtetin dhe në mesin e popullit të tij, por gjithandej nëpër botë. Kështu, secili prej nesh është dëshmitar i tubimeve milionëshe të përkrahësve të tij në Turqi, si dhe tubimeve masovike gjatë vizitave të tij jashtë vendit. Madje, përkrahja dhe simpatia të cilën e gëzon ai në shumë vende të botës, tejkalon përkrahjen dhe simpatinë të cilën e gëzojnë vet liderët e atyre vendeve; gjë kjo e cila shkakton siklet, jorehati dhe frikë tek të njejtët.

Së këndejmi, shtrohet pyetja: A thu vallë, cilat janë shkaqet e urrejtjes patetike ndaj personalitetit dhe figurës së Erdoganit?

Sulmet ndaj personalitetit, figurës, platformës dhe filozofisë politike të z. Erdoganit kanë filluar shumë herët, edhe atë, që në kohën kur ai ishte prefekt i Stambollit (1994-1998). Të njejtat sulme u intensifikuan gjatë kohës kur ai krijoi strukturën e tij politike në vitin 2001, gjegjësisht Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), dhe u zgjodh lider i së njejtës. Ndërsa, me të ardhur në pushtet, si dhe me nominimin e tij për Kryeministër të vendit (2003-2014), këto sulme u shumëfishuan, duke arritur kulminacionin me rastin e zgjedhjes së tij për president të Turqisë (Gusht 2014). E tashmë që z. Erdogan garon për mandatin e dytë presidencial, pas të cilave zgjedhje do të hyjë në fuqi sistemi qeverisës presidencial, këto sulme kanë marë përmasa histerike.

Propaganda negative, akuzat, njollosjet dhe sulmet ndaj liderit Erdogan, përgjatë viteve, kanë marë forma të ndryshme, duke filluar me përshkrimin e tij si “islamist me agjendë të fshehur”, duke kaluar në cilësimin e tij si “neo-otoman” dhe “sulltan”, e deri tek akuzat e të qenurit “diktator” dhe “autokrat”.

Mirëpo, a thua vallë pse e gjithë kjo vjellani urrejtjeje?

Realiteti është se, Turqia dhe Erdogani janë dy anë të një monedhe të njejtë dhe me vlerë në botën e sotme. Falë lidershipit të presidentit Erdogan dhe ekipit të tij, Turqia e sotme, nga një ‘shtet i kapur’, i nënshtruar dhe i zhytur në borxhe, po hapëron drejt të qenurit superfuqi rajonale dhe botërore, edhe atë, në të gjitha fushat dhe aspektet e aktivitetit njerëzor.

Një realitet i këtillë ka filluar t’i vë në siklet shumë qarqe “mike” dhe armike, të cilat dëshirojnë që këtë vend ta shohin gjithmonë në gjendjen e ‘të sëmurit të Bosforit’. Andaj, sa më e fortë që bëhet Turqia në aspektin demokratik, politik, strategjik, ushtarak, social, ekonomik, shkencor, teknik, humanitar, etj., po aq shtohen kurthet, presionet dhe tentimet për ta dështuar këtë model të rrallë të suksesit në botën muslimane.

Ky skenar ogurzi tashmë është sekret publik…

Mirëpo, a thua vallë, si mund të shpjegohet sulmi i llojit ad hominem ndaj personalitetit të presidentit Erdogan, duke e quajtur atë herë diktator, herë autoritar, herë arrogant, herë të korruptuar, e herë islamist radikal. A thua vallë pse, në një rajon (Lindje e Mesme) në të cilin dominon një elitë pushtetarësh gjakatarë, kriminel, të korruptuar dhe të devalvuar, të gjitha gishtat e akuzës drejtohen vetëm ndaj kësaj figure, e cila posedon meritat më të mëdha për instalimin e demokracisë së vërtetë dhe prosperitetit të mirëfilltë për popullin e tij, dhe jo vetëm, ngase, e njejta figurë reflekton pozitivitet dhe shpresë anekënd globit?!

Një sulm i këtillë nuk mund të kuptohet dhe shpjegohet ndryshe, përpos duke hedhur dritë mbi figurën poliedrike të personalitetit të presidentit Erdogan, si dhe kualiteteve, tipareve, vlerave dhe principeve që ngërthen në vehte kjo figurë.

Kështu, përpos karizmës personale dhe politike, personalitetit të kompletuar dhe të pastër si individ dhe lider, si dhe lidershipit të tij të dëshmuar dhe të suksesshëm, tipare këto të cilat janë objekt smire dhe zilie nga homologët e tij, ajo që e bën presidentin Erdogan të veçantë nga njëra anë, si dhe të urrejtur nga kundërshtarët e tij nga ana tjetër, është dimensioni njerëzor dhe human me të cilin karakterizohet ai. Për dallim nga homologët e tij anekënd globit, ai është tejet origjinal në natyrën dhe sjelljen e tij. Ai, është modest, por në të njejtën kohë elegant; është emocional, por në të njejtën kohë racional; është i butë, por në të njejtën kohë vendimtar; është tradicional, por në të njejtën kohë modern… Atë e kemi parë duke lozur dhe përkëdhelur fëmijët dhe të pamundurit, duke ua puthur dorën dijetarëve dhe të moshuarve, duke vizituar të varfërit dhe të vetmuarit, duke respektuar ushtarët dhe njerëzit e rëndomtë, duke prezentuar në ahengje dhe raste fatkeqësie, duke qarë për humbjen e të dashurve dhe dëshmorëve… Me një fjalë, ai, para se të jetë lider, ai është njeri me plotë kuptimin e fjalës.

Kjo, sa i takon tipareve dhe kualiteteve të tij personale njerëzore. E, kur kësaj ia shtojmë tiparet e tij humaniste dhe altruiste, mbrojtjen e tij me ngulm ndaj vlerave universale njerëzore, përkrahjen e tij pa ekuivoke ndaj parimit të lirisë dhe drejtësisë, mbështetjen e tij të parezervë ndaj nevojtarëve dhe të pamundurve, si dhe luftën e tij të pakompromis ndaj çdo padrejtësie dhe fenomeni negativ… Të gjitha këto tipare dhe kualitete demaskojnë dhe devalvojnë dukshëm elitën e sotme politike botërore, elitë kjo, e cila është skajshmërisht e korruptuar në aspektin njerëzor dhe moral, si dhe është e zhytur thellë në krizën e dinjitetit njerëzor, integritetit personal, dështimit etik dhe moral, impotencës politike dhe ekonomike, mungesës së lidershipit dhe rezultateve, etj.

Rrjedhimisht, një figurë e këtillë, siç është kjo e liderit Erdogan, paraqet “rrezik” për gjithë homologët e tij të llojit ‘alla-palaço’, të cilët janë të zhveshur nga çdo lloj tipari njerëzor dhe human…

Së këndejmi, ai është bërë ‘hal në sy’ për gjithë pseudo-liderët, ngase, ‘faktori apo efekti Erdogan’, përpos që i ka demaskuar dhe devalvuar të njejtët, ky faktor apo efekt po e bën gjithnjë e më të vështirë mbijetesën e këtyre elitave të korruptuara politike në të tashmen, si dhe karrierën e tyre – si dhe sojit të tyre – në të ardhmen.

E gjithë kjo që u tha, jo vetëm që e bën presidentin Erdogan të dashur nga popullata e tij, por e njejta shpjegon solidarizimin dhe dashurinë që shprehet ndaj të njejtit nga ana e personave dhe popujve të ndryshëm anekënd globit, të cilët, ndonëse nuk shijojnë në mënyrë direkte frytet e këtij lidershipi të suksesshëm, mirëpo, ato shijojnë reflektimin e vlerave të mirëfillta të cilat i personifikon presidenti Erdogan, vlera këto të cilat janë dëshirë dhe ëndërr, në kërkim të të cilit janë të gjithë personat dhe popujt e lirë në këtë botë. Kjo, ngase, presidenti Erdogan nuk është simbol dhe personifikim vetëm i ëndërrave të popullit turk, por ai është shndërruar në simbol dhe shpresë për gjithë të përvuajturit dhe të njerëzishmit anekënd botës.

Në saje të këtij dimensioni tejpolitik, respektivisht dimensionit njerëzor që personifikon presidenti Erdogan, mund të themi lirisht se, ai është shndërruar në simbol dhe shpresë për një botë më të drejtë, më të mirë dhe më stabile.

Përreth gjithë kësaj që u tha, në asnjë mënyrë nuk dëshiroj të pretendoj se z. Erdogan është njeri ideal dhe lider i pagabueshëm, ngase, njeri ideal dhe lider të pagabueshëm nuk ka. Mirëpo, një gjë është e vërtetë, e ajo është se, për momentin, lider më të mirë se ai nuk ka.

Pavarësisht se si do të shkojnë rrjedhat më tutje, fakti është se, tashmë, presidenti Erdogan nuk është vetëm një lider shpirtëror i përmasave botërore, por ai është shndërruar në fenomen dhe inspirim për shumë gjenerata të reja…

Në instancë të fundit, liderët lindin dhe vdesin, por idetë vazhdojnë të jetojnë dhe frymojnë përjetësisht.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne