Dimitrov: BE duhet të pranojë përparimin e Maqedonisë së Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, mbajti një fjalim në Konferencën e 56-të të Sigurisë në Mynih me temë “Koordinimi, bashkëpunimi, konsolidimi? Shtytëse e Ballkanit Perendimorë përpara” së bashku me krerët e shteteve dhe qeverive dhe ministrat nga rajoni, si dhe zyrtarë të lartë të BE-së dhe SHBA-së.

“Nëse dëshiron të jetë forcë pozitive, që nxisë politika kompromisi, që stimulon qeveritë pro-reformës, BE duhet të njohë përparimin e Maqedonisë së Veriut. Ekziston një formulë për sukses: ne kemi nevojë për një metodologji të mirë, një qasje të ndershme për zbatimin e saj, dhe vullnet politik nga të dy palët. Investimi është i madh”, tha Dimitrov, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

Siç thuhet në njoftimin e ministrisë, Dimitrov zhvilloi disa takime bilaterale në margjinat e konferencës. Fokusi kryesor i bisedimeve ishte në çështjen për perspektivën e vendit për anëtarësim në BE, përpara momenteve kyçe për një vendim pozitiv për fillimin e negociatave të pranimit.

Dje filloi Konferenca e 56-të e Sigurisë në Mynih (MSC 2020), ku çdo vit politikanët dhe ekspertët më të fuqishëm të sigurisë diskutojnë çështjet e paqes dhe sigurisë globale./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne