Rajoni

DITA E DYTË: Asnjë reagim nga shteti i Kosovës për tërheqjen e njohjes nga Burundi

Sot, dita e dytë që Qeveria e Kosovës nuk e ka thënë asnjë fjalë për tërheqjen e njohës së Burundit, qoftë edhe përmes një deklarate në Facebook.

Sot, dita e dytë që ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli nuk deklarohet se çfarë po ndodhë me ç’njohjet e shteteve ndaj Kosovës, që po paralajmëron Serbia.

Sot, dita e dytë që dy zëvendësministrat e Punëve të Jashtme, Anton Berisha e Gjergj Dedaj, deklarata e të cilëve u tha se ishin arsye që Serbia përdori si argument që Burundi ta tërheq njohjen, nuk e kanë thënë asnjë fjalë.

“Nuk ka asnjë peshë as njohja e as mos njohja e Burundit, besoj që Serbia do të bëjë tema të kësaj natyre që me kontestu Pavarësinë e Kosovës”, kishte thënë Berisha më 17 shkurt për lajmi.net.

E Dedaj ishte shprehur: “Për mendimin tim  një shtet serioz kur e njeh në vend qysh e kanë njoftë Kosovën, nuk duhet me tërheq njohjen. Kur janë shtete që s’janë shumë stabile dhe me politikë të qëndrueshme, atëherë paradite të njohin pasdite e hekin njohjen”.

Sot, dita e dytë që lajmi.net provon të kontaktojë me Dedajn, ai nuk e hapë telefonin, por nuk ka bërë të paktën as edhe një reagim në Facebook.

Sot, dy ditë që Kosova ka një njohje më pak dhe askush nuk ka thënë asnjë fjalë se kush ishin arsyet, pse erdhi tek ç’njohja.

Sot, dy ditë kur kryeministri Ramush Haradinaj, në një konferencë për media kur pyetet nga lajmi.net rreth asaj se a do të kërkojë përgjegjësi nga dy zëvendësministrat e Jashtëm Gjergj Dedaj dhe Anton Berisha, të cilët kanë thënë se Burundi është shtet i parëndësishëm, e që Serbia e ka përdorur si argument tek Burundi për tërheqje, Haradinaj thotë se “duhet të shikohet arsye e vërtetë e tërheqjes së njohjes”.

Kujtojmë, se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbia ka organizuar ekipe që merren me lobimin kundër Kosovës dhe lobimin në ato shtete që nuk e kanë njohur të mos e bëjnë një gjë të tillë.

OPINIONE

INTERVISTA