Djali i Osama bin Laden, bën thirrje për tu “hakmarrë” për vrasjen e të atit

Hamza bin Laden, djali i një nga më të njohurit terroristë të të gjitha kohërave, Osama bin Laden, i bëri thirrje xhihadistëve anembanë botës që të sulmojnë SHBA-të, si hakmarrje për vdekjen e babait të tij.

Në fjalimin e tij, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ai e ka vlerësuar babain e tij si “njeri që ka ndryshuar frymën e xhihadit”, dhe gjithashtu talibanët në Afganistan, por duke mos përmendur ISIS-in.

Në një mesazh audio të publikuar, ai u kërkon myslimanëve të “marrin hak mbi amerikanët, vrasësit e Shejh [Osama bin Ladenit], veçanërisht për ata që morën pjesë në këtë krim të urryer”.

Në mesazhin e përkthyer nga Instituti i Kërkimeve të Medias në Lindjen e Mesme, Hamza i thotë burrave të rinj myslimanë të përgatiten për një valë të re të kryengritjeve të armatosura në të gjithë botën arabe.

Një deklaratë e tillë vjen pak ditë pasi u publikua videoja ku shihet Hamza bin Laden, si një i rritur për herë të parë.

Pamje të tilla janë publikuar nga CIA si pjesë e një materiali të gjetur gjatë sulmit të majit 2011 në të cilin u vra udhëheqësi i grupit terrorist në kompleksin e tij në Pakistan.

Deri tani, publiku ka parë vetëm fotografitë e fëmijërisë të Hamzës, të cilat janë përdorur si mjete propaganduese nga al Kaeda.
Besohet se militantët nuk kanë publikuar fotografi të tij si një i rritur, për shkak të sigurisë së tij.

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne