Dje dhe sot: fuqia stoike e së kaluarës së pasur dhe të larmishme të Mosulit

Mosul – është një ndër emër-qytetet e pranishme në lajmet nga vatrat e nxehta të Lindjes së Mesme ç’prej më shumë se 15 vitesh, që kur amerikanët pushtuan Irakun. Sot, Mosuli e të tjera qytete-legjenda qytetërimi si ai, janë shndërruar në gërmadha luftes, por dje ato ishin rrezatimi i dijës, kulturës, shkencës, qytetërimit, si dhe modele të shkëlqyera bashkëjetese. Në shkrimin e mëposhtëm, do mund të hasni pikërisht këtë frymë…         

Nga Stephennie Mulder*

Xhamia e al-Nuri në Mosul, e ndërtuar rreth 1000 vite më parë dhe një nga vendet fetare më të respektuara të Irakut, u shkatërrua kur Shteti Islamik shpërtheu një mjet eksploziv brenda tij në qershor të këtij viti.

E ndërtuar në shekullin e 12-të nga një prej sundimtarëve më të njohur të Islamit, Nur al-Din ibn Zangi, në periudhën mesjetare xhamia konsiderohej e “skajshme në bukurinë dhe përsosmërinë e saj”. Ishte e njohur për minaren e saj të lartë prej 30 metra, më të lartën në Irak, të njohur me nofkën “el-Hadba”, sepse ajo anon në njërën anë, si të ishte një kullë islame e Pizës. Shkatërrimi i saj ishte një goditje e tmerrshme për popullin e Mosulit dhe për pjesën tjetër të botës.

Unë jam një studiuese e artit islam dhe hulumtimi im tregon se veprime të tilla të shkatërrimit të qëllimshëm dhe të bazuar në ideologji janë të pazakonta në historinë islame. Megjithëse sot Mosuli është i njohur jashtë Irakut kryesisht si vend i konfliktit, historia e tij e pasur dhe e larmishme përbën një trashëgimi të rëndësishme.

Çfarë është humbur në Mosul?

Mosuli u themelua në kohët e lashta, në periferi të qytetit të vjetër asirian të Ninevisë. Data e saktë e themelimit të qytetit është e panjohur, por të paktën qysh nga epoka mesjetare, ajo njihej si “Madinat al-anbiya” ose “Qyteti i Profetëve”, me dhjetra varre, sinagoga, kisha.

Ndoshta më i famshëm nga këto ishte varri i profetit Jonah (Junus), një figurë e respektuar nga hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët. Në Bibël, Perëndia e bën Junusin të gëlltitet nga një balenë për ta bindur atë për misionin e tij profetik te populli i Ninevisë. Për hebrenjtë, profeti Junus nderohet si simbol i pendimit për festën e Yom Kippur. Dhe në Islam, Junusi evokon temat e drejtësisë, mëshirës dhe bindjes, të parë si modele shembullore për sjelljen njerëzore.

Ka pasur shumë vende të tjera në Mosul të lidhura me figurat profetike: mes tyre, Manastiri i Elijas ose Dar Eliyas, një manastir i krishterë 1400-vjeçar, i menduar për të qenë më i vjetri në Irak.

Mjerisht, asnjë prej këtyre monumenteve nuk u mbijetoi shkatërrimeve të shkaktuara nga ISIS-i.

Qendër botërore tregtare dhe intelektuale

Mosuli ishte gjithashtu një qendër e rëndësishme për tregti, si dhe shkëmbim shkencor. Ai ishte vendosur në një kryqëzim kyç në Rrugën e Mëndafshit, një rrjet i pasur superstradash paramoderne, që shtriheshin mbi male, shkretëtira dhe fusha nëpër tre kontinente që bartnin mallra nga tokat që dukeshin jashtëzakonisht të largëta dhe ekzotike e deri në skajin tjetër. Vetë Mosuli ishte i njohur për disa nga objektet më luksoze prej metalit të epokës mesjetare.

Si një qendër e shkëmbimit të tillë, qyteti ishte shtëpi e grupeve të ndryshëm njerëzish: arabë dhe kurdë, hebrenj dhe të krishterë, sunitë dhe shiitë, sufitë dhe dhjetra shenjtorë për shumë besime të ndryshme.

Ishte gjithashtu shtëpi e poetëve, studiuesve dhe filozofëve si filozofi i shekullit të 10-të el-Maësili dhe astronomi al-Qabisi i shekullit të 11-të, një nga zinxhirët e astronomëve të famshëm të Mosulit, të cilët ndihmuan në formulimin e kritikës së modelit të Tokës-qendër e universit. Ky model përfundimisht do të shkonte në Evropë për të informuar pikëpamjen e Kopernikut për sistemin diellor. Mosuli gjithashtu nxori një nga historianët më të famshëm të Islamit, Ibn al-Athir, i cili përfundoi magnum opus-in e tij, një kronikë universale monumentale të quajtur “Historia e plotë” në qytet, në vitin 1231.

Vepra të rëndësishme të matematikës, duke përfshirë komentimin e matematikanit grek Euklid që më vonë u përkthye në latinisht, janë shkruar në Mosul. Ai ishte gjithashtu një qendër për përparime të rëndësishme mjekësore, duke përfshirë një përshkrim të hershëm të operacionit për heqjen e kataraktës.

Ndërsa xhamitë ishin tradicionalisht vende të transmetimit dhe të mësuarit të dijes, është krejtësisht e mundur që disa nga idetë e këtyre dijetarëve janë formuluar, diskutuar dhe rafinuar brenda mureve të xhamisë së al-Nurit.

E kaluara mesjetare e Mosulit e pajisi me dije edhe historinë e tij bashkëkohore: në kohët moderne, qyteti ishte shtëpi e disa prej muzeve, bibliotekave dhe universiteteve më të rëndësishme në Irak, duke përfshirë një shkollë të njohur mjekësore.

Kuptimi i xhamisë në Irak

Megjithëse xhamia e al-Nurit u transformua gjatë shekujve, ajo mbeti një simbol i dashur i qytetit të lashtë dhe trashëgimisë së tij të ndryshme. Në vitin 1942, pjesa më e madhe e xhamisë, me përjashtim të minares, zonës për faljen e namazit dhe disa prej shtyllave të saj, iu nënshtruan një rinovimi të rëndësishëm. Por xhamia nuk humbi vlerën e saj për qytetarët e Mosulit, në të vërtetë, ajo u shfaq në monedhën 10,000 dinarëshe të Irakut.

Në qershor të vitit 2014, kur IS fillimisht kapi qytetin dhe iu afrua xhamisë me eksploziv, banorët e qytetit formuan një zinxhir njerëzor rreth tij.

Vetëm disa javë më pas, me fytyrë të plotë, lideri i IS-it, Abu Bakr al-Bagdadi qëndroi në minber të së njëjtës xhami prej ku shpalli krijimin e “kalifatit” të tij.

E kaluara dhe e ardhmja e Mosulit

Me kalimin e kohës, Mosuli do të rindërtojë xhaminë e dëmtuar. Por për ata që janë jashtë Irakut, të cilët sot e njohin Mosulin kryesisht nëpër histori gazetash të luftës dhe intolerancës, humbja e xhamisë do ta bëjë shumë më të vështirë të imagjinojmë botën e larmishme intelektuale dhe fetare që dikur karakterizoi jo vetëm Mosulin, por të gjithë Lindjen e Mesme.

Megjithëse kishte konflikte, të krishterët, hebrenjtë dhe muslimanët jetonin në bashkëpunim pragmatik për pjesën më të madhe të historisë së tyre. Në fund të fundit, ishin të krishterët e qytetit, të cilët thanë se minarja anonte sepse ishte duke u përkulur në drejtim të varrit të Merjemës (Marisë).

*Stephennie Mulder është profesore e asociuar i studimeve të Lindjes së Mesme në Universitetin e Teksasit në Austin/ tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne