“Do të kemi surpriza për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar”, nuk ndalet Ylli Ndroqi, mesazh Ramës e Veliajt

Do të kemi surpriza… është kjo ajo që paralajmëron Ylli Ndroqi, pak ditë pasi SPAK kërkoi sekuestrimin e pasurisë së tij, përfshirë dhe dy televizionet Ora dhe Ora News.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Ndroqi shprehet se shumë shpejt do të dalin fakte, që do të suprizojnë jo vetëm publikun shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar.

Duke iu referuar kushteve jo të mira të motit në këto ditët e fundit, me ironi Ndroqi shkruan se rikthimi i diellit do të vrasë të gjitha mikrobet, veçanërisht ato të sajuara biologjikisht, ndërsa uron që Zoti ti ruajë të gjithë nga intrigat politike.

Pa i përmendur me emra, Ndroqi i kujton Ramës dhe Veliajt, se ka kontribuar për ti sjellë ata në pushtet.

“Përshëndetje të dashur miq! Ju uroj një fundjave të bukur, pas kësaj kohe të vrejtur, ju siguroj që do të kemi diell, që do të djeg çdo mikrob të sajuar biologjikisht.. Zoti të na ruaj nga intriga politike dhe aq më shumë kur kontribon për ti bërë KM apo Kry.B. Ju siguroj që do të kemi surpriza për publikun shqiptar, pse jo dhe atë ndërkombëtar”, shkruan Ndroqi në reagimin e tij.

Jo më larg se dje avokatët e Ndroqit apeluan vendimin e dhënë nga GJKKO për sekuestrimin e pasurisë së tij, që sipas tyre është i pabazuar në fakte dhe në argumente ligjore.

“Sekuestro është bërë në kundërshtim me nenin 11 të ligjit antimfia ku përcaktohen kriteret kur vihen sekuestro.

Pasuria nuk ka qenë në prag të tjetërsimit dhe nuk janë nën ndikimin e organizatave kriminale. Ora News dhe TV Ora nuk ka qenë kurrë nën ndikimin e një organizate kriminale.

Është absurde që të sekuestrohet një media që komplet kapitalin e saj e ka blerë me financim bankar”, u shprehën avokatët e Ndroqit, ndërsa theksuan se deklarata e policisë sipas të cilit zoti Ndroqi është arrestuar në Itali është e pavërtetë.

“Sekuestroja është vendosur duke përmendur një shkresë të Interpolit që z.Ndroqi ka qenë i arrestuar në vitin 2015 në Itali.

Është lehtësisht e verifikueshme si nga sistemi TIMS, si nga vendimi që është bërë publik dje, që Z. Ndroqi nuk ka qenë kurrë i arrestuar në shtetin italian. Ka lëvizur lirshëm në zonën Schengen dhe në Amerikë. Është vënë si indicie, pasi ligji nuk ka efekte prapavepruese pasi është votuar dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2010”./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne