Bota

Doktrina e re amerikane: Përdorimi i armëve bërthamore rivendos stabilitetin strategjik

Ushtria amerikane mendon se përdorimi i armëve bërthamore në një situatë lufte do të jepte rezultate përcaktuese dhe do të rikthente stabilitetin strategjik. Ky përkufizim jepet në një dokument të ri të quajtur “Operacionet Bërthamore”, i publikuar nga shtabet e bashkuara të ushtrisë amerikane më 11 qershor, por hequr nga faqja online dhe riklasfikuar si dokument me akses të kufizuar. Lajmi bëhet publik nga drejtuesi i Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Steven Aftergood, i cili e ka shkarkuar materialin përpara se qeveria ta hiqte nga aksesi i plotë në internet.

Specifikisht, përdorimi i armëve bërthamore do të ndryshojë në themel synimin e betejës dhe do të krijojë kushte që ndikojnë në mënyrën sesi komandantët do të fitojnë në konflikt, citohet dokumenti nga britanikja “The Guardian”.

Materiali i referohet një teoristi të Luftës së Ftohtë, Herman Kahn, sipas të cilit përdorimi i armëve bërthamore në këtë shekull do të jetë fakt.

Aftergood ka deklaruar se problemi me këtë dokument është se ai është konceptuar si një doktrinë lufte, jo i doktrinë parandalimi.

Vetë kjo mënyrë të menduari mund të jetë e rrezikshme. Mund ta përshpejtojë atë lloj mundësie që mendohet të shmanget, shton ai.

Ky është dokumenti i parë i këtij lloji që përditësohet në 14 vjet. Në vitin 2005, gjatë administratës Bush, u publikua doktrina e operacioneve bërthamore që parashikonte goditje bërthamore parandaluese kundër të gjitha armëve të shkatërrimit në masë, jo thjesht kundër armëve bërthamore./respublica

 

OPINIONE