Dokumentat/ A është ai “Shefi i madh” i Habilajve? Provat që rrëzojnë mbrojtjen e Saimir Tahirit

Saimir Tahiri u mundua të kundërshtojë argumentat e Prokurorisë, e cila është e bindur se ai është “Shefi i madh” në bisedat e përgjuara ndërmjet vëllezërve trafikantë Moisi dhe Artan Habilaj është.

Në seancën gjyqësore të para disa ditëve, Prokuroria për Krime të Rënda paraqiti konkluzionet e saj, duke kërkuar dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri, me 12 vjet burgim, për akuzat e “trafikimit të narkotikëve”, “pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “veprime në kuadër të organizatën kriminale”.

Ndër provat që paraqitën prokurorët e çështjes kundër Tahirit ishte, ndër të tjera, një episod i ndodhur në 23 nëntor 2013, në të cilin, sipas pretencës, rezulton se ish-ministri i brendshëm ishte “shefi i madh” i Habilajve.

Prokuroria Italiane, e cila ka hetuar grupin Habilaj, kushërinj të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka regjistruar një bisedë mes Artan dhe Moisi Habilajt. Biseda e përgjuar dhe që gjendet në konkluzionet e prokurorisë, të parë në datë 23 Nëntor 2013, ora 19.53.

“Konkretisht, numri telefonik i përgjuar 3318223524, në përdorim të të pandehurit Moisi Habilaj, bën hirrje hyrëse drejt numrit telefonik 00355697612046 në përdorim të shtetasit Artan Habilaj. Ky i fundit (pra Artani) i thotë Moisiut, se ishte në Tiranë. Moisiu e pyet se pse? Dhe Artani i thotë se e donte “Shefi i madh”. Moisiu i thotë që t’i sqaroj mirë gjërat pa patur turp. Artani i thotë që nuk ka më turp. Moisiu e pyet nëse janë vetëm për drekë dhe Artani i thotë “Po”, janë vetëm ata të dy. Moisiu i thotë që t’i bëjë të fala nga ana e tij”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në këtë bisedë veçohen dy element, për të cilat janë kryer verifikimet e saj dhe rezultojnë tërësisht ndryshe nga pretendimet e Saimir Tahirit në gjykatë;

1. Koha e bisedës, pra data 23.11.2013, ora 19.53
2. Takimi i Moisi Habilajt me “shefin e madh” (“për drekë”)

Për këtë episod, Saimir Tahiri, i cili paraqiti mbrojtjen e tij menjëherë pas konkluzioneve të Prokurorisë, deklaroi se kishte fakte që e hidhnin poshtë pretendimin e hetuesve për këtë episode, si edhe për të tjerët.

Duke u fukosuar tek episodi i 23 Nëntorit 2013, Saimir Tahiri deklaroi se “Në fakt në ditën që bëhet biseda, unë ndodhesha në Bruksel me Klajda Gjoshën, Nasip Naçon, dhe kam dalë në konferencë me komisionerin për Zgjerim. Nuk ka si të isha edhe në konferencë, edhe në drekë (me Habilajt, shën.red). Prokuroria më akuzon se kam pritur në zyrë njërin nga vëllezërit Habilaj, por në atë ditë unë kam qenë në zyrë me Adriatik Llallën, Visho Ajazin dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, pasi atë ditë ishin arratisur 7 persona nga Burgu i Drenovës”, tha Tahiri para gjykatës.

Pra, Saimir Tahiri dha dy detaje, të cilat, sipas tij, rrëzojnë pretendimin e Prokurorisë që ai ishte “shefi i madh”, me të cilin ishte takuar Moisi Habilaj në drekën e 23 nëntorit 2013;

1. Ishte në Bruksel me ish-ministrat Klajda Gjosha e Nasip Naço
2. Ishte në takim me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe ish-Shefin e Shërbimit Sekret, Visho Ajazi Lika për çështjen e arratisjes së 7 të burgosurve nga burgu i sigurisë së lartë të Drenovës, në Korçë.

Në burime publike, mbi deklarimet e ish-ministrit Saimir Tahiri, tashmë i pandehur dhe të dhënat dëshmojnë se pretendimet e tij nuk qëndrojnë. Më poshtë janë argumentat bazë, referuar gjithnjë episodit të datës 23.11.2013.

Takimi në Bruksel
Saimir Tahiri deklaroi para trupës gjykuese se ditën që pretendohet nga Prokuroria se ai ka takuar Moisi Habilajn, pra më 23 nëntor 2013, ai ka qenë në Bruksel me Klajda Gjoshën dhe Nasip Naçon.

Në fakt, në median e asaj kohe është publikuar axhenda e plotë e takimeve të tre ministrave shqiptarë në Bruksel. Sipas njoftimi të shpërndarë nga Ministria e Integrimit e asaj kohe, Tahiri, Gjosha dhe Naço janë nisur drejt Brukselit në datën 21 Nëntor 2013 (dy ditë para regjistrimit së bisedës ndërmjet Artan e Moisi Habilajt).

LEXO EDHE  Një marrëveshje e dytë Rama-Basha? Shehi i prerë: Nëse ndodh kjo, atëherë …

Po sipas atij njoftimi të shpërndarë në media, axhenda e tre ministrave ishte e ngjeshur dhe takimet do të zhvilloheshin në datën 22 Nëntor 2013, duke filluar nga ora 9.30 deri në 18.00, ku takimi i fundit ishte me Komisioneren për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malsmtrom.

Axhenda e tre ministrave në Bruksel mbyllej pasditen e datës 22 nëntor 2013, një ditë para bisedës së regjistruar ndërmjet Artan e Moisi Habilaj. Pra, pretendimi i Tahirit se ditën e përgjimit të telefonatës nuk mbështetet në prova konkrete.

Takimet në Bruksel janë mbyllur në datë 22 nëntor pasdite, ndërkohë që takimi Tahiri-Moisi Habilaj, sipas qëndrimit të Prokurorisë, ka ndodhur një ditë më pas, në datë 23 nëntor, në drekë.

Nga pasditja e datës 22 nëntor deri në mesditën e 23 nëntorit ka qenë kohë e mjaftueshme që Saimir Tahiri dhe kolegët e tij ministra të ishin kthyer në Tiranë dhe të vijonin axhendat e tyre (përfshirë edhe drekat) në mënyrë të veçuar nga njëri-tjetri.

Takimi dhe konferenca për “Drenovën”
Saimir Tahiri deklaroi gjithashtu para gjykatës se, në ditën që pretendohet nga Prokuroria se ai ka qenë në drekë me Moisi Habilajn, në fakt ai ka pasur aktivitet të ngjeshur me takime dhe konferencë për media, për shkak të arratisjes së 7 të burgosurve të rrezikshëm nga burgu i Drenovës.

Pra, Tahiri këmbëngul që mesditën e datës 23 nëntor 2013, ka qenë fillimisht në takim me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe me ish-shefin e SHISH, Visho Ajazi Lika, e më tej ka dalë në konferencë për media lidhur me operacionin policor për kapjen e të arratisurve.

Boldnews.al” ka kryer verifikime, në burime publike edhe për këtë pretendim, nga ku rezulton se deklarimet e Saimir Tahirit nuk përputhen me realitetin.

Redaksia e “BN”, ka në dispozion, ashtu si edhe mediat e tjera, materialin “kërkesë për gjykim”, dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme në Prill 2014 për të arratisurit e burgut të Drenovës.

Në atë material jepen me detaje, përfshirë edhe orët e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Korçë. Sipas kërkesës për gjykim të prokurorisë për atë rast, lëvizjet e të burgosurve për të realizuar planin e tyre kanë nisur rreth orës 18.45 të datës 23.11.2013. arratisja e tyre, pas përplasjes me rojet e sigurisë, ka përfunduar rreth orës 20.00 të datës 23.11.2013.

Pra, pretendimi i Saimir Tahirit se në kohën që prokuroria pretendon se ka qenë në drekë me Habilajn (23.11.2013, mesditë), ai ka qenë duke u marrë me rastin e “Drenovës”, nuk përputhet me faktet.

Arratisja e të burgosurve ka ndodhur mbrëmjen e asaj dite, në të cilën prokuroria deklaron se ai ka qenë për drekë me Moisi Habilajn. Pra, argumenti i deklaruar nga Tahiri nuk e ndihmon aspak për të shuar dyshimet e prokurorisë.

Për më tepër, Saimir Tahiri deklaron se ka zhvilluar një takim me Llallën dhe Visho Ajazin e më tej ka dalë në konferencë për media mbi veprimet policore për të arratisurit e Drenovës.

Boldnews.al” nuk arriti të konfirmojë takimin e Tahirit me Llallën e Visho-Ajazin, por, gjithësesi, verifikoi të dhëna zyrtare mbi konferencën për media të zhvilluar nga ish-ministri i Brendshëm.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme ekziston ende njoftimi zyrtar për konferencën për media të zhvilluar nga Tahiri për çështjen e arratisjes (Lexo KËTU).

Kjo konferencë, sipas faqes së Ministrisë së Brendshme, por edhe raportimeve të shumta mediatike (Shiko Këtu), është zhvilluar në datës 24 nëntor 2013, pra një ditë pas asaj që prokuroria deklaron se ka pasur takim Tahiri-Habilaj./Boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne