Dokumentet/ Dilemat e Uashingtonit për njohjen e regjimit të Hoxhës

Në vitin 1949 SHBA shihte dhe analizonte disavantazhet edhe avantazhet në njohjen e regjimit të Enver Hoxhës, duke u nisur nga bisedat jozyrtare me Behar Shtyllën, ministër shqiptar në Francë.

Nëpunësit skrupulozë të delegacionit amerikan në OKB me seli në Nju Jork kanë hartuar disa përkujtesa (memo) për Departamentin e Shtetit në Uashington rreth negociatave me emisarin personal të kreut të Tiranës, që ishte njëkohësisht Kryeministër, Ministër i Jashtëm dhe i Mbrojtjes, natyrisht, shef i partisë komuniste.

PSE KJO PËRÇAPJE NË KËTË KOHË?
Autori i dokumentit vë në dukje më 16 maj 1949 “se qeveria shqiptare dëshiron të diskutojë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mund të jetë e gatshme të përmbushë kushtin (pranimin e detyrimeve të traktatit të para luftës)”. Drejtori i zyrës së Çështjeve Evropiane i shpreh ndihmës-sekretarit të Shtetit për Çështjet e OKB-së pasigurinë “pse kjo përçapje po bëhet në këtë kohë”.
Por, me sa duket, nisur dhe nga fakti, se rreth 3 muaj më parë, më 22 dhe 23 mars, kreu i gjithpushtetshëm i Tiranës, Enver Hoxha kishte bërë takime me ministrin e jashtëm sovjetik Vishinski dhe kryeministrin Stalin, diplomati amerikan Hikerson thotë se përçpja e Shtyllës në SHBA “mund të supozohet se është bërë me pëlqim dhe ndoshta me sugjerim të sovjetikëve”.

KRITIKAT
Nga ana e vet, Hikersoni rreshton dy nga disavantazhet e mundshme që mund të sillte vendosja e marrëdhënieve diplomatike më 1949: nuk do të pranohej nga elementët anti-Hoxha në Shqipëri si dhe nga grekët.

Në këtë vend mund të ketë disa kritika pasi njohja do të konsiderohej si shenjë në favor të një qeverie veçanërisht të neveritshme”. Nga ana tjetër, gjithsesi Hikerson-i thotë se “vendosja e marrëdhënieve diplomatike do të na mundësonte mbrojtjen e shtetasve amerikanë më mirë se mund ta bëjmë aktualisht. Do të kishte gjithashtu avantazhe, nga pikëpamja e informacionit dhe mundësive të veprimit që ne nuk i kemi tani.

Në gjendjen aktuale në Ballkan, dhe veçanërisht në Shqipëri, që është një pikë e dobët në sferën sovjetike, prania e një misioni të SHBA-së në Shqipëri mund ishte shumë e dobishme”.

HATËRMBETJA E ANGLEZËVE
Botuesi i korpusit të dokumenteve origjinale diplomatike amerikane nxjerr në spikamë dhe faktin se “më 23 maj 1949, një zyrtar i ambasadës britanike në Uashington informoi Departamentin e Shtetit se regjimi shqiptar nuk kishte bërë asnjë përçapje pranë qeverisë britanike lidhur me vendosjen e mundshme të marrëdhënieve diplomatike”.

Hatërmbetja e “Luanit britanik” me Tiranën shkonte deri atje sa “Forin Ofis-i britanik nuk e konsideron të dëshirueshme të vendosë marrëdhënie normale diplomatike me Shqipërinë për shkak të: 1- ndihmës së Shqipërisë për gueriljet greke, 2- aksionit të Shqipërisë kundër anijeve britanike në Kanalin e Korfuzit në vitin 1946 dhe mospranimit nga ana e saj për të paguar dëmshpërblimet e kërkuara, 3-reagimit të mundshëm negativ të opinionit publik në Britaninë e Madhe dhe Greqi ndaj çdo lëvizjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, dhe 4- faktit se regjimi i Hoxhës ishte në një pozitë shumë të dobët dhe nuk do të duhej të fuqizohej në asnjë mënyrë, materialisht apo psikologjikisht”.

UASHINGTONI NUK JA PRISH LONDRES, POR DHE TIRANES NUK JA PRET ME SEPATË
Uashingtonit nuk ia prishte qejfin Londrës (“si zor mund të merret në shqyrtim vendosja e marrëdhënieve diplomatike e shkëputur nga problemet e relatuara, të tilla si roli i Shqipërisë në luftën civile në Greqi, dështimi i saj për të bashkëpunuar me OKB-në, etj”), por Tiranës nuk ia preu me sëpatë të madhe. Më 16 maj rekomandohej të informohej Shtylla “që ne do të marrim në konsideratë çdo pikëpamje që mund të dëshirojë të paraqesë më vonë” dhe se “në përgatitjen për shkëmbime të mëtejshme dhe formulimin e pozicionit të Departamentit për këtë çështje, duhet të ruajmë qëndrimin … fleksibël, duke pasur parasysh avantazhet, në parim, e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë”. Prandaj “t’i thuhet Shtyllës jozyrtarisht sot se nuk mund të presë përgjigje të menjëhershme për kërkesën e tij, dhe se nuk ka arsye që ai të vonojë kthimin në Paris për këtë shkak”.

Dokument nr. 1 Nju Jork, përçapja e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Paris
Memo nga drejtori i zyrës së Çështjeve Evropiane (Hikerson) dërguar ndihmës-sekretarit të Shtetit për Çështjet e OKB-së (Rusk)
SEKRET
(UASHINGTON), 16 maj 1949

Diskutim: Memorandumi bashkëngjitur i bisedës me Behar Shtyllën, ministër shqiptar në Francë, është tregues i faktit se qeveria shqiptare dëshiron të diskutojë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mund të jetë e gatshme të përmbushë kushtin (pranimin e detyrimeve të traktatit të para luftës), që kemi vendosur dhe që e refuzuan në vitet 1945-46. Nuk jemi të sigurt pse kjo përçapje po bëhet në këtë kohë. Mund të supozohet se është bërë me pëlqim dhe ndoshta me sugjerim të sovjetikëve. Gjendja e vështirë ekonomike e Shqipërisë mund të jetë faktor madhor në tablonë e paraqitur.

Do të kishim disa disavantazhe evidente me vendosjen e marrëdhënieve me qeverinë e Hoxhës në këto rrethana. Tashmë është regjim policor i kontrolluar 100 për qind nga Moska. Njohja nga Shtetet e Bashkuara nuk do të pranohej nga elementët anti-Hoxha në Shqipëri si dhe nga grekët. Në këtë vend mund të ketë disa kritika pasi njohja do të konsiderohej si shenjë në favor të një qeverie veçanërisht të neveritshme. Duke kundërshtuar hyrjen e Shqipërisë në OKB kemi deklaruar se do të marrim në konsideratë faktin nëse Qeveria e Hoxhës nuk është në gjendje apo nuk dëshiron të përmbushë detyrimet e Kartës.

Nga ana tjetër, do të haste pjesërisht në këtë kritikë një marrëveshje me Shqipërinë për të pranuar traktatet e paraluftës. Gjithashtu, po të akordohej njohja, SHBA mund të deklaronte hapur se ky veprim nuk përfshin apo nuk nënkupton miratimin e politikave dhe metodave të qeverisë shqiptare. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike do të na mundësonte mbrojtjen e shtetasve amerikanë më mirë se mund ta bëjmë aktualisht. Do të kishte gjithashtu avantazhe, nga pikëpamja e informacionit dhe mundësive të veprimit që ne nuk i kemi tani. Në gjendjen aktuale në Ballkan, dhe veçanërisht në Shqipëri, që është një pikë e dobët në sferën sovjetike, prania e një misioni të SHBA-së në Shqipëri mund ishte shumë e dobishme.

Në diskutime të mëtejshme për këtë temë Departamenti i Shtetit mund të tregojë, pa vendosur kushte absolute që në fillim, se do të kërkonte disa garanci jo vetëm për çështjen e traktateve para luftës, por edhe për lirinë e çdo misioni diplomatik amerikan për të kryer detyrat e tij pa ndërhyrje të tilla acaruese si ato që do t’i duhej të duronte z. Xhejkobs (Jacobs) në vitin 1946. Për më tepër, do të kishim të drejtë të presim ndryshime në qëndrimin e Shqipërisë ndaj Greqisë dhe ndaj UNSCOB-it (United Nations Special Committee on the Balkans – Komiteti i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Ballkanin) duke provuar se qeveria shqiptare ka për qëllim të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e shteteve të tjera.

Përçapja e Shqipërisë kërkon rrahje mendimesh këtu si dhe, nëse është e mundur, konsultim me britanikët. Na duket pavend dhe në të vërtetë si zor e mundshme t’u jepet shqiptarëve një deklaratë e parakohshme për një pozicion të përcaktuar të SHBA-së.
Rekomandojmë që:

1- T’i thuhet Shtyllës jozyrtarisht sot se nuk mund të presë përgjigje të menjëhershme për kërkesën e tij, dhe se nuk ka arsye që ai të vonojë kthimin në Paris për këtë shkak.

2- T’i thuhet në të njëjtën kohë se çështja si zor mund të merret në shqyrtim e shkëputur nga problemet e relatuara, të tilla si roli i Shqipërisë në luftën në Greqi, dështimi i saj për të bashkëpunuar me OKB-në, etj

3- Ta informojmë gjithashtu që ne do të marrim në konsideratë çdo pikëpamje që mund të dëshirojë të paraqesë më vonë.

4- Në përgatitjen për shkëmbime të mëtejshme dhe formulimin e pozicionit të Departamentit për këtë çështje, duhet të ruajmë qëndrimin tonë fleksibël, duke pasur parasysh avantazhet, në parim, e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë po të plotësohen kushtet e arsyeshme dhe nëse vendosja e marrëdhënieve të tilla kontribuon në përparimin e objektivave të politikës sonë së gjithanshme ndaj Bashkimit Sovjetik, Ballkanit, Greqisë, etj, dhe është në përputhje me detyrimet tona në OKB.

Dokument 2: Elemente të reja në krahasim me vitin 1946
Memo e bisedës, nga z. Herri N. Hauard, këshilltar i delegacionit të SHBA-së në OKB
SEKRET
(Nju Jork), 17 maj 1949.

Pas bisedave tona të premten dhe të shtunën, 13 dhe 14 maj, dhe dje në mbrëmje pas bisedës sime telefonike me z. Kempbëll, këtë mëngjes fola me z. Shtylla lidhur me marrëdhëniet shqiptaro-amerikan.

I thashë se Departamenti i Shtetit nuk kishte marrë asnjë vendim përfundimtar për këtë çështje dhe se nuk kishte arsye pse z. Shtylla duhej të vononte nisjen e tij në Paris. Veç kësaj, vura në dukje se pozicioni i SHBA-së lidhur me çështjen e detyrimeve që ka Shqipëria në bazë të traktatit, mbeti ashtu siç kishte qenë në vitin 1946, por edhe se ka pasur elemente të tjera politike, që kanë hyrë qysh atëherë në rrethanat e krijuara në ditët e sotme.

Duke iu përgjigjur pyetjes së z. Shtylla, thashë se shqiptarët ishin implikuar duke u dhënë ndihmë gueriljeve grekë, sikurse u vërtetua nga Komisioni Hetimor i OKB-së në vitin 1947 dhe nga UNSCOB-i më 1948-1949. Si rrjedhojë, kjo situatë komprometoi marrëdhëniet e Shqipërisë me OKB-në. Z. Shtylla nuk bëri asnjë koment të veçantë për gueriljet grekë, por tha se qëndrimi i Shqipërisë ndaj OKB-së njihej mirë. Shqipëria prej kohësh ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në OKB. Biseda u mbyll me vërejtjen time se në qoftë se qeveria shqiptare ka disa pikëpamje për këto çështje dhe që dëshiron t’i paraqesë, Departamenti do të ishte i gatshëm t’i merrte në konsideratë.

(D.T/Shqiptarja.com)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne