Dokumentet e CIA, ja si Hoxha i rrëzoi planin Hrushovit për ta larguar nga pushteti, u arrestuan 200 persona të lidhur me Moskën

CIA ka treguar me detaje se si lindi lufta mes Enver Hoxhës dhe Nikita Hrushovit. Sipas një dokumenti të deklasifikuar nga shërbimi amerikan, Hrushovi tentoi të rrëzonte Hoxhën nga pushteti, por ky i fundit i shtypi revoltat dhe më pas nisi arrestimin e të gjithë funksionarëve të lidhur me Moskën. Gazeta sjell më poshtë të dhënat e dokumentit, i cili vijon nga numri i djeshëm.

 

Krisja në marrëdhëniet me Moskën

Në konferencën e politikave bujqësore të Paktit të Varshavës në shkurt 1960 Hoxha sulmoi praktikat bujqësore të Polonisë, ndërsa Hrushovi u ngrit e tha se shqiptarët duhet të shikojnë më mirë punën e tyre, pasi nuk i kanë gjërat fare në rregull. Ditën tjetër në takim shqiptarët e gjetën veten përsëri nën sulmet e Hrushovit dhe gjithashtu për herë të parë dolën në pah diferencat për politikën e jashtme para asamblesë së udhëheqësve të bllokut. Hoxha e Shehu u kthyen nga samiti në Shqipëri më 9 shkurt, të nxehur e të turpëruar dhe me sa duket të vendosur për të mbështetur Kinën me sa fuqi kishin. Më 26 maj 1960 një delegacioni kryesuar nga anëtari i byrosë Gogo Nushi u nis për në Pekin për të marrë pjesë në një takim të gjerë sindikatash, dhe më 3 qershor një delegacion i dytë ku përfshiheshin anëtarët e Byrosë politike Haxhi Lleshi dhe Liri Belishova. Pra dy delegacione të nivelit të lartë ishin në Kinë gjatë javëve të para të qershorit, në një kohë kur Pekini po lobonte për mbështetje mes vendeve komuniste në debatin e tij me Moskën. Ndërkohë Hoxha dhe Sheu e dinin se nëse merrnin pjesë në kongresin e partisë rumune ne qershor, ku do të ishin Hrushovi dhe vendet e tjera satelite, ata do të viheshin në presion për t’iu përshtatur linjës sovjetike gjatë akuzave të Moskës ndaj Pekinit. Prandaj Hoxha e Shehu evituan përkushtimin ndaj njërës palë apo tjetrës duke dërguar në kongres zyrtarin e rangut të dytë ose të tretë, Hysni Kapo, në krye të delegacionit. Rrethanat që u paraqitën në kongres e detyruan Kapon të mbante anën e Kinës dhe dy ditë më vonë Komiteti Qendror i Partisë së Shqipërisë lëshoi një komunikatë duke e bërë të qartë mbështetjen e tyre për Kinën në debatin me BRSS. Kështu që udhëheqja shqiptare tashmë e kishte hequr maskën dhe ishte radha e sovjetikëve të kundër-përgjigjeshin. BRSS e bëri këtë me anë të dy kanaleve. Së pari Maurice Thorez, kreu i komunistëve francezë dhe i njohur i vjetër i udhëheqjes shqiptare, u dërgua në qershor në Shqipëri duke tentuar pa sukses të bindte shqiptarët të hiqnin dorë nga marrëzia e tyre. Thuajse në të njëjtën kohë BRSS përshkallëzoi përpjekjet e tij për të përmbysur regjimin Hoxha-Shehu. Partia sovjetike i dërgoi një letër partisë shqiptare ku i kërkonte forca të bashkohej në dënimin e sjelljes së Kinës. Kur shqiptarët refuzuan, sovjetikët nisën një sulm surprizë ndaj tyre duke angazhuar disa liderë të vendeve komuniste të flasin kundër udhëheqjes shqiptare dhe duke nxitur hapur drejtuesit e ushtrisë së Shqipërisë të përmbysin regjimin e partisë. Ky komplot u shtyp që në fazat e tij të para me arrestimin e rreth 200 personave.

Armiqësia Shqipëri-BRSS

Më zbulimin dhe shtypjen e pucit të gushtit, as Moska dhe as Tirana nuk e fshihnin më armiqësinë e tyre. Moska aplikoi të gjithë presionin e mundshëm përveç ndërhyrjes ushtarake në Shqipëri, ndërsa Tirana procedoi me spastrimin e të gjithë elementeve pro-sovjetikë nga partia. Në plenumin e komitetit qendror të 9 shtatorit 1960 u përjashtuan nga partia Liri Belishova dhe Koço Tashko. Pak më vonë bashkëshorti i Belishovës, Maqo Çomo u largua nga posti i ministrit të Bujqësisë. Largimet u shoqëruan me një fushatë të gjerë spastrimesh të drejtuesve të rretheve dhe nga shumë arrestime. Në shtator regjimi njoftoi se Shehu do të drejtojë delegacionin shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, ku merrnin pjesë dhe Hrushovi dhe udhëheqës të tjerë të Evropës Lindore. Pas dështimit në përmbysjen e regjimit me pucin e gushtit, BRSS shtoi presionin ekonomik mbi Shqipërinë me ndihmën e satelitëve të saj. Blloku sovjetik refuzoi kërkesën e Shqipërisë për 75 000 ton grurë dhe nisi tërheqjen e teknikëve nga Shqipëria, siç kishte bërë më herët (në korrik) edhe në Kinë. Për t’iu kundërvënë presionit sovjetik mbi Shqipërinë, Kina ofroi 45 000 ton grurë për Shqipërinë, nga të cilat 9000 ton erdhën në tetor. Në sesionin e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Shehu u injorua nga udhëheqësit e tjerë të bllokut. Shqipëria foli kundër propozimeve të bllokut për çarmatim si dhe kundër aspekteve të tjera të politikave sovjetike. Nuk kishte më dyshime se cila do të ishte qëndrimi i udhëheqësve shqiptarë në konferencën e pritur të partive komuniste në Moskë në fillim të nëntorit. Vizita e fundit e Hoxhës e Shehut në Moskë ishte në nëntor 1960, dhe sigurisht ishte nga më të papëlqyeshmet. Ata erdhën aty të vendosur për të mbështetur qëndrimin kinez dhe për të shprehur pa censurë zemërimin e tyre ndaj udhëheqësve sovjetikë. Në fjalimin e tij në konferencë Hoxha mbështeti fuqimisht çështjen kineze dhe radhiti arsyet e zemërimit të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, veçanërisht me Hrushovin. Ai e nisi me një mbrojtje të fortë të politikës së jashtme dhe ideologjisë së Kinës, dhe akuzoi Hrushovin se po ngatërronte dhe po shtrembëronte mësimet e Leninit.

Akuzat Hoxha-Hrushovi

Në reagimin e tyre më 23 nëntor, Hrushovi refuzoi akuzat e Hoxhës me pretendimin se do të jepte prova për të hedhur poshtë akuzat e Hoxhës, ndërsa në fund thotë: “por gjithsesi, kush mund të bëjë debat me Hoxhën?” Dy ditë më vonë Hoxha e Shehu u larguan nga Moska me tren, duke lënë pas Kapo dhe Alian për të nënshkruar deklaratën e përbashkët të konferencës. Më 27 nëntor Mao Ce Dun dhe Çu En Lai morën pjesë në një pritje të ambasadës shqiptare në Pekin për ditën e çlirimit të Shqipërisë, ku thanë se ishin krenarë që kishin bashkëluftëtarë të tillë si Partia e Punës së Shqipërisë. “Populli Kinës vlerëson mbështetjen e dhënë nga populli shqiptar”, thanë ata. Duhet të kalonte edhe një vit tjetër para se Hrushovi të sulmonte hapur udhëheqësit shqiptarë dhe të ndalonte marrëdhëniet diplomatike. Që prej largimit të Hoxhës e Shehut nga konferenca e Moskës, mikja e vetme e Shqipërisë në bllokun komunist ishte Kina. Deri në dhjetor u bë e qartë se ajo për të cilën të gjitha palët ishin dakord qe shprehja e Hrushovit: “BRSS humbi një Shqipëri, Kina fitoi një Shqipëri”.

Konkluzionet

Shumë nga domethënia e prishjes Shqipëri-BRSS është lënë në hije nga konflikti mes Moskës dhe Pekinit, dhe ndryshimi i kampit i Shqipërisë është vlerësuar nga impakti në debatin e madh. Por nëse shikojmë marrëdhëniet shqiptaro-kineze prej themelimit të partisë komuniste, është e qartë se debati mes tyre ka lindur në mënyrë të pavarur nga debati me Kinën dhe se ka pasoja të konsiderueshme në kontrollin sovjetik të bllokut komunist. Duke marrë parasysh akuzat e ndërsjella mes Moskës e Tiranës bëhet e qartë se nënshkrimi i satelitëve ndaj BRSS nuk vjen nga mekanizmat e kontrollit të Moskës por në ideologjinë e përbashkët komuniste dhe në besimin ndaj udhëheqësve të veçantë të BRSS. Sjellja e satelitëve varet gjithashtu nga varësia ekonomike e politike, por vendet ku partitë komuniste kanë ardhur në pushtet gjatë kohës së luftës me ndihmën e ushtrisë sovjetike, kanë rezultuar më besnike në përgjithësi. Ato që nuk kanë pasur kontakte ushtarake me BRSS gjatë luftës, si Jugosllavia e Shqipëria, rezultuan më të paparashikueshme . Ky leksion është regjistruar nga udhëheqja sovjetike dhe është llogaritur në kontekstin e krizës kubane dhe lëvizjeve të tjera komuniste që kanë ardhur në pushtet pa ndihmën direkte të BRSS. Në vitet e para pas-luftës Stalini nisi krijimin e një sistemi të komplikuar kontrolli ku përveç kanaleve tradicionale të drejtimit të partisë, konsulentë sovjetikë u vendosën në të gjitha qeveritë e rëndësishme dhe organizatat ushtarake. Por ky sistem zgjati vetëm për vitet e para pas luftës kur partitë ishin tërësisht të varura nga Moska për mbijetesën e tyre politike dhe asistencën teknike për ndërtimin e ekonomive kombëtare. Ky sistem u çmontua shpejt pas vdekjes së Stalinit nga pasuesit e tij në 1953, të cilët e dalluan se sistemi po bëhej kundra-produktiv dhe po largonte fragmente të gjera të mbështetjes politike dhe popullore në vendet satelite, dhe po pengonte zhvillimin ekonomik të vendeve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne