Donald Lu largohet nga Shqipëria, dërgohet në Bishkek, Kirgistan

Donald Lu do të largohet nga Shqipëria.

Në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë sqarohet të enjten se iu dërgua Senatit lista me 7 caktime dhe një tërheqje në nivel diplomatësh dhe njeriu që drejtoi misionin diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri do të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm e i Gjithëpushtetshëm i Amerikës në Republikën e Kirgistanit, thuhet aty.

Ambasadori që pati ndoshta ndikimin më të madh në politikën shqiptare ka meritën e nxitjes së reformës në drejtësi e falë përpjekjeve të tij, dy zyrtarë të lartë shqiptarë kanë marrë “ndalim publik” nga DASH-i, diçka që ndodhte për herë të parë.

Mesazhi i parë i përcjellë prej tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ishte shqip, e po aq “shqip e troç” ka folur përgjatë gjithë detyrës së ushtruar në Shqipëri.

Ka qenë dhe është nxitësi më i madh i reformës në drejtësi dhe i vendosur në qendër të vëmendjes me disa deklarata të drejtpërdrejta në adresë të klasës politike shqiptare dhe gjithë shoqërisë tonë. Nëse paraardhësi i tij, ambasadori Alexander Arvizu mbahet mend për përdorimin e togfjalëshit “Burrë shteti” për ish-Kryeministrin Sali Berisha, pasi ky i fundit hoqi dorë nga një miting një javë pas 21 Janarit 2011, Donald Lu do të mbahet mend për togfjalëshin “Peshku i madh”.

Është e njohur tashmë deklarata e tij e drejtpërdrejtë gjatë një aktiviteti të organizuar për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ku kërkoi që para drejtësisë të përfundojnë “peshqit e mëdhenj”, duke folur edhe me emra konkretë për persona të botës së krimit. Nuk janë fort të largëta ditët e nxehta politike të verës së vitit 2016, kur Donald Lu, i shoqëruar shpesh nga ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë arritën që të bëjnë bashkë klasën politike dhe të kalojnë me 140 vota në Kuvend paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe reformën në drejtësi.

S’janë të largëta as ditët e vrullshme politike të pranverës së vitit të kaluar, kur Partia Demokratike protestonte në çadër para Kryeministrisë, ai i shoqëruar po nga nga ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin takohej herë me udhëheqësit e opozitës, herë me të mazhorancës, me misionin kryesor; shpëtimin e zgjedhjeve parlamentare dhe pjesëmarrjen e opozitës në to. Arriti që t’i bëjë bashkë edhe njëherë tjetër politikanët shqiptarë dhe të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne