Dorëzoni Gylenin të merrni Pastorin

ANKARA: Presidenti Turk Rexhep Tajip Erdogan i tha ditën e enjte Shteteve të Bashkuara se Turqia do të mund të lirojë nga burgu një pastor Amerikan nëse Uashingtoni do dorëzojë klerikun mysliman në mërgim Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për grushtin e dështuar të vitit të kaluar.

Pastori i SHBA, Andrew Brunson, mbahet në burg nga autoritetet Turke që nga tetori 2016 me akuzën se është anëtar i grupit Gylenist.

Ankaraja ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që Gyleni i cili jeton në shtetin e Pensilvanisë , të ekstradohet në Turqi për t’u përballur me akuzat për urdhërimin e grushtit të shtetit të korrikut 2016.

Gulen, nje azilant i vetëshpallur që nga viti 1999, i mohon fort akuzat e përfshirjes.

“Ata thonë ‘na jepni pastorin’. Ju keni një predikues (Gylenin) atje. Na i jepni atë ne, dhe ne do të përpiqemi tju japim atë (Brunsonin)”, tha Erdogan në një fjalim televiziv.

Pastori evangjelist fillimisht u ndalua me gruan e tij, si i dyshuar për aktivitete “kundër sigurisë kombëtare”.

Norine Brunson u lirua menjëherë pas arrestimit të saj, por bashkëshorti i saj në dhjetor u akuzua se ishte anëtar i lëvizjes Gylen.

Ata drejtonin një kishë të krishterë në qytetin e Izmirit.

Kjo duket të jetë hera e parë që Erdogan lidh lirimin e Brunsonit me kërkesën e Ankarasë për të ekstraduar Gylenin.

– ‘Gjykoni me kujdes’

Erdogani u rikthehet kritikëve duke mbrojtur sistemin gjyqësor Turk, pasi disa zyrtarë Amerikanë i kërkuan Ankarasë të mos përzjejë rastin e Gylenit me Brunsonin.

“Çfarë do të thotë kjo: Që ju keni drejtësi dhe ne nuk paskemi drejtësi?” tha me ironi Erdogan.

“Personi (Brunsoni), këtu është duke u gjykuar por ai që është atje tek ju (Gyleni) nuk po gjykohet! Ai jeton në një rezidencë në Pensilvani!

“Është më e lehtë për ju (Shtetet e Bashkuara) ta dorëzoni atë, mund ta jepni menjëherë,” shtoi Erdogan.

Një dekret i fund gushtit i dha Erdoganit mundësinë për të ekstraduar të huajt në këmbim të turqve të arrestuar ose të dënuar jashtë vendit, në “situata të domosdoshme per sigurinë kombëtare ose për interesat e vendit”.

Norine Brunson, e cila ka jetuar në Turqi për më shumë se 20 vjet me burrin e saj, u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit Rex Tillerson gjatë vizitës së tij në Ankara në muajin mars.

Muajin e kaluar, Tillerson tha se Brunson ishte “burgosur gabimisht”.

Turqia kishte shpresuar për një rigjallërim të marrëdhënieve me aleatin e saj të NATO-s kur Donald Trump mori presidencën.

Por lidhjet mbeten të tendosura nga një sërë mosmarrëveshjesh, sidomos mbi mbështetjen e SHBA për milicinë kurde në Siri që Ankaraja e konsideron grup terrorist.

Në këshillimet më të fundit mbi udhëtimet të publikuara të enjten, Departamenti i Shtetit Amerikan u bëri thirrje qytetarëve të vet që “të kenë kujdes kur të udhëtojnë në Turqi në këtë kohë”.
Pa përmendur rastin Brunson, ai tha se nën gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur pas tentativës së grushtit të shtetit “autoritetet Turke kanë arrestuar qytetarë Amerikanë pa u ofruar avokat apo takim me familjarët”.
Ai paralajmëroi se pengesat ose refuzimet e qasjes konsullore ndaj shtetasve amerikanë të ndaluar “janë bërë më të zakonshme” dhe misioni i SHBA nuk ka akses ndaj shtetasve të arrestuar me dy nënshtetësi amerikano-turke./ Gazeta Impakt

burimi:thenews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne