Shqiperia

Dosja e bujshme “Toyota Yaris”, Gjykata e Tiranës zbut masën për 6 të dyshuarit, lirohen 4 të arrestuarit

Gjykata e Tiranës ka ndryshuar sot masën e sigurisë për 6 personat e dyshuar të rastit të bujshëm “Toyota Yaris”, që u kapën në Portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, me 3.4 milionë euro.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se është vendosur “Detyrim Paraqitje” për kushërinjtë e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Elvis dhe Alfred Vladin, si dhe për katër të tjerët, biznesmenin Alban Mollaymeri, Agim Çekajn, Klevis Cani dhe Edi Lika, që ndodheshin në paraburgim.

Kjo çështje ka bërë një ping-pong procedurial. Fillimisht nisi hetimi nga Prokuroria e Durrësit, më pas çështja kaloi te Krimet e Rënda, për sa kohë që ndaj personave të dyshuar rëndonte akuza e pastrimit të parave. Por, pak ditë para se Krimet e Rënda të shkriheshin me krijimin e SPAK, çështja kaloi te Gjykata e Tiranës, e cila rrëzoi akuzat për grup kriminal.

Për këtë arsye, sot Gjykata e Tiranës vendosi të zbusë masën e sigurisë për personat e dyshuar, duke liruar nga paraburgimi 4 të arrestuarit./Balkanweb/

OPINIONE