Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për çështjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe disa persona të tjerë, është shtyrë për në datën 21 korrik 2025.
Berisha nuk ishte i pranishëm në seancë. Sipas prokurorit Arben Kraja, ai nuk është njoftuar zyrtarisht, pasi njoftimi i është dorëzuar Jamarbër Malltezit, i cili kishte marrë përsipër të informonte Berishën, por deklaroi se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për ta bërë këtë.
Në sallën e gjyqit u paraqitën vetëm Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja. Fatmir Bektashi nuk ishte i pranishëm për shkak të problemeve shëndetësore dhe u përfaqësua vetëm nga avokati. Edhe Andia Pustina mungoi, duke zgjedhur të përfaqësohet nga mbrojtja ligjore.
Seanca e radhës do të zhvillohet më 21 korrik, kur pritet të shqyrtohet çështja në themel.
Me heret, Jamarbër Malltezim, në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, ka deklaruar se procesi ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë të dosjes “Partizani” është një gjueti shtrigash.
Ai pretendon se gjithçka u bë me urdhër të kryeministrit Edi Rama ndërsa ka sulmuar edhe SPAK-un, ndërsa tha se prokurorët e posaçëm kanë zbatuar urdhrat e tij.
Malltezi ka bërë edhe një referencë nga seria e “Harry Potter” ku tha se Ram është bërë si Voldemorti, “Ai që nuk duhet t’i përmendet emri”.
“Që nga dita e parë kjo dihet që është një çështje qesharake politike, gjueti shtrigash ku gënjyen pasi doli që toka është e tironsve.
Menjëherë pas urdhrit të Ramës, në kongresin e PS në prill 2022 prokurorët kanë bërë 16 kërkesa brenda muajit në të gjitha institucionet.
Ne do të përballemi me këtë çështje, por në thelb është një çështje pa fakt penal që nisi me kallëzim të rremë të Taulant Ballës.
Rama për SPAK-un është bërë si Voldemort-i, “he who should be named”, por ne do të përballemi me Vlodemortin”, tha ai.