Bota

Drejtuesja e re e CIA-s/Dyshime serioze se ka asistuar personalisht seanca torture

Duket se raportimet e mediave të ndryshme amerikane se shefja e re e CIA-s, Gina Haspel, ka drejtuar dhe mbikëqyrur seanca torture, janë verifikuar në rrugë dokumentare. National Security Archive në Universitetin “GeorgeTown”ka publikuar atë që e quan dosja e torturës së Gina Haspel, e cila përmban nëntë dokumente të cilat konfirmojnë se Haspel ka qenë në krye të operacioneve ku aplikohej tortura kur drejtone stacionin e CIA-s në Tajlandë.

Sipas materialeve të mbledhura Haspel është ndër njerëzi kryesorë që kanë ushqyer administratën e mëparëshme amerikane të Bush me idenë se tortura është efektive në nxjerrjen e informacioneve dhe shpëtimin e jetëve të qytetarëve amerikanë. Sipas NSA, dokumentet përfshijnë një version më pak të redaktuar të Inspektorit të Përgjithshëm të CIA-s të vitit 2004, referenca nga raporti i deklasifikuar i Komitetit për Inteligjencën në Senatin amerikan, të dhëna për hartuesit e programit të torturës, James Mitchell dhe Bruce Jessen që janë paguar rreth 2.5 milionë dollarë për shërbimet e tyre etj..

Për Haspel duket se kanë filluar problemet pasi NSA pretendon se mes dokumenteve janë edhe 12 kabllograme që janë hartuar, apo janë autorizuar prej saj kur drejtonte rajonin e fshehtë të CIA-s në Tajlandë ku mbaheshin të ndaluarit që dyshoheshin për terrorizëm.

Praktikat e sugjeruara nga programi Mitchell/Jessen përfshinte torturën e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes me ujë, privimin nga gjumi, lakuriqësi e detyruar etj..

NSA nuk ka marrë përsipër të provojë se Haspel ka qenë personalisht prezente në seancat e torturës, por ajo ka drejtuar stacionin, ndërkohë që ka një kabllogram kyç të datës 25 tetor 2002, ku kërkohet ripërdorimi i një videregjistruesi çka ka shkatërruar pamjet e seancës së një dite më parë.

Në këtë kuadër, NSA ka kërkuar në bazë të së drejtës së informimit të 12 kabllogramet, por kërkesa është refuzuar nga CIA. Pas kësaj përplasjeje, NSA ka depozituar ankesë në Gjykatën federale të Washingtonit. Në pretendimet e veta, NSA thotë se dy autorët e kërkesës, kanë tërhequr mijëra dokumente që janë nën adminstrimin e CIA-s gjatë viteve , ndërkohë që ka ka nën kujdesin e vet Arkivën e Torturës me 16 mijë dokumente që dëshmojnë evolucionin e politikës amerikane në përdorimin e torturës.

Situate juridike e krijuar me këtë ngjarje ka rëndësinë e vet, pas Haspel do të paraqitet më datën 9 maj në seancën dëgjimore në Senat ku edhe pritet konfirmimi i saj në detyrë. Është e logjikshme që në pyetjet kryesore do të jetë përvoja e saj në aplikimin e torturës, për të cilën administrata Obama hetoi, përpiloi një raport dhe mandej vendosi mbylljen e programit. Në çdo rast, akuza ndaj Haspel është jo e vogël, pasi në historinë e CIA-s ka patur drejtues që vinin nga operacionet klandestine, pra që mundet të jenë përfshirë personalisht në likujdime personash(Kolby p.sh), por ndoshta është hera e parë që agjencia e një vendi si SHBA që vetëshpallet si kampion i demokracisë drejtohet nga dikush që ka asistuar dhe mbështetur praktika që edhe sipas ligjit amerikan, ashtu edhe atij ndërkombëtar janë të papranueshme.

OPINIONE