Dreka e një sharlatani

Xhuliano Bregasi

Kryesharlatani i ka kthyer në modë drekat e darkat, ku ulet lugë më lugë me popullin e ia nis fushatës shtruar për çfarë t’i vijë për mbarë. Këtë gjë është duke e bërë edhe në një sektor ku të gjithëve na dridhet mishi kur kujtojmë kushtet e punës, në fasoneri, pa le më të mendojmë se vajzat e gratë punëtore aty kanë luksin të ulen shtruar e të shijojnë drekën falas nga pronari zemërgjerë. Herën e parë shkoi në një fasoneri në Lezhë, pikërisht ditën kur kishte marrë dhenë lajmi se rreth 20 punëtore ishin helmuar në një fasoneri jo shumë larg. Ndërsa më 6 qershor kishte shkuar për drekë në një nga fasoneritë e Beratit, atë të çantave. Për këdo që ka dëgjuar, e di që është më famëkeqja jo vetëm në Berat, por mbase edhe në gjithë Shqipërinë.

E ndoqa me vëmendje bashkëbisedimin, sepse kemi qenë disa herë në Berat me shoqe e shokë aktivistë për të takuar punëtore pikërisht të fasonerisë, por ka qenë tmerrësisht e vështirë. Dëshmitë për kushtet e punës, nga ato pak punëtore që kemi takuar, kanë qenë thjesht të tmerrshme. Punëtore që punojnë orë shtesë sa të ketë nevojë pronari; punëtore që jo vetëm nuk paguhen për orët shtesë, por marrin vetëm 15 mijë lekë në muaj, as pagën minimale; punëtore që nuk i lënë të shkojnë as në banjë, megjithëse vështirë mos të të shpëtojë prej ulërimave pa pushim të mbikëqyrëseve – mbikëqyrëse që figurojnë formalisht si përfaqësuese të sindikatës, pra xhelatë që mbrojnë interesat e viktimave.

Për këtë fasoneri qarkullojnë fjalë në gjithë Beratin se në katin e sipërm të saj mban rreth 100 refugjatë nga Bangladeshi, të cilët i trajtojnë si skllevër në kuptimin e plotë të fjalës: i paguajnë vetëm 40 dollarë në muaj, iu llogaritin fjetjen 100 lekë në ditë, iu japin veç byrekë e dhallë për të ngrënë dhe i detyrojnë të punojnë sa orë të duan pronarët. Para pak javësh disa prej këtyre skllevërve humbën pa adresë, por ky lajm u pasqyrua vetëm në një portal rajonal, në asnjë media kombëtare apo me shikueshmëri më të lartë. Nuk dihet nëse prokuroria ka nisur hetime për këtë rast apo për fjalët që qarkullojnë, të cilat gjithsesi për momentin ngelen në rrafshin e legjendës urbane.

Kthehemi te të dhënat e faktuara. Nga biseda rreth 30 minuta arrita të shkëpus disa pika që i mendova më të rëndësishmet, të cilat po i sjell me nga një sqarim të shkurtër:

Në drekën e inskenuar në korridorin e fasonerisë ishin shtruar rreth 20 vetë. Gjatë gjithë bisedës propagandohet se ishin 1300 punëtore vetëm në atë fasoneri. Nëse për një moment bëhemi leshko dhe e besojmë zemërgjerësinë e pronarit të fasonerisë që u jep drekë punëtoreve, i bie që ai i shtron tavolinat 65 herë në ditë që të mund të hanë të gjithë punëtoret?!

Si njeri i ditur që është, Rama aty përmendi edhe një studim sipas të cilit një vakt ushqim në punë rrit rendimentin. Po nëse është kështu, si ka mundësi që pronarët dhe përgjegjësit në fasoneri jo vetëm që nuk iu japin bukë, por ua nxjerrin nga hundët punëtoreve jashtë kamerave propagandistike?!

Atypëraty, si një spontan dhe shakaxhi që është, Rama pyet një nga të paktat punëtore në këtë drekë “gala”, e cila rri si e habitur ngjitur me të: “Pse nuk ha?”. Punëtorja e sikletosur i përgjigjet se nuk i pëlqen ushqimi. Në fakt asaj ushqimi edhe mund t’i pëlqejë dhe me siguri është shumë e uritur pas orësh të gjata pune pa u çlodhur asnjë minutë, por nuk i pëlqen çorba propagandistike që po serviret aty. Nuk i pëlqen përkëdhelja 30-minutëshe prej dorës që e kamxhikon nga 10 orë përditë!

Pallavrat e tij në takime të tilla mund të quhen fare mirë edhe humor i zi me shfrytëzimin e përditshëm të mijëra grave. Teksa hiqet si i mahnitur nga kushtet tejet të mira dhe trajtimi dinjitoz, nuk lë pa bërë batuta të tipit “po ngelem shumë i surprizuar, se gjithandej më thonë ‘ato të shkretat, skllavet etj’ ”. Ndërkohë që Rama drekon në korridor me pronarët dhe drejtuesit e fasonerisë, dhe pak punëtore sa për dekor të tryezës propagandistike, mbrapa shpinës së tij qindra gra janë duke u shfrytëzuar sa më s’ka, duhet të dëgjojnë ulërima gjithë kohës, duhet të shtrëngohen për të arritur normën dhe për të mbajtur nevojat personale. Prisni që inspektorët e punës të shkojnë e të kontrollojnë aty?!

Humori i zi vazhdon me pyetjen nëse pronarët e fasonerisë kanë hapur ndonjë çerdhe apo kopsht për fëmijët e punëtoreve. Pronarët që nuk i lënë punëtoret për të kryer nevojat personale, pyeten nëse kanë bërë ndonjë investim madhor për familjarët e tyre! Por fasonierët nuk janë aq të shkathët sa ai për gënjeshtra live dhe të papërgatitur japin një përgjigje shumë gjeniale: “Duke qenë se punëtoret tona janë të reja në moshë, 22 vjeç mesatarisht, nuk është nevoja për çerdhe e kopshte për momentin”. Pra jo se nuk e kanë në plan, por ende nuk janë pjekur kushtet për këtë investim në shërbim të komunitetit. Skandalozja këtu nuk është as që fasonierët nuk kanë ndërtuar çerdhe, as që gënjyen se do të ndërtojnë, por fakti që mijëra vajza 20-vjeçare shfrytëzohen, stërmundohen, helmohen fasonerive dhe as nuk guxojnë të ngelen shtatzëna se i përzënë me shkelma nga puna; ndërsa kryedeliranti na flet për Shqipërinë e gjeneratës tjetër!

Pyetja e zakonshme që ai bën në këto raste lidhet me pagën e punëtoreve, për t’u treguar shqiptarëve për pagat dinjitoze. Pronarët i përgjigjen atypëraty se pagat janë të kënaqshme dhe e kanë reflektuar edhe “rritjen” e fundit të pagës minimale, pra 24 mijë lekë në muaj. Kjo është gënjeshtra e radhës e madhe e thënë live. Rrallë mund të gjesh në Shqipëri ndonjë fasoneri që respekton të paktën pagën minimale. Aq më pak fasoneria në fjalë, në të cilën duhet të punosh përtej orarit për të marrë 15 mijë lekë në muaj, e në moment mund të të penalizojnë për ta ulur edhe më tej këtë pagesë qesharake.

Një pjesë e konsiderueshme e bisedës, për të justifikuar pagat mjerane dhe për të heroizuar fasonierët, përqendrohet te punëtoria e pakualifikuar dhe përpjekjet titanike të pronarëve me trajnime shumë të kushtueshme. Nuk lihet pa përmendur edhe fakti që ka vende pune të lira, plot 400 vetëm në këtë fasoneri. “Punë ka, por nuk ka profesionistë”. Kjo jo vetëm që nuk është e vërtetë, por thjesht sa iu hap rrugën dhe lejon klientët e pushtetit që t’i trajtojnë punëtorët bash si skllevër: të paditur, të paaftë, pa të drejta, vetëm kafshë pune!

Pjesa më e madhe e bisedës zhvillohet në formë dialogu mes delirantit kryeministër dhe njërit prej pronarëve, italian, që rri si kokosh në krye të tavolinës. Mes shumë profkave që këputin, ka edhe këshilla miqësore për pronarin zemërgjerë, të tipit: “Hap ndonjë çerdhe ose kopsht Damiano, se jep edhe idenë e familjes, kolektivitetit…” Por sado përpiqet të na e paraqesë veten sikur ka shkuar aty për të mbrojtur interesat e punëtorisë, në fakt është aty si garanti që pronari mund të bëjë ç’të dojë kundër tyre. Prandaj na vjen në mendje gjithmonë, sidomos kur flet me italianë, mburrja e krenaria idiote me faktin se në Shqipëri nuk ka sindikata. Të drejtë ka në mënyrën e tij sepse po të kishte sindikata, jo vetëm që nuk do e lejonin të shkonte te vendi i krimit e të drekonte për shtatë palë qejfe me pronarin keqbërës, por do i shkonin në Tiranë për t’i thyer kokën.

Dreka propagandistike në fasoneri në kohë fushate sigurisht që nuk është për punëtoret e asaj fasonerie, të cilave nuk iu hedh dot hi syve me një kafshatë bukë ndërkohë që tërë kohës iu pi gjakun; por është për këdo tjetër që nuk punon në fasoneri dhe nuk ka informacion se çfarë ndodh realisht aty. Prandaj të paktën punëtoret e fasonerisë duhet ta sabotojnë këtë farsë zgjedhore për të cilën po përdoren, të bojkotojnë banditët që janë njësoj bashkëpunëtorë të pronarit shtypës dhe të shajnë sa të munden në fletën e votimit./ op

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne