Dritëhijet e rindërtimit/ Dy muaj pas tërmetit, Shqipëria ende pa një faturë të dëmeve

Fatura e rindërtimit të pasojave të tërmetit prej mbi 1 miliardë eurosh, që u bë e njohur nga kryeministri Edi Rama gjatë javës së kaluar, ka gjasë të shfryhet në Konferencën e Donatorëve, që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel, për faktin e thjeshtë se përllogaritjet e sakta të dëmeve janë në fillesa dhe ende nuk ka një faturë të detajuar dhe të argumentuar për standardet e donatorëve.

Të dhënat nga institucionet që po merren me vlerësimin e dëmeve tregojnë se, vlerësimet e sakta nuk do të jenë gati para fundit të shkurtit, ndaj ka të ngjarë që qeveria e Shqipërisë edhe këtë herë do të shkojë e papërgatitur në Bruksel, ndonëse ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, kishte premtuar se vlerësimet finale të dëmeve do të ishin gati në mes të janarit.

Procesi i rindërtimit me fondet publike nuk do të nisë pa përfunduar vlerësimi i thelluar për së paku 316 pallate dhe 4 075 banesa. Instituti i Ndërtimit që po kryen këtë proces është në kulmin e punës.

Drejtori i këtij instituti, Agron Hysenlliu, parashikon se 70 për qind e banesave të përfshira në vlerësimin e thelluar do të shemben. Deri më 21 janar, rreth 180 inxhinierë që janë ndarë në grupe me nga tre veta e kanë dhënë këtë vlerësim për 159 pallate dhe 375 banesa. Procesi i vlerësimit të thelluar pritet të përfundojë në fund të shkurtit, çka do të thotë se deri atëherë kostot finale nuk janë gati.

Kostoja zyrtare e ndërtimit në Shqipëri e përllogaritur nga Enti Kombëtar i Banesave, aktualisht në fuqi është 32 432 lekë ose 264 euro me kursin aktual të këmbimit.

Nëse përllogarisim se 70 për qind e banesave në vlerësimin e thelluar do të prishen sipas përllogaritjeve të Institutit të Ndërtimit, do të duhet të shemben dhe të rindërtohen nga e para 2 852 banesa private dhe rreth 221 pallate të dëmtuara. Duke marrë në konsideratë sipërfaqen e ndërtimit që ka shpallur qeveria me maksimale rreth 80 metër katror për banesë, duhen 60,1 milionë euro me kostot që ndërton Enti i Banesave për ndërtimin e shtëpive private.

Kostoja për pallatet është shumë më e lartë. Nga 317 pallatet e dëmtuara rëndë në Durrës, Laç, Tiranë, Kurbin, Krujë etj., vlerësimi i thelluar pritet të shembë 70 për qind prej tyre, ose 221 gjithsej.

Nëse këto pallate do të ishin të gjitha 10 kate me një sipërfaqe mesatare 350 metër katror për kat, qeverisë i duhet të rindërtojë nga fillimi 773 500 metra katror, të cilat me kostot e Entit të Banesave kushtojnë 204 milionë euro ose rreth 1 milion euro për pallat. Rindërtimi i banesave dhe pallateve të piketuara do të arrijë një shumë prej 270 milionë eurosh.

Gjithashtu, procesi i rindërtimit do të përfshijë rindërtimin e shkollave, qendrave shëndetësore dhe objekteve publike që janë dëmtuar, të cilat rrisin më tej faturën. Kosto të tjera lindin nga ngritja e strukturave të reja të pajisura me mjete e materiale që t’u bëjnë ballë fatkeqësive natyrore përballë të cilave Shqipëria është e ekspozuar më shumë se çdo vend tjetër europian.

Inxhinierë të fushës mendojnë se vlera e rindërtimit të banesave është e përballueshme për një periudhë të shpejtë. Shembullin po e japin shoqatat. Gazetari i Top Medias, Marin Mema, në bashkëpunim me organizatën “Rrënjë Shqiptare” kanë filluar ndërtimin e shtëpive.

Zoti Mema tha se ka nisur puna për një shtëpi në zonën e Tapizës dhe 3 në Shijak me kosto 250 euro për metër katror, shumë kjo e mjaftueshme për të garantuar cilësinë e objekteve sipas parametrave të kohës.

Mema tha se, procesi do të ishte më i lehtë sikur pushteti lokal të përshpejtonte lejet dhe specifikimin e trojeve ku do të ndërtohet, ndërsa përjashtimi nga pagesa e TVSH-së do të ishte një ndihmë tjetër e madhe, pasi do të mund të ndërtoheshin më shumë banesa. Sipas standardit të zotit Mema, një shtëpi prej 80 metra katrorë kushton rreth 20 mijë euro. Mema tha se po ndërton me kostot më të lira pa cenuar asnjë standard dhe duke dhënë banesa dinjitoze për familjet e prekura. Ai shpjegoi se, në këtë formë do të përdoren 1.5 milionë USD (1,4 mln euro) e grumbulluara në llogarinë që tashmë është transparente në rrjetin social Facebook që ai administron.

Ish-ministrja e Ekonomisë dhe deputetja e Durrësit, znj. Milva Ekonomi, tani koordinatore kombëtare për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore pohoi se fatura e dëmeve është ende në proces llogaritjeje.

Ekonomi tha se po zbatohen praktikat më të mira ndërkombëtare për rikuperimin e situatës dhe se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i banesave në zonën e Kurbinit. Ajo tha se janë evidentuar 33 parcela ku do të ndërtohet dhe 40 për qind prej tyre janë gati dhe gjithashtu janë miratuar të gjitha vendimet dhe fondet për përballimin emergjencës.

Modelet janë gati, thjesht t’i zbatojmë

Më 17 gusht të vitit 1999, tërmeti i Izmirit në Turqi me magnitudë 7.6 të shkallës Merkali shkaktoi 17 mijë viktima dhe la të pastrehë së paku 250 mijë njerëz. Një muaj më vonë, rreth datës 20 shtator 1999, qeveria e Turqisë tenderoi për 87 milionë euro ndërtimin e 27 mijë shtëpive të parafabrikuara. Në janar të vitit 2000, pra në harkun kohor të tre muajve, mbi 96 mijë banorë hynë në shtëpitë e parafabrikuara.

Praktikat turke të menaxhimit të tërmeteve ndoshta nuk janë më të mirat në botë, pasi në vendet aziatike si Kina dhe Japonia është vepruar edhe më shpejt, por qeveria shqiptare kishte plot referenca për të çuar pasojat në shinat e zgjidhjes gjatë kësaj kohe.

Këto ditë bëhen dy muaj nga tërmeti i 26 nëntorit dhe asgjë nuk ka ndryshuar për banorët e prekur, të cilët janë njësoj të shpërndarë si javën e parë në hotele, çadra, me qira ose te të afërmit, apo më e keqja janë larguar ndoshta përgjithmonë nga vendi. Qeveria pati premtuar se do të kishte gati faturën e dëmeve në gjysmën e parë të janarit, por vlerësimet e thelluara në terren për 316 pallate dhe 4075 banesa që do zbardhin edhe kostot reale janë ende në fillesa.

Kryeministri Edi Rama më herët gjatë javës tha se fatura e dëmeve që ka krijuar tërmeti i 26 nëntorit është rreth 1 miliard euro. Por matematika ku 2 plus 2 bëjnë 8 ka gjasë të mos merret seriozisht nga bankat financuese, që përpos burokracisë që i karakterizon, kërkojnë së paku seriozitet në të dhëna.

Kostot e çadrave, hoteleve dhe bonusi kalojnë parashikimet, arrijnë 30 mln euro

Sipas të dhënave zyrtare nga Komiteti i Rindërtimit, aktualisht qeveria ka në funksion 5 213 tenda, të cilat i ka shpërndarë sipas kërkesave në kampe dhe fshatra. Hapja dhe vënia në funksion e një tende kërkon së paku 50 mijë lekë si kosto për dezinfektimin. Dezinfektimi i çadrave i ka kushtuar qeverisë 2,1 milionë euro, që janë përballuar nga fondet buxhetore. Kjo shumë është e mjaftueshme për të ndërtuar rreth 150 banesa private me sipërfaqe 80 metër katror me kosto 250 euro për metër.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht numri i familjeve që kanë aplikuar për bonus qiraje ka arritur në 9 451. Ministria e Financave ka përllogaritur se sipas të dhënave të deritanishme duhen 2,6 miliardë lekë ose rreth 23 milionë euro, ndërsa më parë qeveria kishte miratuar një fond 1.2 miliardë lekë për bonus qiraje.

23 milionë euro janë të mjaftueshme për të përballuar ndërtimin e 1 115 banesave private me sipërfaqe 80 metër katror. Në muajin janar në hotele ishin strehuar 2285 persona. Qeveria do të paguajë njësitë hoteliere me 2 mijë lekë për person për natë, praktikisht të gjitha strukturat që kanë kontribuuar.

Vetëm për dy muaj, kostoja e pagesave të hoteleve ka arritur 274 milionë lekë ose rreth 2,5 mln euro, shumë kjo e mjaftueshme për ndërtimin e 150 banesave.

Deri më tani, kostot vjetore të emergjencës llogariten së paku me 30 milionë euro. Por zgjatja e rindërtimit dhe futja e banorëve të prekur në banesat e reja rrezikon të zgjasë financimin e emergjencës edhe vitin që vjen.

Ekspertiza e thelluar mbaron në shkurt, më pas i hapet rrugë rindërtimit

Instituti i Ndërtimit është ngarkuar me organizimin dhe kryerjen e të gjitha akt-konstatimeve dhe ekspertizave të thelluara, pas të cilave do të përllogaritet vlera e saktë e dëmeve që ka krijuar tërmeti i 26 nëntorit 2019. Agron Hysenlliu tha se kanë përfunduar të gjitha akt-konstatimet për banesat dhe tashmë procesi është futur në fazën e ekspertizës së thelluar.

Ai tha se janë angazhuar rreth 180 inxhinierë profesionistë dhe të licencuar, të ndarë me grupe nga tre persona, që po kryejnë ekspertizat në të gjitha zonat e prekura njëkohësisht. Ai tha se ky proces kërkon kohë dhe kushton, por qeveria ka miratuar dhe akorduar të gjitha fondet e nevojshme, ndërsa sqaroi se tashmë Shqipëria ka mjaftueshëm inxhinierë dhe ekspertë për të kryer këtë proces.

Qeveria ka alokuar një fond prej 700 milionë lekësh dhe pritet të miratojë edhe fonde të tjera. Sipas të dhënave jo përfundimtare në aktin e thelluar të ekspertimit janë përfshirë 316 pallate dhe 4075 banesa private.

Deri më datën 21 janar, ekspertiza e thelluar kishte përfunduar për 159 pallate dhe 325 shtëpi. Hysenlliu ka treguar se nga verifikimet e deritanishme duhen të shemben mbi 70 për qind e këtyre banesave. Ndoshta ka pallate që mund të riparohen, por kostoja do të ishte më e lartë dhe me shumë gjasë rindërtimi mund të jetë më me leverdi se rikonstruksioni.

Pasi ekspertiza të ketë përfunduar, për pallatet e dëmtuara që janë ndërtuar pas viteve ‘90, do të financohen nga ndërtuesit që i kanë bërë, ndërsa të tjerat do t’i financojë dhe ndërtojë qeveria. Për rastet kur ndërtuesi nuk jeton më ose ka falimentuar, qeveria do t’i japë zgjidhje me vendime të posaçme, tha Hysenlliu.

Të gjitha ndërtesat që do të ndërtohen, do të marrin në konsideratë standardet e Eurokodit, Hysenlliu tha se vala e parë e ekspertizës së thelluar përfundon në fund të shkurtit.

Projektligj i ri, kontroll për banesat mbi 50-vjeçare

Objektet që janë ndërtuar prej më shumë sesa 50 vitesh do t’i nënshtrohen një procesi të hollësishëm të auditimit teknik, për t’u parë nëse ato plotësojnë kërkesat minimale të rezistencës dhe sigurisë. Pas këtij auditimi parashikohet marrja e masave për të garantuar sigurimin e tyre.

Kjo parashikohet në një projektligj të ri. “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr.4802, datë 10.09.1998, Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, parashikon ndër të tjera dhe shtimin e një neni. Konkretisht: “Të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar i nënshtrohen procesit të auditimit teknik. Rregullat për mënyrën se si do të zbatohet auditimi dhe cilat do të jenë subjektet që do ta kryejnë atë, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Sipas relacionit shoqërues, ky projektligj iniciohet në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga dëmtimet që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm i datës 21 shtator 2019 në disa qytete të vendit, kohës së pamjaftueshme për rregullimet ligjore sipas procesit legjislativ dhe nevojës së menjëhershme për ndërtimin e riparimin e ndërtesave të dëmtuara.

Konkretisht, projektligji propozon ndryshime të termave të ligjit nr.84.02., datë. 10.9.1998, të ndryshuar, dhe shtesa që parashikojnë kryerjen e auditimit teknik të punimeve të ndërtimit, në objektet të cilat i kanë mbi 50 vjet nga koha kur janë ndërtuar.

Rregullat mbi mënyrën se si do të zbatohet, si dhe cilat do të jenë subjektet që do ta kryejnë këtë audit, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, projektligji parashikon se oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve, për të gjitha ndërtimet publike, ndërtimet me vlerë së paku 100 milionë lekë dhe objektet me akses publik.

Efektet e pritshme të projektligjit janë verifikimi në mënyrë periodike nga Instituti i Ndërtimit, nëpërmjet kryerjes së auditimeve teknike të punimeve të ndërtimit, në objektet të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, për plotësimin e kërkesave minimale të rezistencës, qëndrueshmërisë mekanike dhe sigurisë në përdorim dhe propozon masa përkatëse në rast të mosplotësimit të kërkesave minimale të punimeve të ndërtimit, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre. Në Turqi, ky lloj kontrolli kryhet për banesat me periudhë ndërtimi me mbi 50 vjet.

Zonat e dëmtuara, shkatërrohet kapitali njerëzor

Prej dy muajsh në çadra dhe hotele, mijëra banorë të prekur janë shkatërruar psikologjikisht dhe fizikisht. Ditët e ftohta të janarit kanë shtuar pneumoninë te ata që jetojnë në çadra dhe sëmundje të tjera infektive te ata që jetojnë në qendrat kolektive. Burimet nga Poliklinika e Mushkërive në Tiranë bëjnë me dije se janë shtuar pacientët me shqetësime nga ankthi, të cilët mendojnë se kanë pneumoni. Pacientë me rrahje të shpeshta të zemrës dhe dhimje në gjoks janë dyndur pas tërmetit në qendrat ambulatore dhe spitale. Gjithashtu, burimet nga njësitë hoteliere pohojnë se ka pasur përhapje të zgjebes në disa raste.

Edhe në botë është vërtetuar se tërmetet shkatërruese krijojnë trauma dhe çrregullime psikike, sidomos te shtresat e margjinalizuara.

Rreth 60% e grave të mbijetuara nga tërmeti i 2015-s në Nepal raportuan se tërmeti kishte ndikuar shumë negativisht jetët e tyre. Anketa tregoi se, sa më i ulët ishte niveli arsimor, aq më e lartë ishte diagnoza klinike.

Në dekadën e kaluar, disa katastrofa natyrore shkatërruese raportohen, duke përfshirë tërmetin në Wenchuan në Kinë në 2008, tërmetin e madh të Japonisë në 2011, tajfunin Haiyan në Filipine në 2013. Përveç dëmeve njerëzore dhe materiale, fatkeqësi të tilla natyrore patën gjithashtu një ndikim të fortë në çrregullimin mendor të të mbijetuarve. Rreziku i depresionit u rrit shumë pas ekspozimit ndaj një fatkeqësie natyrore, dhe çrregullimi i stresit post-traumatik tregoi shkallë të lartë të prevalencës midis të mbijetuarve, tregon studimi i “Frontiers in Psychology”, ku u përfshinë 6 universitete të Kinës dhe Japonisë.

Për të mbijetuarit, fatkeqësi të tilla zakonisht u bënë ngjarje traumatike, të cilat u bënë shkak për fillimin e depresionit. Individët që përjetuan një ngjarje, djegie, aksidente gjatë tërmetit patën prevalenca më të larta të depresionit. U gjet një përhapje e depresionit pas ekspozimit ndaj traumave të tërmetit sidomos te fëmijët dhe adoleshentët.

Shumë nga të rinjtë e prekur humbën kujtesën autobiografike, që më vonë i ndihmon ata të riorientohen në shoqëri. Kjo lloj harrese skualifikon edhe kujtimet rutinë të tilla si shëtitjet në park çdo mëngjes.

Studimet gjetën se ekspozimi ndaj traumës ishte kritik në zhvillimin e mbipeshës dhe sugjeroi që individët të ekspozuar ndaj traumave të mësonin të minimizonin efektin negativ nga kujtimet shqetësuese duke mënjanuar kujtimet me detaje.

Burokracitë që pengojnë procesin

Emergjenca civile dhe procesi i rindërtimit do të mund të përballohen me sukses duke mënjanuar në maksimum burokracitë dhe duke treguar aftësi për zgjidhjen e problemeve.

Prandaj në raste fatkeqësish si ajo e 26 nëntorit, shpallet gjendje emergjence, që ndër të tjera përshpejton veprimet e administratës për të përballuar emergjencën. Zgjidhen njerëzit e duhur dhe të gjitha aktet ligjore që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionin e emergjencës bëhen me shpejtësi. Por ky nuk është rasti shqiptar, pasi sot e kësaj dite aktet ligjore të miratuara për lehtësimin e situatës nuk janë bërë të aplikueshme, pasi ende nuk janë miratuar udhëzimet dhe detajimet përkatëse me VKM.

Rasti më i qartë është mosshpërndaja e bonusit të qirasë.

Qeveria ka miratuar qysh në fillim të dhjetorit 2019 një fond prej 1.2 miliardë lekësh, që do të shpërndahej në familjet e prekura. Këshillat bashkiakë kanë miratuar fondet, por deri më datën 24 janar, familjet në Durrës dhe Kurbin nuk e kanë marrë bonusin. Përveç se në Tiranë që është shpërndarë bonusi për muajin dhjetor dhe për janarin ende nuk ka dalë pagesa.

Ministria e Financave ka pohuar se i ka çelur fondet, ndërsa bashkitë thonë se thesari nuk i ka çliruar pagesat. Për Komitetin e Rindërtimit, pagesat konsiderohen të shpërndara, por banorët në Laç dhe Durrës nuk kanë marrë asnjë pagesë. Arben Isteri nga Dhoma e Tregtisë së Durrësit pohoi se deri më datën 24 janar nuk ishte shpërndarë asnjë bonus qiraje, përveçse për familjet të cilat kishin humbje jetësh, që janë kompensuar me banesa.

Edhe në qytetin e Laçit kanë kaluar më shumë se dy muaj që bashkitë nuk kanë përzgjedhur parcelat ku do të ndërtohet dhe nuk po lëshojnë leje për t’iu hapur rrugën shoqatave dhe donatorëve që kanë shprehur vullnetin për të ndërtuar shtëpi. Qeveria turke ka shprehur gatishmërinë të ndërtojë të 500 banesat e premtuara sapo të gjendet trualli, të cilin bashkitë nuk e kanë bërë gati.

Gjithashtu emergjenca nuk funksionoi për të kryer detyrimet e rimbursimit të TVSH-së së bizneseve në zonat e prekura, ndërsa një sërë vendimesh nuk zbatohen se nuk kanë udhëzime. Në fillim të dhjetorit, Kuvendi miratoi dy amendamente të reja, që krijojnë lehtësi fiskale në ndihmë të këtij procesi.

Amendamentet parashikojnë heqjen e TVSH-së në import për lëndën e parë për ndërtim, heqjen e taksës së infrastrukturës për ndërtimet, brenda programit për rindërtimit, që synonin t’i vijnë në ndihmë programit të rindërtimit”. Mirëpo po mbushen gati dy muaj që nismat nuk janë bërë aktive për shkak se nuk po shoqërohen me udhëzimet përkatëse që i bëjnë të zbatueshme. Gazetari Mema tha se përjashtimet fiskale do të lehtësonin në mënyrë të konsiderueshme kostot e rindërtimit, duke bërë që të kishte më shumë përfitues.

Më datë 24 dhjetor, qeveria ka miratuar një vendim sipas të cilit përcaktohen rregullat e kategorive prioritare, masa e përfitimit dhe kompensimi i sipërfaqeve për të dëmtuarit nga tërmeti.

Kështu, vendimi sqaron se aplikimi për të përfituar nga programet e procesit të rindërtimit sipas parashikimeve të këtij vendimi bëhet me dy faza. Në fazën e parë, aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e procesit të rindërtimit. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej këtyre programeve.

“Aplikimi paraqitet drejtpërdrejt në strukturën/at përgjegjëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore ose në zyrën e qëndrimit me një ndalesë të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në rast se ka një të tillë. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të vendosin që këto kërkesa të paraqiten pranë njësive administrative ku individët kanë vendbanimin”, thuhet në vendim.

Praktikat botërore: Të rindërtohet ajo që ka ekzistuar, planet e reja zgjasin procesin

Praktikat ndërkombëtare tregojnë se në përgjithësi është më efikase të realizohet më shpejt rindërtimi në atë që ka ekzistuar para katastrofës, sesa është për të bërë ndryshime në përdorimin e tokës dhe modelet urbane dhe për të rindërtuar ndryshe në vazhdën e katastrofës.

Pas katastrofës, ekziston një tension midis ndryshimit dhe kthimit në normalitet. Autorët vërejtën se, në rast të ndryshimit të planeve të ndërtimit me plane urbane të reja, do të krijojnë perceptime negative te banorët që duan t’i kujtojnë qytetet e tyre si para katastrofës.

Pasojat e katastrofave të mëdha të tilla si edhe tërmetet mund të ndryshojnë të ardhmen e një qyteti ose rajoni për mirë ose për keq. Përvojat ndërkombëtare e kanë provuar këtë. Agoikago dhe San Françisko u bënë qytete më të suksesshme pasi ishin shkatërruar nga zjarri dhe tërmeti, dhe Tokio gjithashtu ka lulëzuar edhe më shumë pas zjarreve shkatërruese, tërmeteve dhe luftërave.

Në të kundërt, qendra e qytetit të Managuas dhe Nikaragua kurrë nuk u rimëkëmbën nga një tërmet që ra në vitin 1972. Galveston në Teksas humbi rëndësinë e tij si një port i madh amerikan pasi u shkatërrua nga një stuhi e madhe në 1900. Procesi i rimëkëmbjes është një aspekt kryesor i katastrofës dhe menaxhimi i tij ndikon shumë te qytetarët.

Praktikat ndërkombëtare e konsiderojnë me rëndësi menaxhimin e rimëkëmbjes pasi efektet e fatkeqësive shtrihen në kohë. Shumë njerëz i mbijetojnë fatkeqësisë fillestare, por më pas vuajnë nga rimëkëmbja ndërsa ekonomia ul ritmet e rritjes. Shërimi nga katastrofat zgjat shumë vite, teksa plagët psikologjike mund të zgjasin për dekada.
Rindërtimi pas katastrofës mund të ofrojë mundësi për përmirësimin dhe për rregullimin e problemeve që rinovojnë infrastrukturën, krijojnë mundësi të reja për përdorimin e tokës dhe përmirësojnë standardet e ndërtimit dhe të projektimit. Kur ndodh një katastrofë, zakonisht zonat e prekura kërkojnë mësime nga të tjerët. Në 40 vitet e kaluara, një numër i madh katastrofash kanë ndodhur në shkallë të gjerë globale.

Në një botë të globalizuar, komunitetet përfitojnë gjithnjë e më shumë
nga ndihma e atyre që e kanë pësuar të fundit. Përvojat e rimëkëmbjes janë të mjaftueshme për të zhvilluar proceset e rimëkëmbjes për katastrofat që mund të ndodhin. Rindërtimi pas katastrofës nga Haas, Kates dhe Bowden (1977), ishte studimi i parë që analizoi një pamje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë të rikuperimit të fatkeqësive.
Ai u përqendrua në rindërtimin e qyteteve të San Franciskos, Kalifornisë, Alaskës dhe Managuas.

Autorët propozuan që rimëkëmbja përparon përmes katër proceseve të dallueshme: emergjenca, restaurimi, rindërtimi dhe rindërtimi i madh që përfshin përmirësime madhore për të përballuar tronditje të mëpasshme.

Në përgjithësi, autorët e huaj vlerësojnë se kërkohen më shumë sesa dy vjet për të arritur nivelet para katastrofës, sidomos në rikuperimin e aktiviteteve të biznesit. Rindërtimi i madh i infrastrukturës dhe qyteteve të mëdha kërkon edhe 10 vite./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne