Shqiperia

Droga dhe krimi i organizuar përplasin ashpër Tahirin dhe LSI-në

Prej dy ditësh LSI-ja dhe kreu i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri janë duke u përplasur ashpër me deklarata të shumta. Gjithçka ka nisur pas një deklarate të Tahiri që kërkon ‘qeverinë me një timon’, duke akuzuar LSI-në se duke qenë në qeveri, ka sjellë edhe probleme.

Kaq ka mjaftuar që të nisin kundërpërgjigjet. I pari ishte kreu i LSI-së, Petrit Vasili. Sot ka shkruar edhe këshilltari i tij, Dritan Kaba, që i kujton Saimir Tahirit se ‘tafmaja e tij e mbushi Shqipërinë me drogë dhe krimi i organizuar të rrijë rehat në vend’.

Ja çfarë shkruan Dritan Kaba në Facebook:

Mbushi Shqipërinë me drogë tani bën dhe ‘filozofin’

Na paska folur Tahiri, në rolin e “filozofit” politik.

Por para se të “filozofoje” politikisht a ju ka kërkuar falje prindërve të adoleshenteve që ju mbushi gjimnazet e 9-vjeçaret me hashash?!

Sot është 1 qershori, në vend të dale e t’ju kërkojë falje fëmijëve shqiptarë që jua solli drogën në çdo oborr shkolle, bën protagonistin.

Që të kuptojë edhe njëherë fjalën “tafma” i them, se ishte pikërisht tafmaja e tij që gjelbëroi Shqipërinë me drogë në çdo cep. Ishte tafmaja e tij që krimi i organizuar u ndje më rehat se asnjëherë tjetër në këtë vend. Ishte tafmaja e tij qe detyroi Departamentin e Shtetit dhe Europolin, së bashku me mediat më prestigjioze botërore të cilësonin Shqipërinë si Kolumbia e Europës.

Gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm i dha shkollat me “koncesion” grupeve kriminale.

Asnjë i arrestuar në gati 4 vite që ishte ministër nga këta shitës të vdekjes.

Kush ka fëmijë nuk mund të votoje për këtë rrezik të rinisë dhe të ardhmes së vendit.

E do timonin i vetëm që të mos ketë njeri që ta shqetësojë dhe t’i lëvizë nga kursi avionët e krimit të organizuar, skafet e trafikantëve, kamionët e tonëve të drogës. Të mos e shqetësojë njeri në këtë sipërmarrje faraonike.

Ishte kjo tafma e tij që bëri ministrin pasardhës të shkarkonte të gjithë kupolën, po, po kupolën e tij, për lidhje me trafikun e drogës.

Por me 25 qershor besoj se qytetarët e përgjegjshëm, rinia e rrezikuar nga droga që “lulëzoi” për tafmanë e Tahirit, do i kthejnë kusurin e shqetësimeve që kanë kaluar nga “koncesionet” e krimit dhe tafmaja e tij.

Etiketa