Shqiperia

Dule e Tavo raportojnë te Cipras për problemet e minoritetit

Vangjel Tavo dhe Vangjel Dule raportuan te kryeministri grek Aleksis Tsipras mbi problemet e minoritetit grek në Shqipëri. Takimi mes tyre u zhvillua gjatë turit që shefi i qeverisë greke pati në Janinë.

Sipas mediave greke, fokusi i bisedës ishin zhvillimet në Shqipëri, sfidat me të cilat ballafaqohet minoriteti si dhe perspektiva e anëtarësimit të vendit tonë. Nuk jepen më shumë detaje, por qëndrimet e dy përfaqësuesve të minoritetit grek mendohet të kenë qenë me nota kritike për qeverinë,  nisur nga pozicionimi që Dule dhe Tavo kanë në raport me zotin Rama sa i takon zhvillimeve të fundit  që lidhen me çështjen e pronave në bregdet, por edhe tabelave dygjuhëshe në Bashkinë e Finiqit.

Tabelat e rivendosën me disa ndryshime, por heqja e tyre natën dhe arsyetimet për sigurinë rrugore dhe mungesën e lejeve përkatëse lanë hapësirë për interpretim. Kujtojmë që Tsipras ka anuluar ardhjen e tij në Shqipëri qysh prej mandatit të parë të zotit Rama, ndonëse mesazhet kanë qenë të qarta për respektim të të drejtave të minoritetit.

Korriku i vitit të kaluar u duk sikur shënoi një pikë kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve pas deklaratave të Bushatit dhe Kotzias për përmbylljen e paketës që parashikonte heqjen e Ligjit të Luftës dhe problemeve të mbartura nga Lufta e Dytë Botërore. Gjithçka u stopua pas vrasjes në Bularat tetorin e kaluar të Kostandin Kacifës, për të cilën Prokuroria Shqiptare nuk ka dalë ende me një raport.

OPINIONE